займ на карту онлайн потребительский кредит

“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, një temë tabu

Korrik 10, 2019 - 11:00 am

Ridvan Dibra është një shkrimtar i njohur me disa romane, sikundër një njeri i dijes, një stilist i fjalës së krehur, e cila fiton vlerë nga hiri i saj estetik i shprehjes.

Monodramën e tij “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” e ndoqa me interes në interpretimin e vrullshëm, pasional e me thyerje interpretative të Ariola Demirit, me regjinë e Ben Apollonit.

Në qasjen e vet letrare, teksti më la shijen e ëmbël të një prozodie prej shkrimtari, që di të “përkëdhelë” fjalën, por edhe ta fshikullojë atë kur i lipset; që ecejaket sa nga dufet e dëshpërimit dhe mëritë e mbledhura lëmsh ndaj normave të ngrira morale, aq dhe te njerëzit e kredhur në paragjykime dhe mediokritetin e kohës që të kalb, robër të një antropologjie zakonore “as mish, as peshk”, që mëkon, do-s’do, zvetënimin, boshin limontin të një shoqërie në kaos e mungesë referencash të dëlira.

Po aq te ky tekst, unë shqova ironinë ndaj raportit të keqkuptuar mashkull-femër, befasitë e qëndrimeve ndaj opinionit të “koduar”, që funksionon si ideologji perverse, ndaj tjetërsimeve të sforcuara të njeriut që imponohen prej “normës” kinse moderne, të një shoqëria kinse “pa paragjykime seksuale” e tërë “kinseve” të tjera, dhe gjer te disa të fshehta, me zor të mbajtura brenda vetes, siç është në këtë tekst virgjiniteti, kuptimi e qëndrimi ndaj tij.

Andaj, dhe “dashuritë” e Madalenës s’janë veçse rrena, kinse dashuri… Monodrama pasohet nga një mbyllje paradoksale, që e beson dhe s’e beson, që mund ta marrësh thjesht si një kontekst ideor a konotacion të largët ose mund ta pranosh si “thagmë” e një sjelljeje njerëzore në dukje “sfiduese”, madje e “pacipë”, por thellë-thellë tejet e brishtë, delikate dhe e thyeshme si qelq, siç është në fakt vetë jeta e heroinës Madalenë.

Pak më shkurt e më haptazi: Monodrama rreket, që përmes një mundimi, e gati psikoze të një femre, në shtrirjen kohore prej gati 20 vjetësh, qysh se ishte adoleshente e gjer sa u martua, të sillte marrëdhënien komplekse, shpesh kundërthënëse midis mashkullit dhe femrës. Në dukje, kjo shfaqet në një rrafsh mirëfilli erotik seksual, por në të vërtetë është më e hapur, sepse cek brendinë etike e morale të kësaj marrëdhënieje dhe për më tej brendinë sociale, tanimë e kuptuar si realitet antropologjik, si normë, si kod dhe si atribut qytetërues i një shoqërie që kërkon jo vetëm mirëkuptim, por edhe ndarje nga klishe e tabu mundonjëse të një kohe që ende interferon ndër ne.

Autori e ka hapur historinë e Madalenës, duke e shtrirë në tri etapa, me tri versione a qëndrime kundruall problemit që hedh për diskutim. E para është mosha e adoleshencës, sprova seksuale, kur ajo, Madalena, duhet të “zhvirgjërohej” që të radhitej me shoqet, pra, me “normën” e pranuar, me “modën” sunduese, duke u bërë vajzë e kohës, jo një budallaqe, e prapambetur, idiote etj. Dhe ajo pranon ta kryejë këtë akt zhvirgjërimi në një banjë të pistë të shkollës, me një mashkull “dosido”, veç të futej në “kopenë” sociale, të bëhej, pra, e pranueshme, ironikisht: “të virgjërohej” me normën e vendosur morale. Të kungohej si “normale”.

