Artistët pezullojnë grevën, nga 1 nëntori do t’i marrin pagat me rritje

13 Shtator, 2018 - 4:22 pm

Gili Hoxhaj

Pas propozimit të ministrit Gashi sot është miratuar Rregullorja për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës, si dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore. Përmes këtij akti do të rritet paga në vlerë prej 50% për këto kategori dhe do të përmbyllet procesi i punës së përbashkët i të gjithë aktorëve që kanë qenë të përfshirë, shkruan KultPlus.

Pas miratimit të kësaj rregulloreje, institucionet vartëse të MKRS-së, Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, që nga nesër do t’i kthehen punës për të sjellë aktivitetet e parapara tek publiku. Periudha ligjore kur do të ridestinohen mjetet është data 5 tetor deri më 10 tetor dhe koha kur pagat do të dalin me rritje është data 1 nëntor i këtij viti, ndërsa ministri Gashi tha se këto paga do të jenë retroaktive që nga qershori, përkundër kërkesës së Ministrisë që të jenë retroaktive që nga janari.

“Prej janarit është e pamundur ligjërisht për shkak se buxheti i Republikës së Kosovës nuk ka kaluar në procesin e rishikimit dhe mundësia ligjore dhe financiare është që pagat të jenë retroaktive që nga qershori” , u shpreh ai sot gjatë konferencës.

Minsitri Gashi sot priti Këshillin Grevist të sindikatave dhe performuesve të institucioneve vartëse të MKRS-së. Ai në konferencën e mbajtur për media, u shpreh se si ministri që nga marrja e detyrës kanë qenë të përkushtuar në zhvillimin e politikave kulturore dhe në mbështetjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Ai tutje u shpreh se ndihet jashtëzakonisht i lumtur e i kënaqur që sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me propozimin e tij është miratua ky dokument, si një proces i nisur në fillim të këtij viti.

“Me sigurimin e një page bazë konkurruese me rajonin do të kontribuojmë në konkurrencë dhe interesim më të madh të punëtorëve të kulturës dhe angazhim në institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. E kemi mirëkuptuar edhe grevën që ka ndodhur këto muajt e fundit, përkundër faktit se kam qenë shumë i bindur se këtë proces të nisur do ta përfundojmë me sukses, megjithatë sot Qeveria e Kosovës i ka dhënë drejtim të duhur këtij procesi dhe jam shumë i lumtur që të gjithë krijuesit, performuesit, punëtorët e trashëgimisë kulturore do të kenë paga të dinjitetshme, ashtu siç i kanë kërkuar”, u shpreh Gashi.

Gashi në fund tha se u bën thirrje të tri institucioneve që (Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”) t’i kthehen punës me programin e paraparë, ndërsa janë të interesuar që vitin e ardhshëm të jenë edhe më të pasura me aktivitete.

Besnik Grajçevci tha se si përfaqësues i trupës artistike dhe ansamblit “Shota”, pas takimit të sotëm dhe miratimit të rregullores së Qeverisë së Kosovës, ashtu siç kanë premtuar edhe në fillim të grevës, do t’i kthehen punës momentin e finalizimit të qëllimit të përbashkët që kanë pasur së bashku me Ministrinë e Kulturës.

“Ne e shpallim grevën të pezulluar dhe ftojmë të gjithë kolegët që qysh nesër t’i kthehen punës me aktivitetet dhe me një intensitet të madh të punës që edhe këto ditët e humbura t’i përmbushin në mënyrën sa më profesionale”, u shpreh në fjalën e tij Grajçevci, duke thënë se kjo është një dritë e gjelbër drejt besimit institucional.

Adrian Morina që përfaqëson sindikalistët e TKK-së, u shprehe se hyrja në grevë ka qenë shumë e rëndë por ka qenë zgjidhja e tyre e fundit, ndërsa gëzohet që po i kthehen repertorit të rregullt, veçmas për publikun, i cili thotë se shpreson që publiku do ta shohë premierën e paraparë javën e kaluar “Kopshti i Vishnjeve” me regji të Ilir Bokshit.

“I kemi përcjellë mbledhjet e qeverisë këto javë, për shkak të përgjegjësisë që e kemi marrë dhe ne jemi përfaqësues të komunitetit artistik dhe kemi prapa vetes diku 170-180 persona. Ka qenë shumë e rëndë hyrja jonë në grevë, ndoshta ka qenë zgjidhja e fundit. E di që institucionet, Ministria e Kulturës n’a janë hidhëruar pak dhe me të drejtë ndoshta pasi që kanë qenë shumë bashkëpunues, të paktën vitin e fundit ne kemi qenë pjesë e komisionit i cili ka draftu rregulloren për ngritjen e pagave dhe pasi që këto muaj të fundit, nuk ka kaluar rregullorja, kemi parë të arsyeshme që të hyjmë në grevë, ndoshta greva nuk ka qenë mjeti i duhur por kjo ka qenë kërkesa e atyre që përfaqësojmë, më vjen mirë jo për neve pasi që ne jemi çdo ditë në institucione por për publikun që do t’i kthehet raportuarit të rregullt te të gjitha institucioneve veçmas Teatrit Kombëtar të Kosovës”, u shpreh Morina, ndërsa falënderoi ata që i kanë përkrahur në këtë grevë, e veçmas ministrin për fjalën e mbajtur ndërsa finalja do të jetë ditën kur do t’i marrin paratë.

Kurse Alban Feka nga Filharmonia e Kosovës falënderoi ministrin dhe kabinetin e tij që kanë bërë një punë të madhe deri më sot, ndërsa tha se shpreson që pagat e tyre do të rriten shumë shpejtë dhe do të vazhdojnë me aktivitetet e parapara./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme