Arrihet marrëveshja paraprake për Teatrin Kombëtar

27 Qershor, 2018 - 1:56 pm

Pas protestave dhe rezistencës së pandalur artistët duket se kanë arritur një fitore paraprake në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Bashkia e Tiranës duket se ka bërë disa hapa pas duke lëshuar në bisedime, dhe sot bën me dije se është arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e aktorëve.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj u takua sot me disa përfaqësues të komunitetit të aktorëve, si regjisorin Altin Basha, aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi, ku u ra dakord për ndërtimin e një teatri të ri, në tokën ekzistuese dhe pa kullë.

Në deklaratën për media të bashkisë thuhet se është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ajo ekziston edhe sot, me një godinë të vetme dhe që mbi të gjitha, që do të bëhet pa shpenzime të fondeve publike.

“Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shprehet Erion Veliaj.

Megjithatë marrëveshja e plotë ende nuk është finalizuar, kësisoj regjisori Altin Basha shtoi se bisedimet do të vijojnë.
“Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”- tha Altin Basha, shkruan Shekulli./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme