‘Ata që ikin’ të premten premierë në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’

7 Nëntor, 2017 - 3:58 pm

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, të premten vjen premiera e shfaqjes me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit ‘Ata që ikin’, shkruan KultPlus.

‘Ata që ikin’, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje. Ndërsa trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në një intervistë të mëhershme për KultPlus, regjisori i cili rrëmbeu disa çmime me shfaqjen ‘Tartufi’, të realizuar në Teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër, pati treguar për këtë dramë të cilën e ka shkruar para dhjetë vitesh.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, pati thënë për KultPlus, regjisori Bekteshi.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

‘Ata që ikin’ vjen premierë më 10 nëntor, me fillim nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren./ KultPlus.com

Të ngjajshme