Balerini kosovar Kreshnik Musolli zhveshë petkat e balerinit, me shfaqjen “Andërr” vjen si koreograf

7 Shkurt, 2019 - 2:30 pm

Gili Hoxhaj

Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, skenë e cila përdoret edhe nga Baleti Kombëtar i Kosovës jo gjithmonë plotëson nevojat për prezantimin e performancave të balerinëve, pasi që të njëjtit, punën e tyre artistike e paraqesin edhe me kujdesin për balerinët e tjerë, që mos të pengojnë njëri tjetrin përgjatë shfaqjeve, si pasojë e hapësirës së ngushtë që ka skena e TKK-së.

Po shumë më keq është vendi në të cilën i bëjnë provat, vendi ku djersijnë deri te finalizimi i shfaqjes, të cilët, për më shumë se një muaj detyrohen të zbresin në bodrum, ku aty bëjnë provat drejt një glamuri, të cilët përballen me hapësirë, ndriçim dhe ajër të pamjaftueshëm. Krejt kjo sfidë është shumë e panjohur për audiencën, e cila dhuron duartrokitjet dhe lulet për mundin dhe shkëlqimin e balerinëve.

Pikërisht këtë prapaskenë, koreografi Kreshnik Musolli do ta zhvendosë në skenë. “Karantinë” është njëra nga pikët e shfaqjes “Andërr” dhe  flet për mundësitë minimale për të arritur synimet e mëdha. Koha është një element tjetër që Musolli e mishëron në tërë shfaqjen dhe mundohet të prek elemente psikologjike në jetën çdokujt.

Kreshnik Musolli tash e sa vite është pjesë e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse këtë vit për herë të parë sfidohet edhe me rolin e koreografit. “Andërr” mban titullin shfaqja e tij e parë që javën tjetër vjen premierë për publikun e Prishtinës.

Kur kthehet dhe shikon në fëmijërinë e tij, Musolli kujton se ka qenë më pasiv në familje dhe nuk është që kishte hetuar as ai e as familja kishin ndonjë dëshirë të madhe për muzikë e balet. Ndryshe kishte ndodhur me motrën e tij, Jeta Musolli e cila ishte vazhdimisht pjesë e shfaqjeve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Kështu ai kishte vendosur t’i ndiqte provat dhe shfaqjet e tyre, duke i përcjellë vazhdimisht edhe me fotografi. Nëna e saj duke e parë interesimin e tij, pas përfundimit të shkollës fillore e shtyn që të regjistrohet në shkollën e baletit. Më pas shumë shpejtë i ishte shtuar dëshira për këtë profesion dhe për një kohë të shkurtër kishte arritur të jetë edhe pjesë e shfaqjeve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Duke u thelluar më shumë në balet ka filluar të më pëlqejë edhe më shumë, dhe shumë herët jam angazhuar në shfaqje, dhe kam qenë në vitin e katërt ku kam hyrë tamam në punë. Çdo herë kam shkuar duke e kuptuar rëndësinë e këtij profesioni dhe duke e kuptuar se çfarë kënaqësie është kur ia jep atë energji publikut dhe ta kthen prapa. Baleti është një profesion shumë i veçantë që pak e kuptojnë në thelb”, shprehet Musolli për KultPlus.

Kreshnik Musolli i cili ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, thotë se puna e koreografit veçse po ia thellon këtë lidhje, duke qenë se ai gjatë studimeve veçse e kishte provuar rolin e regjisorit. Musolli pohon se këtë ndërlidhje e ka bërë për arsye se nuk ka shumë jetëgjatësi në balet, por kjo është një mënyrë për të mbetur i lidhur me skenën. Këtë moshë, ai thotë se do t’ia dedikojë veç baletit.

“Ju kam thënë edhe balerinëve edhe nëse ne e lajmë baletin, nuk kemi me e lëshu shfaqjen, sepse do t’i bëjmë shfaqjet e mija”, thotë Musolli.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimaj është ai që e kishte nxitur drejt koreografisë, duke e pyetur për guximin për t’i hyrë kësaj rruge. Musolli i cili vazhdimisht mbledhë shënime për gjithçka që e rrethon, thotë se ky muhabet veçse e kishte gjetur me mjaft brumë për tu futur në shfaqje

“Në atë pikë kur veç më ka pyetur drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës  se nëse jam i gatshëm ti hyjë punës së koreografit,  unë veç kisha shumë gjëra të shkruara”, ka thënë Musolli për KultPlus, i cili poashtu ka thënë se për ti hyrë punës së koreografit ka qenë i përgatitur edhe për kohën e saktë se kur mund të nisë me shfaqjen. “Pas kthimit nga Festivali në Bullgari e kam mbledhur atë material që e kam pasur dhe kam filluar t’i japë formë”, tregon Musolli, i cili tash e një muaj po punon në këtë shfaqje dhe dëshmon se e gjithë puna ka rrjedhur shumë natyrshëm, bashkë me gjithë balerinët. \

Ai thotë se në shfaqje ka një ngjarje e cila shtjellon brenda vetës edhe shumë tema që lidhen me përditshmërinë dhe që tejkalon edhe kufijtë e Kosovës. Ai thotë se kjo shfaqje mund ta prek një njeri në gjitha anët e botës. Tutje Musolli për KultPlus zbërtheu edhe kuptimin e shfaqjes që flet për lakmitë e një grupi të rinjve që shfaqen brenda ambientit ku jetojnë, një grup i madh i tyre e të cilëve nuk iu mungon harmonia, në mes të shfaqjes ata përballen me një kategori tjetër dhe aty gjithçka ndryshon. Për gjithë këtë,  Musolli thotë se interaktivitetin më të madh tek publiku, mundohet ta arrijë përmes kohës, si dëshmi që ajo nuk e kursen askënd dhe asgjë që parakalon para dyerve të jetës tënde. Sipas tij,  shfaqja tregon se si nga momenti në moment mund të fitosh apo të humbasësh gjithçka dhe çdokënd.

“Njerëzit shpesh kanë lami të mëdha për gjëra që nuk iu nevojiten hiç, andërr që e sheh një njeri që i ka të gjitha gjërat materiale, dhe ti synon të bëhesh si ai. Në shfaqje paraqitet  një njeri që  shihet si një njeri ideal dhe rreth vetes i ka edhe dy njerëz si ta ngjashëm që më shumë rrinë si hije”, shpjegon tutje Musolli, që thotë se ka futur shumë aspekte psikologjike që në mes shfaqjes paraqiten figurativisht.

Njëri nga  personazhet synon të dalë  përtej botës ku jeton e t’i përmbushë lakmitë e tij. Gjatë këtyre përpjekjeve, ai duket se humbet gjatë rrugës.

“Ndonjëherë duke synuar më shumë e sheh që e ke lumturinë shumë afër por nuk je duke e vërejtur. Pra personazhi kryesor  derisa jeton në mahallën e tij e ka këtë lumturi dhe kur është me të dashurën shpesh duket sikur koha ndalet”, thekson ai.

Kreshnik Musolli për të prekur jetën e tyre thotë se balerinët do të shfaqen me veshje ndryshe nga herët e tjera e më muzikë krejt tjetër, për ta paraqitur gjithçka sa më reale. Balerinët do të sjellin interaktivitet me një muzikë tjetër, që është ajo “hip-hop”.

Premiera e shfaqjes “Andërr” vjen javën tjetër më 14 shkurt (e enjte) dhe është premiera e parë e baletit për këtë vit. Shfaqja fillon në ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme