“Babai dhe Babai”, drama që edhe pas 23 viteve na mundon edhe jashtë skenës teatrore

17 Maj, 2022 - 11:45 am

Flonja Haxhaj

Muzeu Etnologjik në Prishtinë, mbrëmë ishte kthyer në një mini-teatër e krejt kjo me qëllim që të jepej premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai”, një shfaqje që në thelb e kishte emocionin. Hapësira mes aktorëve dhe publikut ishte shumë e vogël, në këtë formë tek publiku do depërtonte shumë më lehtë secili veprim i aktorëve, shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Kushtrim Koliqi, erdhi për publikun nëpërmjet aktorëve Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, të cilët përcollën emocionin dhe dhimbjen në publik, duke sjellë një dramë me të cilën ballafaqohen çdo ditë familjarët e mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

‘Babai dhe Babai’ sjell jetën e Dinit, i cili jeton me gruan e tij, Sarën dhe vajzën e tyre, Lolën. Dini ka disa probleme shëndetësore, është i papunë, megjithatë, pas disa vitesh do të pensionohet dhe pret që pastaj gjërat do të jenë më të kollajshme. Gruaja, e tij, Sara, punon në një fabrikë të vogël për qepjen e uniformave të punës dhe me atë rrogë ajo mban familjen dhe mbështet studimet e Lolës. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vjen nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen.

Por, kjo familje në dukje normale, me probleme të jetës reale, sjell plagën e madhe të një gruaje dhe vajzës së saj, të cilat nuk duan ta besojnë se burri dhe babai i tyre është në mesin e të pagjeturve. Duke mos dashur ta pranojnë, ato jetojnë çdo ditë me të duke e bërë pjesë të çdo situate në jetën e tyre.

E kjo jetesë sjell me vete edhe plagën e hapur e të pashëruar të Sarës dhe Lolës, e bashkë me të edhe të shumë familjeve të tjera në Kosovë që nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

Tekstshkruesi i kësaj shfaqje, Jeton Neziraj tha për KultPlus se shkrimi i kësaj drame është bërë për disa muaj, përderisa ideja për realizimin e saj ka filluar para rreth një viti.

“Kemi dashur ta paraqesim një dramë e cila çështjen e personave të zhdukur e trajton nga një perspektivë tjetër, pra, jo si një dramë shoqërore, por si një dramë e dhimbje familjare”, tha Neziraj i cili shtoi se në këtë shfaqje nuk janë bazuar në aspektin politik, por në aspektin emocional të njerëzve, familjarëve të të zhdukurve në dramën individuale dhe dhimbjen njerëzore.

Ndërkaq, regjisori Kushtrim Koliqi u shpreh se kjo shfaqje gjenezën e ka para një viti, por provat kanë nisur në mars të këtij viti, me punë intensive të ekipit.

“Si regjisor, nuk mundem ta shoh shfaqjen vetëm si artist i cili trajton temat vetëm estetikisht, unë kam dëshirë gjithmonë përveç estetikisht, t’i trajtoj edhe përmbajtësish dhe të ndihmojë në angazhimin për një çështje që është e rëndësishme edhe për shoqërinë dhe për këtë arsye kemi krijuar edhe një ekip të cilët janë të ndjeshëm ndaj këtyre temave. Përveç që janë të talentuar dhe profesionistë, ata janë edhe të angazhuar me intelektin dhe me pozicionet e tyre në shoqëri për këtë temë që e kemi trajtuar”, tha Koliqi për KultPlus.

Ai shton se fokusi i kësaj shfaqje ka qenë emocioni dhe me gjetjet e tij regjisoriale ai është munduar të kontribuojë sa më shumë që përmes kastës së aktorëve të përzgjedhur, ta përcjellin në publik emocionin, tronditjen dhe dhimbjen që përçon vetë çështja e personave të pagjetur.

Koliqi po ashtu flet edhe për vendin në të cilin është vendosur të shfaqet kjo shfaqje. Sipas tij, vendosja e saj në Muzeun Etnologjik nuk është një rastësi, por një ndërlidhje me vetë temën që trajton.

“Ideja e vendosjes në një ambient më të ngushtë ka pasur të bëjë me idenë konceptuale që kjo të jetë një shfaqje minimaliste, intime, ku përveç gjetjeve estetike, të bukura, ta forcoj emocionin që aktorit t’i shihet qerpiku, loti, buzëqeshja, t’iu dëgjohet frymëmarrja e pasforcuar”, tha ai duke shtuar më tutje se janë munduar ta largojnë hapësirën mes publikut dhe aktorëve që zakonisht është në teatër.

Kjo shfaqje e gjeti aktoren Ilire Vinca në rolin e Sarës, gruas e cila nuk e pranon që burri i saj është në mesin e të zhdukurve. Ajo portretizon një grua punëtore e cila punon si rrobaqepëse për të mirëmbajtur familjen dhe për të siguruar shkollimin e Lolës.

Aktorja Vinca thotë se që nga momenti që i është ofruar ky tekst, për të ka qenë një prej befasive më të bukura, për shkak të potencialit që ky tekst ofron dhe për shkak të temës që trajton.

“Kjo është një dramë e cila çdo ditë na preokupon, por jo çdo ditë kemi arritur ta sjellim në një variant të tillë dhe unë si artiste, si aktore, sidomos në moshën dhe përvojën që kam është shumë e rëndësishme që zëri të cilin e posedoj ta shfrytëzoj për këtë brengë të shoqërisë, për këtë plagë që edhe pas 20 viteve na mundon dhe që ende këto drama janë edhe jashtë skenës teatrore”, tha ajo për KultPlus.

Ndonëse paraqitet si një personazh joekzistent, e të cilin e shohin vetëm gruaja dhe vajza e tij, personazhi i Dinit, që interpretohet nga aktori Bujar Ahmeti, është shumë i pranishëm në këtë shfaqje duke qenë përcaktues i çdo situate në jetën e tre personazheve.

Vetë aktori Ahmeti tha për KultPlus se ka dhënë më të mirën nga vetja për të sjellë këtë rol, pasi sipas tij, rolet e tilla janë shumë të ndjeshme dhe kërkojnë përgjegjësi e seriozitet të madh.

“Ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, një punë e jashtëzakonshme me përafërsisht dy muaj prova intensive me ekipin. Besoj që shfaqja duhet të ketë jehonë, për fatin e njerëzve të cilët ende nuk janë gjetur, besoj që kjo është e vërteta jonë dhe ne kemi të drejtë ta shpalosim sa herë që ne duam deri sa të zbulohet kjo e vërtetë”, deklaroi ai.

Ahmeti foli edhe për vështirësitë e realizimit të personazhit të Dinit, tiparet e një burri, ashtu siç e mban mend gruaja e tij Sara, siç e la për herën e fundit.

“Në tekst thuhet që është i ngurtë, nuk i shkon asgjë për dore, jam munduar që ato tipare t’i kem, dhe jam munduar mos t’a trajtoj si një njeri joekzistent, përderisa është në imagjinatën e saj unë besoj që jam në shtëpi dhe gjatë kohës së tranzicioneve, që ndryshon skena, ndërrimet që i bëj unë janë edhe dëshira e gruas, e cila mendon që burri i ndihmon në shtëpi”, tha më tutje Ahmeti.

Shfaqja mbrëmë arriti qëllimin e saj kryesor, emocionoi publikun dhe fitoi zemrën e tyre çka e dëshmuan me duartrokitje.

Kujtojmë që shfaqja ‘Babai dhe Babai’ do të vazhdojë të shfaqë reprizat edhe në datat 17, 18, 19 maj 2022 në Muzeun Etnologjik./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme