Artpolis sjellë “Stigma – Kërko të drejtën tënde”

29 Tetor, 2017 - 10:07 am

Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” është një ndër shfaqjet e para në Kosovë organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – ARTPOLIS, ku adresohet stigma e shoqërisë kosovare dhe ballafaqimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale. Nevoja që zëri i tyre të dëgjohet dhe të mbështeten nga komuniteti për ta vazhduar jetën si çdo njeri tjetër, përcjell KultPlus.

Pasi që zbulon se biri i saj Dreni është dashuruar me një vajzë nga Prishtina, Mira kthehet Kosovë për herë të parë pas 18 viteve të kaluara në Angli. Edhe pse e përgatitur të ballafaqohet me të kaluarën ajo befasohet nga një takim i planifikuar që merr një kahje tjetër nga qëllimi fillestar. Ky është pak a shumë sinopsisi i këtij forum teatri i cili është shfaqur si premierë më 26 tetor në Shërbimin korrektues të Lipjanit, ndërkaq tani vazhdon reprizat nëpër qytetet e Kosovës.

Regjisor dhe moderator i diskutimeve është Lulzim Bucolli ndërsa në kastën e aktorëve vijnë: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Gani Rrahmani.

Pas performancës personazhet e shfaqjes do të diskutojnë me publikun çështjet që adresohen në shfaqje si dhe do të kenë mundësinë të angazhohen direkt gjatë ndonjë segmenti të caktuar.

“Stigma – Kërko të drejtën tënde” zbatohet në partneritet me Zyrën e Avokatit të Popullit dhe do të shfaqet në shtatë komuna të Kosovës sipas orarit:

Shfaqjet e radhës:

30.10.2017 – Pejë;
03.11.2017 – Mitrovicë;
08.11.2017- Gjilan;
14.11.2017 – Prizren;
05.12.2017 – Gjakovë;
06.12.2017 – Prishtinë.

Kjo shfaqje është krijuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Kosovë Përmes Shoqërisë Civile Aktive”, projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis./ KultPlus.com

Të ngjajshme