Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës reagon për gjendjen e rëndë të teatrove

5 Prill, 2019 - 8:07 pm

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës ka publikuar një deklaratë përmes së cilës ka reaguar ndaj gjendjes se rëndë të teatrove të qyteteve dhe neglizhencës së institucioneve karshi tyre, shkruan KultPlus.

Deklarata e plotë:

Marrë parasysh gjendjen e rëndë të teatrove të qyteteve, dhe neglizhencën e institucioneve relevante për zgjidhjen e këtij problemi, pas kërkesave të shumta nga komuniteti artistik dhe punëtorët e teatrove, reagimeve të tyre për mospagesën e rrogave dhe borxheve të grumbulluara, dolëm me këtë deklaratë, ku kërkojmë nga institucionet relevante që sa më shpejtë që të jetë e mundur, ta rregullojnë statusin juridik e financiar të këtyre teatrove.

Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës (ATQK), po e përcjell rregullisht gjendjen e teatrove të qyteteve dhe konstaton se problemet e teatrove kanë mbetur të njëjta, për të mos thënë se janë vështirësuar edhe më shumë.

Ne si ATQK., kemi iniciuar ndryshimin e ligjit aktual për teatrot, i cili ligj nuk është aspak i favorshëm për funksionalizimin e teatrove të qyteteve dhe përkitazi me këtë gjendje, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Koncept Dokumentin për Teatrot, dokument ky që i hapi rrugën plotësim-ndryshimit te ligjit për teatrot, ligj ky që do ta bëjë rregullimin juridik dhe financiar të teatrove të qyteteve.

Duke e pasur parasysh që ndryshimet ligjore marrin kohë deri në miratimin e tyre, dhe duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të teatrove, ne si ATQK kemi kërkuar nga komunat tona përkatëse, që të bëjnë kërkesë në Komisionin e Grandeve në Ministrinë e Financave, që të planifikohet dhe ndahet buxheti për futjen në kontrata të rregullta të aktorëve të trupave rezidente dhe punëtorëve tjerë të teatrove, si dhe të ndahet buxheti për prodhimin e shfaqjeve, gjë që nuk ndalohet as nga ligji aktual, një bazë ligjore kjo që ne e konsiderojmë se duhet të vendoset në mënyrë urgjente, prandaj u bëjmë thirrje institucioneve relevante që në mënyrë urgjente ta mundësojnë krijimin e kësaj baze ligjore. Në të kundërtën teatrot e qyteteve rrezikohen të mbyllen, përkatësisht të mos mund t’i realizojnë aktivitetet e tyre, gjë që rrjedhimisht do të sjellë veprime radikale nga komuniteti i artistëve të teatrit./ KultPlus.com

Të ngjajshme