Aktori Alban Ukaj, fitues i çmimit “Luran Ahmeti” në Skupifestival

11 Tetor, 2023 - 11:03 pm

Në natën e fundit të “Skupifestival” u ndanë dhe çmimet. Edhe pse çmimi më i ngrohtë për aktorët gjithnjë vjen nga publiku i cili i përkrah duke qenë bashkudhëtarë të një rrëfimi, përjetimi, siç ishte edhe udhëtimi për në botën e miteve greke me shfaqjen e natës së fundit “Orfeu”. Festivali i cili ka karakter ndërkombëtar për gjashtë net me radhë solli shfaqjet evropiane nga vende të ndryshme si, Kosova, Turqia, Franca, Bullgaria dhe Bosnja e Hercegovina.

Ekipi organizativ i këtij festivali, drejtori Muzbajdin Qamili – Muçi, kryetari i këshillit artistik Senko Velinov, drejtori artistik Osman Ahmeti, koordinatori  Xhaner Musiqi,me të gjitha forcat u përpoqën që gjithçka të shkojë mbarë me këtë festival. Të gjithë u ndanë të kënaqur, sidomos publiku që ka pasur mundësinë e artë për t’i parë shfaqjet e rajonit. Në natën e fundit të pranishëm ishin komuniteti artistik njerëz të profileve të ndryshme si edhe përfaqësues nga Qendra Kulturore Bullgare bashkë me drejtoreshën Antonia Veleva , e cila u shpreh shumë e kënaqur me bashkëpunimin që kishte vënë me ‘’ Skupifestivalin’’ si edhe mirënjohëse që më në fund vjen në Shkup një nga shfaqjet më të bukura që ka vënë Teatri Kombëtar ‘’Ivan Vazov’’ nga Sofja. Përderisa zgjati festivali, çdo natë të pranishëm kanë qenë dhe përfaqësues nga ambasadat e vendeve prej nga vinin shfaqjet.

FNT ‘’Skupifestivali’’ kishte karakter garues dhe barra për të zgjedhur më të mirët i ra jurisë së përbërë nga emrat: Teja Shugareva regjisore nga Bullgaria, Vjollca Bekteshi Hamiti aktore nga Teatri Shqiptar i Shkupit si dhe Snezhana Koneska Rusi aktore nga Teatri Popullor Maqedonas. Kjo juri vendosi që çmimet t’i ndajë siç vijon, shoqëruar me motivin:

Çmimi Shfaqja më e mirë e festivalit iu nda  shfaqjes së natës së fundit “Orfeut” nga Teatri Kombëtar ‘’Ivan Vazov’’ nga Sofja e Bullgarisë me motivin “Për grandiciozitetin  në përmasat e kompozicionit, integritet i pazakontë strukturor estetik i formës, harmoni totale e tekstit, dramë, partitura muzikore, efekte vizuale”.

Çmimi “Luran Ahmeti” për Aktorin më të mirë iu nda aktorit Alban Ukaj për rolin e Stenlit në shfaqjen “Tramvaji i quajtur dëshirë”, nga autori Tenesi Villiams, produksion i Teatrit të Luftës nga Sarajeva me motivin ‘’çmim jepet për fuqinë interpretuese, saktësinë në pasazhe tekstuale, si dhe plasticitetin dhe elasticitetin në interpretimin e tij’’.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale më pas është shprehur tejet i lumtur.

“Shkup i dashtun ta njefsha t’miren.
Kur u ndezen dritat e fillun duartrokitjet, duke i përcjellë me shikim ata njerzë kaq te dashtun qe i shifsha ne publik, disa prej jush nuk i kisha pa gati 20 vjete, u emocionova…. Mu ba zemra mal.
Aty ku njerezit me kan zemren sa malet e Sharrit, ai vend quhet Shkup.
Kulmi është me kete çmim qe mban emrin e shokut tem Luran Ahmeti.
Faleminderit. Ju paqa e u pafshim per te mira.”

Çmimin Special për interpretimin skenik e ndan për dy aktore Pinar Akuzu dhe Gülden Januz nga Teatri Turk me motivin ‘’për individualitetin e tyre shprehës të aktrimit, në shfaqjen “Nën kala” me regji të: Guray Dinkol nga teatri i Stambollit, e cila plotëson katër vetitë e çdo vepre arti: formën, tërësinë, butësinë dhe bukurinë.’’

Drejtori Osman Ahmeti tha se ishin të lodhur të gjithë, siç rëndom ndodhë nga fundi i festivalit, kërkoi falje nëse ka ndodhur ndonjë lëshim dhe theksoi që edhe kësaj radhe vihet re një fenomen që është shumë prezent mes publikun, që nuk ka qejf të paguaj bileta, edhe pse është një vlerë që është shumë modeste.

Anëtarja e jurisë Vjollca Hamiti Bekteshi në lidhje me ndarjen e çmimeve tha: ‘’ sivjet më ka rastisur të jem në dy juri në të cilat në fund është dashur të sillet një vendim për çmimet. Kjo gjë mua personalisht më le pa gjumë dhe më lodh shumë pasi nuk dua të bëhet ndonjë padrejtësi në ndarje. Për një javë lexoj veprat, rilexoj, i shoh me kujdes shfaqjet, mbaj shënime, analizoj me kujdes që kur të bëj përcaktimet ta lehtësoj ndërgjegjen time në fund. Fati i mirë është se në të dy festivalet, edhe këtu pra, në ‘’Skupifestival’’ kur kemi hedhur propozimet tona thuajse kanë qenë unanime për çmimet kryesore, përcaktime shumë profesionale, aty – këtu me ndonjë dallim të vogël por që e kemi zgjidhur me debat konstruktiv. ‘’

Fakti që ka pasur shumë publik dhe shumë shfaqje të mira përmendej mes gjithë të pranishmëve duke përmendur me shumë mirënjohje punën që bën ky festival dhe njerëzit që i rrinë prapa. Sivjet u mbajtë edicioni i 17- të me radhë, po mbush gati dekadën e dytë dhe s’do mend që trajtimi nga institucionet nuk është siç e meriton një festival i këtyre përmasave. / portalb.mk/ KultPlus.com

Të ngjajshme