“Destur – Blasfemi e ëmbël” e regjisores Zana Hoxha- Krasniqi, sonte premierë në TKK

17 Dhjetor, 2018 - 9:46 am

Shfaqja “Destur – Blasfemi e ëmbël” që vjen si kombinim i dy veprave: “Destur” të Musa Ramadanit dhe “Blasfemi e ëmbël” e autores turke Elif Shafak do të shfaqet sonte (e hënë) premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ky kombinim mes të dyja veprave është bërë nga regjisorja Zana Hoxha –Krasniqi. Me këtë produksion teatror, TKK-ja për herë të parë do ta shfaqë në skenë historinë e poetit të famshëm mistik, Rumit. Në rolin e tij do të prezantohet aktori i njohur kosovar Çun Lajçi. Shfaqja i dedikohet aktorit të teatrit, të ndjerit Istref Begolli.

Historia e Rumit shpaloset në librin bestseller të Shafakut “40 rregullat e dashurisë”, të shkruar në vitin 2009. Aty ngjarja zë vend në shekullin XIII dhe njëkohësisht paraqitet storia e Ellas, e cila lexon libra dhe i përgatit ato për një shtëpi botuese. Ajo merr përsipër që ta analizojë pikërisht librin “Blasfemi e ëmbël” në të cilën vjen rrëfimi i transformimit në anën spirituale të Rumit dhe një sufisti të quajtur Shems i Tabrizit, i cili i ndihmon atij ta shohë botën përreth nëpërmjet një prizmi tjetër. Në shfaqjen e TKK-së rolin e Shems e sjell aktori Shkelzen Veseli.

Hoxha- Krasniqi me këtë shfaqje rikthen në skenën e teatrit pas gjashtë vjetësh aktoren Anisa Ismajli. Ajo ka thënë se ky projekt është zhvilluar me entuziazëm dhe shumë punë.

Aktori Basri Lushtaku ka thënë se njëjtë sikur mesazhi i shfaqjes që ka të bëjë me paqen dhe dashurinë, edhe procesi i punës është përcjellë në të njëjtën frymë.

Përveç Lajçit, Veselit, Ismajlit dhe Lushtakut, në shfaqje luajnë edhe Armend Smajli, Edlir Gashi, May-linda Kosumoviç, Semira Latifi, Kushtrim Qerimi, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi, Mikel Markaj, Selman Jusufi, Florent Salihu, Blend Sadiku, Leonit Maloku. Shfaqja sjell edhe vallëzimin e dervishëve fluturues në skenë, nën koreografi të Robert Nuhës. Muzika për shfaqje është bërë nga kompozitori Memli Kelmendi, ndërsa skenografia dhe kostumet nga Youliana Vojkova-Najman. /KultPlus.com

Zana Hoxha – Krasniqi

Të ngjajshme