Bekim Lumi shpërblehet me çmimin vjetor në Ditën Botërore të Teatrit

27 Mars, 2019 - 1:06 pm

Alberina Haxhijaj

Ministria e Kulturës ka ndarë sot me rastin e Ditës Botërore të Teatrit çmimet në fushën e teatrit. KultPlus përmes këtij artikulli ju sjellë arsyetimet për fituesit e pesë çmimeve të rëndësishme në këtë fushë që u ndanë sot në kabinetin e Ministrit të Kulturës Kujtim Gashi, shkruan KultPlus.

Ministri Gashi në dorëzimin e këtyre çmimeve u shpreh se këto çmime janë shenjë falënderimi dhe vlerësimi për punën që kanë bërë ndër vite të shpërblyerit në fushën e teatrit.

“Vazhdimisht jemi duke i ndarë të gjitha çmimet për të gjitha kategoritë, në të gjitha fushat që janë pjesë e kulturës por edhe trashëgimisë si dhe në fusha të tjera sepse mendojmë se përmes këtyre çmimeve dhe përmes këtyre vlerësimeve dhe falënderimeve, ne edhe me tutje e inkurajojmë punën dhe angazhimin e juaj në mbajtjen e kulturës gjallë”, u shpreh ai.

Çmimin vjetor për prezantimin me të suksesshëm ndërkombëtar e fitoi shtëpia teatrore filmime “Akt”. Juria e cila për këtë çmimi mori vetëm një nominim, e ndau këtë çmim me arsyetimin se kjo shtëpi teatrore gjatë vitit 2018 realizoi tetë prezantime ndërkombëtare në teatro prestigjioze.

Çmimi vjetor për aktorin me të mirë iu nda aktorit Mentor Zymberaj, për rolin e tij “Hamleti” në shfaqjen “Ëndrrat e Hamletit” me arsyetimin se gjatë vitin 2018 ky aktor me rolin e tij është treguar i suksesshëm dhe autentik me artin e tij si në skenat vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare.

Çmimi vjetor për regjinë me të mirë që ndahet për regjinë kreative, inovative dhe origjinale i është ndarë regjisorit të ndjerë Bekim Lumit për shfaqjen e tij “Arturo Ui” në Teatrin kombëtar të Kosovës.

Ky çmim u nda me arsyetimin se suksesi i kësaj shfaqje është arritur në saj të regjisë së nivelit të lartë ku regjisori Lumi ka dëshmuar profesionalizëm dhe inovacion dhe e ka sjell këtë shfaqje në mënyrë mjeshtërore. Regjisura e tij si akt i skenimit definon tekstin në aspektin social, intelektual dhe emocional dhe eksperimenton suksesshëm me forma të reja teatrore. Këtë çmim në vend të regjisorit të ndjerë e pranoi nënë e regjisorit.

Kjo shfaqje e cila është puna e fundit e regjisorit të ndjerë, Bekim Lumi, u vlerësua edhe si shfaqja me e mirë me arsyetimin se kjo shfaqje është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon me realitetin nëpër të cilin Kosova kalon. Shfaqja ka fines, thellësi, guxim dhe atë të nivelit të lartë. Kjo shfaqje sipas arsyetimit është emblemë e teatrit modern kosovar. Këtë çmim në vend të regjisorit të ndjerë e pranoi Fisnik Ademi kryetari i Këshillit Drejtues në teatrin kombëtar të Kosovës bashkë me nënën e Bekim Lumit.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore që ju ndahet personaliteteve të shquara në fushën e teatrit për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e në veçanti për avancimin e teatrit ju nda aktorit Sabedin Shahiqit.

Ky çmim u nda me arsyetimin se ka kontribuar në zhvillimin e teatrit në Kosovë. Që nga viti 1971 e deri më sot ai luajti mbi 90 role në teatër, film e televizion ku shumica prej tyre ishin role bartëse. Ka luajtur në disa filma dhe ka bërë gjashtë regji teatrale. Me punën e tij të suksesshme ka marrë shumë shpërblime, diploma dhe mirënjohje në festivale të shumta prej nivelit komunal e deri të ai federativ në ish-Jogosllavi. Shahiqi dallohet edhe për punën e tij dhe kontributin në teatrin e Gjilanit për të cilën punë është shpërblyer shumë herë.

Aktori Sabedin Shahiqit gjatë pranimit të çmimit tha se ndjehet i privilegjuar dhe falënderues për këtë çmim të ndarë. / KultPlus.com

Të ngjajshme