Autori i radio-dramave të BBC-së Fin Kennedy, rikthehet me punëtori në Kosovë

22 Maj, 2019 - 4:48 pm

 INTENT New Theatre është bashkuar me kompaninë e shpërblyer të teatrit nga Londra, Tamasha, për ta ringjallur dhe zgjeruar dramën e radios në Kosovë. Si pjesë e këtij projekti, INTENT ka ftuar shkrimtarë dhe entuziastë të teatrit në një udhëtim krijues: një seri hap pas hapi e punëtorive të shkrimit që do të rezultojnë me shfaqjen dhe prodhimin e radio-dramave origjinale dhe themelimin e një festivali të radio-dramës. Kësaj thirrjeje i janë përgjegjur 10 autorë me profile të ndryshme: dramaturgë, skenaristë, gazetarë dhe studiuese të çështjeve gjinore.  

Seria e parë e punëtorisë ka nisur me dramaturgen Fjolla Hoxha e cila i ka familjarizuar pjesëmarrësit me projekt dhe u ka ndihmuar atyre që ta zhvillojnë një ide për dramë të shkurtër radioje që do të prodhohet në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. 

 
Fundjaven që kemi para, serija do të vazhdojë me një seminar dy-ditor me dramaturgun e vlerësuar me çmime britanike dhe drejtorin artistik të Tamasha, Fin Kennedy. Fin ka shkruar dhjetë drama të pasdites për BBC Radio 4 dhe ka përvojë mbi dhjetëvjeçare të mësimdhënies në të gjitha aspektet e dramaturgjisë për studentët e moshave të ndryshme në Britani të Madhe. 

 Seminari i Fin “Hyrje në shkrimin e radio dramës” do t’i shqyrtojë mënyrat krijuese për t’i treguar tregimet me zë, dhe do t’i prezantojë format e reja të radios, të tilla si podcast-et apo audio dramat e shkurtra. Dita e Dytë do të përmbajë senaca individuale për ta ndihmuar çdo shkrimtar që t’i formësojë idetë e tij/saj në një sinopsis.  

“Jam tejet i lumtur që po kthehem në Kosovë pas vizitës sime të parë në vitin 2016 kur erdha për të hulumtuar mbi radio dramën ‘On Kosovo Field’ të cilën po e shkruaja për BBC-në. Kam qenë shumë i frymëzuar nga vendi dhe njerëzit që takova që, pavarësisht sa shumë vështirësi kanë përjetuar, janë të mbushur me një vitalitet dhe optimizëm për të ardhmen e Kosovës. Në vend të marrjes së një tarife nga BBC, unë përdora fondet për të krijuar një buxhet për kompaninë time teatrore Tamasha që ta ndërmarrë një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërkombëtar me Kosovën, në mënyrë që të përpiqemi ta ringjallim radio-dramën si një formë lokale dhe si një mjet për t’i plasuar zërat e gjeneratës së ardhshme të dramatistëve të Kosovës që të kenë një platformë të vërtetë kombëtare.  

Puna që shkrimtarja dhe producentja Fjolla Hoxha ka bërë për të rekrutuar një ekip entuziazmues shkrimtarësh të cilët do ta ndërmarrin këtë sfidë është e mrekullueshme. Mezi pres që të punoj me ta drejt zhvillimit të ideve të tyre dhe mbledhjes së fondeve për një festival të ri drame në Kosovë. Keni parasysh, diçka po vjen! ” 

Idetë e rreth gjashtë shkrimtarëve do të përkrahen për zhvillim të mëtejshëm dhe të konsiderohen për prodhim në Londër dhe Kosovë midis vjeshtës 2019 dhe verës 2020.  

INTENT New Theatre është organizatë joqeveritare që ka për qëllim zhvillimin e skenës teatrale dhe bashkëpunimin mes artistëve të teatrit në Kosovë dhe në Britani të Madhe. Deri sot, INTENT ka inicuar një sërë punëtorishë teatrale për aktorë, dramaturgë dhe radio-dramaturgë dhe u ka ofruar mentorim dhe lexim skenik në Londër autorëve kosovarë dhe britanik të dramës si Arijeta Ajeti, Molika Maxhuni, John Retallack, Pericles Snowdon, Jeton Neziraj dhe Fjolla Hoxha./KultPlus.com

Të ngjajshme