Kjo, mbase, është edhe pjesa më e bukur e tekstit të R. Dibrës, ani pse një grimë here mendova se problemi qe tanimë i tejkaluar edhe në shoqërinë shqiptare: pra, të qenit e virgjër me çdo kusht, teksa, përkundrazi, çdo femër ka nevojë për përvojat e veta erotike paramartesore (nëse ajo/ai mendon kështu!). Etapa e dytë, ishte mosha e “gruas” me përvojë, që bukurinë e saj përballë meshkujve mëtues e shfrytëzonte si shans dhe fitim për vete, për karrierën, paratë, komoditetin, qejfin, autoritetin. Dhe këta meshkuj qenë shefa me rëndësi, me poste shtetërore apo me para të majme, që i krijonin Madalenës shansin e ecjes përpara. Edhe këtu mendova se autori ishte në shinat e së vërtetës, ashtu siç shpesh të tilla gjasa janë jo vetëm të pranishme, por diku-diku edhe sunduese ndër femra të ndryshme që trupin dhe seksualitetin e tyre e vënë në shërbim të egos, karrierës, famës, mirëqenies, luksit etj.

Mirëpo, befasisht u zhgënjeva nga një fjalë e Madalenës, teksa na pohon se askush nga meshkujt që i kishte shfrytëzuar për karrierën dhe mirëqenien e saj, nuk kishte fjetur me të, veçse sa e kishin “puthur” diku, rrëshqitazi, përherë nën neverinë e saj. Ah! Këtu niste artifici… Ose, ndoshta, ishte një paradoks, mendova. Dhe paradoksi erdhi në pjesën e tretë. Madalena u martua te të 40-at me një burrë të pasur, thjesht për interes dhe luks. Dhe (e habitshme!), natën e parë të martesës ajo vuri re se qenkësh e virgjër, se askush nuk kishte hyrë në “tempullin” e saj, as aty në banjën e pistë të gjimnazit.

E gjitha s’paskësh qenë veçse një iluzion, një “vetëbesim” a “vetëmashtrim” i saj, rrjedhimisht diçka edhe e bukur, edhe e shëmtuar. Njolla e gjakut mbi çarçaf, që regjisori e sjell thuajse si një shaka të hidhur për fatin e Madalenës, duket sikur përligj tërë atë gravitet moral e psikologjik sfilitës, që rëndonte mbi mendjen dhe përjetimin e saj “antimaskilist” ndër vite. Mbyllja kësisoj e historisë së Madalenës, në fakt është e tëra një paradoks.

Sigurisht, e qëllimtë nga autori, e mbuluar me kujdes, për ta përplasur pikërisht në finale. Nëse shkojmë me idenë që R. Dibra duket se na kumton me këtë mbyllje, del qartazi kundërshtimi dhe kritika kundër çdo paragjykimi ndaj sjelljes së njeriut, në rastin tonë ndaj femrës, në marrëdhënien e saj erotike me mashkullin: A duhet apo nuk duhet “zhvirgjëruar” ajo (para martesës)? Ca më shumë: A i duhet imponuar njeriut një normë zakonore, qoftë “tradicionale”, qoftë “moderne”, apo ai vetë duhet të vendosë për fatin dhe sjelljen e tij të natyrshme?

A është ky vendim pjesë e lirisë së tij?! Ideja e cituar është koherente në vetvete dhe në përputhje me domosdonë e lirisë së njeriut për të zgjedhur vetë këtu apo aty, pra dhe në marrëdhënien e tij erotike me këtë, atë, apo atë tjetrin. Por mendoj se “gjetja” e autorit me paradoksin e përdorur në fund të veprës është më shumë një artific letrar sesa rrjedhojë e logjikës së Madalenës, sidomos e mënyrës se si ajo sillet, e historisë që na rrëfen. Ne mund ta marrim si të vërtetë nëse do ta pranonim heroinën si një vajzë tejet naive, thuajse “budallaqe”, që nuk di ç’bëhet me trupin e saj, çka është e pabesueshme nga sa dhe nga si ajo na paraqitet.

Mendoj se ky “paradoks” mund të ishte gjetur disi më ndryshe, jo në këtë formë e zgjidhje, çka e profanizon tekstin. Nëse ky tekst, në atë çka thotë, është i begatë me ide e përjetime të një femre të sotme, kjo na u bë edhe më e qartë falë konceptimit regjisorial të Ben Apollonit dhe posaçërisht nëpërmjet interpretimit plot thyerje e ngjyrime të aktores me hijeshi skenike, Ariola Demiri. Nuk e kisha parë më herët këtë aktore, ish-studentja ime, në role të tjera. Por më erdhi shumë mirë për të. Me një shtat e pamje plot sharm, një natyrë në dukje e shpenguar, moskokëçarëse dhe sfiduese, teksa mori çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar “MonoAkt” në Pejë, ajo e “tradhtoi” veten dhe qau pa teklif para spektatorëve, e emocionuar. Dhe të njëmijtën herë unë kuptova brishtësinë e botës së aktorit, nën qerthuj të përhershëm emocioni, si një ujanë mbushur me avuj pikëllues.

Rolin e Madalenës, Ariola e solli në disa plane dhe kjo qe fuqia e saj. Ajo tallej me të tjerët, pretendimet e tyre, normën morale të keqkuptuar, shpotiste meshkujt që e shikonin femrën veçse si objekt kënaqësie dhe argëtimi. Por tallej edhe me vetveten, sikurse u turrej gjithë mllef hipokrizisë dhe tjetërsimeve, njerëzve shtinjakë, pisllëkut moral që ishte kthyer në “bukuri” dhe “estetikë”.

Dhe krahas mllefit, mërisë, inatit ndaj hipokritëve dhe hipokrizisë, krahas ironisë e shpotisë, talljes dhe sfidës, ja ku zemra diku e lëshonte dhe binte në vranësirën e shpirtit të lënduar prej femre. Pikërisht këtu unë do doja ta shihja edhe më mirë aktoren, sepse gjithë mundësitë janë. Krahas fuqisë, temperamentit dhe zërit imponues që ajo ka, krahas shpengimit fizik, vetëzotërimit, sharmit dhe thyerjeve emocionale e ritmike të veprimit skenik, besoj se edhe loja e saj do të fitonte më shumë ngjyrë, falë kjo pranisë së një velature emocionale të butë, prej femre përdëllyese e të fyer nga norma.

Në raste të tilla, vetë personazhi begatohet, tisi i lotit të fshehur të kësaj femre të tjetërsuar me emrin metaforik Madalena, tok me një vel trishtimi e pikëllimi, jo vetëm do ta përmirësonin kurbën e saj interpretative, do ta bënin më të luhatshëm ritmin psikik si dhe atë fjalësor, por do t’i shtonin vlera personazhit. Pra, e gjithë jeta e Madalenës qenka ndryshe, jo siç paraqitet e “shtiret”, por shumë më poetike, shumë më e thellë, shumë më femërore. Vetë huajtja e emrit të saj nga kalendari biblik nuk ka qenë pa qëllim nga autori (Maria Magdalena, e konsideruar si kurvë nga hebrenjtë dhe e shpëtuar nga goditjet me gurët e vdekjes prej Jezu Krishtit).

Në fund të fundit, kurvëria nuk është më fort e trupit sesa e shpirtit. Dhe kjo është paradigma morale e Krishtit, andaj ai e shpëtoi Magdalenën si “mëkatare të trupit”, duke e kthyer në “virgjëreshën e shpirtit”. Autori sjell një tjetër lloj Madalene. Gjithsesi vuajtja është e njënjëshme: të përballosh poshtërimin, t’i kundërvihesh atij duke ruajtur të pastërtën dhe të dëlirën thellë vetes. Besoj se një nënvizim i tillë nga ana e aktores veçse do ta pasuronte më tej rolin e saj. /KultPlus.com

Të ngjajshme