“Ana dhe Zefi” me regji të Erson Zymberit, vjen për ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat

20 Qershor, 2018 - 1:47 pm

Gili Hoxhaj

Publikun e Prishtinës edhe pak ditë e ndajnë nga shfaqja “Ana dhe Zefi” me tekst të Ad de Bont dhe regji të Erson Zymberajt, shfaqje kjo e cila javën tjetër vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje bashkëdyzon dy vdekje të cilat marrin forma të ndryshme dhe përmes kësaj përplasje edhe zhvillohet ngjarja. Copëzat e ditarit të Anna Frank vijnë me historinë e një shqiptari që quhet Zef, e i cili është pre e gjakmarrjes. Që në fillim të shfaqjes publiku do të përballët me vrasjen e tij, për të kaluar në takimin e tij me Anna Frank në botën e përtejme. Kjo shfaqje me regji të Erson Zymberit e me tekst të autorit holandez, Ad de Bont ngre paralelen mes dy njerëzve të izoluar, të cilët përmes kujtimeve bashkojnë realitetet e tyre në një botë tjetër. Përmes tregimeve të tyre në skenë do të vijnë edhe dy personazhe të tjera, që janë prindërit e Zefit, e që vijnë si përforcues të ligjeve kanunore, duke krijuar këmisha që lypin gjak.

“Jashtë duhet të përballemi me vdekjen e brenda duhet vetëm të ëndërrojmë”, është njëra nga fjalitë që zbulon konceptin rreth së cilit regjisori Zymberi edhe e ka shtjelluar shfaqjen.

Erson Zymberi në një intervistë për KultPlus tha se koncepti i tij regjisorial është përpjekur që këto dy botë paralele t’i sjellë në një rrafsh, që në një anë pozicionohen ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat. Krejt procesin e punës, ai e cilëson si një punë laboratorike dhe hulumtuese mbi konceptin e tij regjisorial dhe përshtypjet e aktorëve.

“Unë këtë shfaqje e kam quajtur një shfaqje për ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat, kjo zbulon gjuhën simbolike të cilën unë si regjisor jam përpjekur ta përdor e që së bashku me ekipin do të mundohem ta shfaqim një realitet që fatkeqësisht edhe sot është prezent, sidomos në pjesën e veriut të Shqipërisë. Ne jemi munduar ta shtjellojmë një temë që çuditërisht vjen aq bukur prej një autori që nuk është shqiptar”, tha fillimisht ai.

Regjisori Erson Zymberi, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas plotë tri vitesh. Ai në vitin 2015-të, pati sjellë tekstin e Doruntina Bashës “Gishti”, premierë në TKK, ndërsa tani thotë se “Ana dhe Zefi”-n do ta sjellë poashtu shfaqje të tipit kamertale, aty ku personazhet rrinë shumë pranë publikut.

“Pas tri vitesh po kthehem përsëri me një shfaqje të tipit kamertal, ku publiku është i vendosur në skenë dhe janë bashkëpjesëmarrës të kësaj loje, të këtij procesi ku të gjithë mbajnë një qëndrim karshi rrethanave. Është kënaqësi të kthehesh dhe të punosh përsëri këtu, është kënaqësi ta kesh një staf kaq të mirë artistik”, tregoi Zymberi për KultPlus.

Edhe pse shfaqja fillon tragjikisht, me njolla gjaku, ajo nuk ecën drejt fundi të njëjtë. Shfaqja do të përfundojë me puthje e përqafime dhe kjo si mesazh që “Vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën”. E gjithë shfaqja zhvillohet nga loja e aktorëve Irena Cahani, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi dhe Verona Koxha.

Verona Koxha, është një aktore e re që në këtë shfaqje do ta jetësojë rolin e Anne Frank, e për të cilën regjisori Zymberi tha se sjellë freski brenda ekipit, ndërsa për aktorët e tjerë thotë se tashmë kanë një bagazh artistik dhe se ky nuk është bashkëpunimi i parë. Kjo është hera e parë që Verona Koxha ngjitet në skenën e Teatrit të Kosovës, për ta jetësuar një rol, ndërsa në këtë proces thotë se i ka ndihmuar shumë edhe komunikimi i drejtpërdrejtë nga regjisori.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për mua që ta dëshmoj veten, e kam marr me dëshirë dhe mendoj që edhe rezultati do të jetë i mirë. Fatmirësisht kam pasur fatin të punoj me një regjisor siç është Ersoni dhe një ekip shumë të mirë”, tregoi Koxha për KultPlus, duke shtuar se po e ndjen shumë rolin dhe ka gjetur shumë gjëra të përbashkëta me këtë rol.

Ernest Zymberi i cili vjen në rolin e Zefit thotë se vet tema e ka intriguar shumë që ta zhvillojë dhe të interesohet në personazhin e tij, i cili ballafaqohet me një mentalitet tjetër por me një viktimizim po ashtu të pafajshëm. Zymberi tha se kjo shfaqje do ta begatoj shumë CV-në e tij ndërsa shpreson që do të shfaqet edhe në vende të tjera, krahas Prishtinës.

“Ky është një tekst që më ka pëlqyer dhe që shtjellon një temë shumë të rëndësishme që duhet të pranohet dhe që për të huaj është shumë interesant. Larg lidhjeve familjare, Ersonin e çmoj shumë si regjisor dhe besoj që është më rëndësi bashkëpunimi me të sepse zhvillohem edhe unë me të”, u shpreh aktori Ernest Zymbeti për KultPlus.

Muzika e kësaj shfaqje vjen nga Trimor Dhomi kurse skenografia dhe kostumografia nga Bekim Korça. Kjo premierë vjen më 26 qershor në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa repriza e parë vjen më 27 qershor./ KultPlus.com

Të ngjajshme