Artan Imami: Jemi pro një teatri të ri, por kundër cenimit të tokës së TK

25 Qershor, 2018 - 4:00 pm

Aktori i njohur Artan Imami deklaroi sot në dëgjesën përballë kreut të bashkisë Erion Veliaj, se është pro një teatri të ri, por kundër cenimit të tokës së Teatrit Kombëtar.

“Të gjithë ata që gjejnë veten në këtë deklarim mund ta firmosin. Ne artistët e pavarur që nuk jemi pjesë e asnjë shoqate apo sindikate, dëshirojmë që të bëjmë me dije opinionin publik, që shprehim nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Ne shprehim kërkesën tonë për të qenë pjesë e negociatave. Por shprehemi, që prona që posedon TK të jetë vetëm për TK dhe mos të ketë asnjë cenim të saj përveçse për TK. Ne duam që të jemi në dijeni për nisjen dhe për afatin e përfundimit të projektit. Ftoj të gjithë ata që gjejnë vetën në këtë deklarim që të thonë mendimin e tyre”.

Debati

Neritan Licaj: Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar me përgjegjësi të lartë qytetare i bënë me dije çdo qytetari të Republikës kudo ai ndodhet se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd sa kohë nuk tërhiqet projekt-ligji i cili grabit tokën publike të Teatrit Kombëtar.

Teatri Kombëtar dhe prona ku ai ngrihet është pasuri publike në aspektin ligjor dhe shpirtëror ndaj sigurojmë çdo qytetar se do e mbrojmë pa asnjë lëshim.

Komuniteti i aktorëve, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të angazhuar që janë bashkuar në qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon dialog dhe bisedime konstruktive për rikonstruksionin e godinës aktuale si një vlerë dhe kujtesë historike.

Gjithashtu jemi të hapur për ndërtimin e një godine të re Teatri bashkëkohor në një vend tjetër publik me para publike. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë formulën se si mund ti vijmë në ndihëm shtetit për mbledhjen e fondeve të kërkuara.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ju përgjigj pozitivisht thirrjes së parë për bashkëbisedim por hasëm në përdorimin politik dhe manipulimin publik nga ana e qeverisjes vendore dhe qendrore duke gjuajtur nën brez./ KultPlus.com

Të ngjajshme