17 Maj, 2025 - 11:43 pm
Flonja Haxhaj
Në mbrëmjen e djeshme, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, skena u kthye në një fushë beteje të heshtur por të ngarkuar emocionalisht, ku një pikturë tërësisht e bardhë vuri në lëvizje tensionet më të thella mes tre miqve të vjetër. Nën regjinë e Bashkim Ramadanit, komedia “Art” e dramaturges franceze Yasmina Reza, vepër e shkruar në vitin 1994, solli përpara publikut kosovar një rrëfim ironik për artin, vlerat personale dhe krisjet e padukshme të një shoqërie të vjetër, përcjell KultPlus.
Në qendër të shfaqjes janë tre personazhe, Sergjio (Ylber Bardhi), një pasionant i artit modern që blen një pikturë minimaliste në vlerë prej 200 mijë euro, një pëlhurë madhe, e bardhë me disa vija paksa më të zbehta, Mark (Ard Islami), mik i vjetër që reagon me tallje e zemërim ndaj këtij veprimi dhe Ivan (Butrint Lumi), që përpiqet të ruajë baraspeshën mes dy miqve, duke u kthyer në viktimë të përpjekjes për pajtim.
Piktura, një simbol bosh, apo edhe ‘personazhi i katërt’ i kësaj shfaqje bëhet shkaku për të shpalosur shumë më tepër se debatet rreth artit. Përplasjet e Sergjios dhe Markut zbulojnë çarje më të thella, sfidat e identitetit, mendimet negative për njëri – tjetrin, mungesën e mirëkuptimit dhe ego që dalin në pah nën maskën e humorit e talljes, por edhe të përplasjes. Ivan, ndërkohë, i lëkundur mes palëve, është një pasqyrë e njeriut të zakonshëm që përpiqet t’i shmangë konfliktet, por që përfundon duke u zhytur në to edhe më thellë, ose mbase, ai që e pëson më së shumti.
Gjatë shfaqjes, publiku pati mundësinë të ndjekë një larmi formash shprehëse, nga dialogjet e ngarkuara emocionalisht mes dy personazheve, te monologët e sinqertë ku aktorët i drejtohen drejtpërdrejt publikut, e deri te diskutimet e përbashkëta mes tre shokëve. Çdo moment dramatik apo komik kishte zanafillën te piktura, një objekt i vetëm por që shërbeu si nxitës i përplasjeve të mendimeve dhe të marrëdhënieve të tyre.
Momente të shumta të kësaj shfaqjeje shkaktuan të qeshura në publik. Përveç kësaj, ironia, situatat absurde dhe ndërveprimi mes aktorëve bëri që përveç si një shfaqje komike, të ngacmojë përvojën e gjithësecilit në atë se sa të sinqertë jemi në raport me marrëdhëniet tona.
Pas premierës, regjisori Bashkim Ramadani tha për KultPlus se ndjehet i lumtur që është ftuar nga Teatri Kobëtar i Kosovës për të vënë në skenë këtë shfaqje, teksti i së cilës, iste i njohur për Ramadanin. Për regjisorin, vepra nuk është vetëm një komedi mbi një pikturë të bardhë, por një eksplorim i thellë i identitetit, pasigurive dhe dinamikave të miqësisë.
“Për këtë tekst më ka thirrur Teatri Kombëtar për ta inskenuar. Këtë tekst e kam njohur qysh në kohën e studimeve. Që atëherë më ka ngacmuar dhe ka qenë pjesë e planeve të mia, madje edhe si mundësi për shfaqje diplome. Megjithatë, ndoshta nuk ka qenë koha e duhur atëherë për ta inskenuar.Tani, kur erdhi ftesa nga Teatri Kombëtar, jam ndjerë shumë mirë, për shkak se e kam njohur tekstin dhe më ka tërhequr qysh atëherë. Por tani, pasi jam marrë më shumë me të, mendoj se kemi depërtuar në pikat ku është dashur të depërtojmë”, thotë Ramadani, duke shtuar se ndonëse mund të duket si një parody e artit të sotëm, as autorja, e as trupa e TKK-së, nuk e kanë pasur si qëllim.
“Nuk është një parodi tipike. Jasmina Reza e quan një komedi tragjike. Flet më shumë për raportet mes njerëzve sesa për artin. Arti merret si referencë, por më pas, kur e shohim më thellë, e kuptojmë që vepra flet për diçka shumë më të rëndësishme, për identitetin, për atë se çka jemi, si e shohim veten, si ndërtojmë marrëdhënien me shokun, si e projektojmë veten te tjetri, si një pasqyrë që fillon të thyhet, dhe nuk na jep më refleksin tonë në tjetrin”, përfundoi Ramadani.
Ndërkaq, aktori Butrin Lumi, i cili në shfaqje portretizon rolin e Ivanit, tha për KultPlus se ndjehet i kënaqur që ka pasur mundësinë të punojë me Teatrin Kombëtar të Kosovës, veqanërisht me këtë shfaqje.
“Dua t’i falënderoj dy partnerët e mi të mrekullueshëm, Ylberin dhe Ardin, si dhe regjisorin, Bashkimin. Po ashtu, falënderoj edhe të dy drejtorët artistikë dhe përgjegjësin e produksionit për mundësinë që më dhanë të jem pjesë e këtij projekti. Shfaqja, besoj se sonte shkoi shumë mirë dhe publiku e priti me entuziazëm. Ne kemi mbajtur prova intensive për më shumë se një muaj e gjysmë, duke punuar çdo ditë deri në ardhjen e ditës së premierës”, theksoi Lumi për KultPlus.
Në rolin e Sergjios, aktori Ylber Bardhi ishte një ndër shtyllat kryesore të ndërtimit të shfaqjes.Pas përfundimit të shfaqjes, Bardhi ndau përvojën e tij me KultPlus, duke folur për procesin intensiv të punës, bashkëpunimin me kolegët dhe qasjen që kishte ndaj ndërtimit të karakterit.
“Ka qenë një punë e gjatë, rreth pesë apo gjashtë javë me punë të përditshme. Por është kënaqësi të luash në një shfaqje të tillë, sepse kjo është një vepër që vë në pah karakterin. Është një shfaqje që mbështetet shumë te aktori dhe, për mua, ka qenë kënaqësi të jem pjesë e kësaj kaste, sidomos së bashku me Ard Islamin dhe Butrint Lumin. Me Butrintin është hera e parë që po punoj, dhe kemi kaluar shumë mirë gjatë këtij procesi. Që nga fillimi kemi diskutuar se si t’i japim tipare sa më të plota personazhit, duke tentuar të përfshijmë anë të ndryshme të një njeriu,pra, probleme të ndryshme që mund t’i përjetojë një person”, tha Bardhi duke shtuar tutje se secili prej tyre kanë sjellë nga një veçori ose problematikë specifike, duke e çuar personazhin deri në një nivel shumë personal./KultPlus.com