‘Coriolanus’ e Shekspirit shfaqet në Teatrin Kombëtar

21 Dhjetor, 2021 - 11:18 pm

Kritiku i njohur i artit, Josif Papagjoni, e vlerësoi si sukses vënien në skenë të shfaqjes “Coriolanus” me regji nga Altin Basha nga Teatri Kombëtar.

Ky produksion madhështor me 80 aktorë u shfaq premierë në tre netë në ArTurbina.

Papagjoni thekson se “nuk është e lehtë të vesh Shekspirin dhe vepra të dimensionit të madh”.

“Tragjedia e Shekspirit “Koriolani” (Coriolanus) e pata lexuar diku nga viti 1970 kur isha student në Institutin e Lartë të Arteve; qe një kopje e daktilografuar në bibliotekë, nuk e di kush e kishte përkthyer. Më kishte mbetur në mendje qysh atëhere madhështia e këtij gjenerali romak, sanguiniteti i tij, krenaria dhe guximi. Dhe kaq. Një hero i përmasës gati mitike si një Skipion Afrikani. Ja ku vepra vjen tani e përkthyer nga Alqi Kristo; edhe një tragjedi më shumë nga Shekspiri për lexuesin dhe spektatorin shqiptar. Por ajo nuk do të mundësohej dot pa regjisorin Altin Basha, që e mori përsipër ta vinte në skenë. Është diçka e madhe, tablore, thuajse shtypëse, kur e mendon ta inskenosh. Një stërpeshë, me veprim e hapësirë thuajse në përmasa filmike, me beteja, shkundullime turmash me ushtarë e qytetarë, me masa të mëdha figurantësh, përleshje me shtiza e shpata, turma klithëse, hordhi”, nënvizon Papagjoni.

Ndofta, vijon Papagjoni,  është nga tragjeditë më të vështira të Shekspirit për t’u inskenuar, paçka se në përgjithësi tragjeditë e tij të tillat janë: masive, me shumë personazhe, që shkojnë në disa dhjetëra, pasuar nga masa njerëzore qytetëse, patricë, ushtarë etj.

“Por “Coriolanus” në Teatrin Kombëtar është, mbase, inskenimi më i vështirë nga pikëpamja e menazhimit të masës së mbi 40 figurantëve dhe shndërrimit të saj në një “personazh”, në një “veprim energjik” të njësuar, që ndezullon konfliktin dhe i jep peshë e domethënie marrëdhënies së tensionuar hero-turmë”, thekson Papagjoni.

“Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shekspiri ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi. “Ai na ngjall para syve Romën aq antike, komplekse dhe moderne në të njëjtën kohë. Vepra ndodh në fillimet e Republikës së Romës. Destabiliteti i vazhdueshëm politik, shpërthimet e papritura të dhunës, rrënimi i pushtetit popullor, manipulimi i turmave, kurthet politike në parlament, ekstremizmi demokratik, pushteti autokratik dhe përdorimi i tij, janë dekori në të cilin ndodh tragjedia e Kaj Marcit (Coriolanus). Fisnikëria e këtij heroi betejash mposhtet nga mungesa e aftësisë për të kuptuar makinacionet e politikës.

“Coriolanus” një kryevepër e Shekspirit u shfaq më 17, 18 dhe 19 dhjetor në “ArTurbina” . Vepra do të jetë në skenë dhe në datat 23, 24, 25 dhe 26 dhjetor./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme