Çuli: Godina e Teatrit Kombëtar ka humbur çdo gjë nga identiteti i vet

15 Maj, 2020 - 6:30 pm

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, deklaroi sot se “godina e Teatrit Kombëtar ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj”.

Në një intervistë televizive Çuli u shpreh se “çështja e teatrit nuk është një diskutim që bëhet prej dy vitesh, por prej 6 vitesh”. “Që në momentin e parë që kam qenë drejtori i Teatrit kam bërë publik shqetësimin tim që Teatri është jashtë kushteve funksionale si për aktorët, edhe për spektatorët”, tha ai.

“Më vjen keq për çdo copëz jete që kam kaluar në institucionin e teatrit ku kam punuar prej 24 vitesh nuk po arrij ta kuptoj se çfarë do të thotë ky debat për një godinë që e ka mbaruar misionin e saj dhe nga brenda është shndërruar në një godinë të arnuar, sepse ka pasur ndërhyrje këto 30 vite edhe më parë në teatër që jo vetëm nuk kanë përmirësuar cilësinë, por e kanë shkatërruar atë”, – nënvizoi Çuli.

Drejtori Çuli u shpreh se “këtu nuk iu drejtohem turmave patologjike se është e turpshme”.

“Ka njerëz që s’kanë asnjë lidhje me Teatrin Kombëtar, përveç Neritan Liçajt që është aktori i teatrit. Individët e tjerë nuk kanë ardhur ndonjëherë si spektatorë në teatër dhe për axhendat e tyre politike ulërasin me të madhe për diçka që nuk ia kanë idenë. Kjo është një godinë që ka humbur edhe nëse do kishte minimumin e vlerave historike brenda institucionit, por ajo ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj“, – u shpreh Çuli.

I pyetur nëse mund të bëhet një restaurim i godinës ai tha se është e pamundur. “Teatri nga brenda është arnuar aq keq, saqë është e pamundur që ta kthesh me rikonstruksion në identitetit. Teatri Kombëtar nga brenda nuk e ka më funksionin e një gjëje që duhet konservuar”, u shpreh Çuli.

“Ky teatër ka edhe një arsye tjetër për të mos u rikonstruktuar, është i vetmi teatër në botë që në parametrat e tij bashkëkohorë, nuk mund t’i qëndrojë dot mizaskenave artistike të kohës. Është i vetmi Teatër Kombëtar në botë që ka xhepa skenikë nga gjysmë metri, ku aktorët përplasin kokën me njëri-tjetrin”, – tha ndër të tjera drejtori i Teatrit Kombëtar.

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse shumica e aktorëve nuk e kuptojnë si ai pjesën se teatri ka dalë jashtë funksionit, përse nuk mendojnë dhe ata si ju, por dalin dhe bëjnë rezistencë për këtë situatë, Çuli theksoi se “ju siguroj se 90% e komunitetit artistik e ka kuptuar më në fund se kjo është një histori, që ka hyrë në një axhendë politike dhe nuk ka lidhje me një inspirim idealist”. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme