Diskutohet për gjendjen e teatrove, alarm për gjendjen e teatrove lokale

30 Tetor, 2020 - 3:31 pm

Medina Pasoma

Gjendja e teatrove qendrore e lokale në mbarë Kosovën dhe e atyre të skenës së pavarur u diskutua në edicionin e 3-të të Kosovo Theatre Showcase të Qendrës Multimedia, nga zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefaj, drejtori i teatrit të qytetit të Gjilanit Erson Zymberi dhe drejtori i teatrit Oda, Florent Mehmeti, shkruan KultPlus.

Përderisa diskutimi u moderua nga Shaban Maxharraj,  në Teatrin Oda e pranishme nuk ishte ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, pjesëmarrje që ishte paralajmëruar, dhe në vend të Dumoshit, fjalën e mori zëvendësministri Engelbert Zefaj për të shpalosur politikat e tyre si Ministri për jetën kulturore, specifikisht gjendjes së teatrit.

Zefaj, përgjatë fjalimit të tij theksoi se Teatri Kombëtar i Kosovës është mbështetur nga një shumë prej 370.000 eurove dhe teatrot e qyteteve në bashkëpunim me Komunat kanë mbushur vijat buxhetore të cilat do të mjaftonin për to për stafin artistik dhe menaxherial. Mirëpo, pandemia ka bërë që të dy këto grupe të mos i marrin paratë në tërësi.

“Ministria është e përkushtuar që ta mbështet Teatrin Kombëtar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi, poashtu është e përkushtuar që t’i mbështes teatrot profesioniste në përputhje me ligjin, që do të thotë të ndahet buxhet i mjaftueshëm që ato të kenë jetë normale artistike”, është shprehur Zefaj.

Tutje ai ka shtuar se brenda Kosovës ka qytete të cilat ende nuk kanë teatro profesioniste, sikurse është Vushtrria, Suhareka, Istogu…, për shkak të moskompletimit të numrit të duhur të stafit. Ai tha se janë në bashkëpunim me këto komuna në rrugëtim të themelimit të teatrove.

Një temë tejet e përfolur për disa muaj rresht ka qenë edhe shuma prej 5 milionë eurove, të cilat janë në kuadër të pakos emergjente për ndihmë ndaj komunitetit artistiko-kulturor. Përderisa gjatë ditës së sotme janë votuar kriteret dhe standardet për mënyrën e shpërndarjes së kësaj shume, Zefaj tregoi se ky është një proces me dy faza. Në fazën e parë do të shpërndahen 2.5 milion euro, ndërkaq faza e dytë e shumës do të nis nga dhjetori e janari.

“Nga java e ardhshme mund të themi se do të filloj shpërndarja e këtyre mjeteve te komuniteti sportiv, artistik e kulturor. Këto mjete janë planifikuar të ndahen në 3 masa, masa e parë ka të bëj me punësimin e të rinjve në sektorin publik e privat, masa e dytë ka të bëj me sportin që do t’i shkoj klubeve sportive në bashkëpunim me federatat, kurse masa e tretë prej 2 milionë eurosh do të shkoj në kulturë, ku do të përkrahen shoqatat dhe organizatat kulturore dhe krijuesit individualë”, vazhdoi tutje Engelbert Zefaj.

Zefaj njoftoj se 170 mijë euro janë ndarë për 42 projekte teatrore, ku 122 mijë euro kanë shkuar në 23 organizata teatrore, kurse 43 mijë euro kanë shkuar për individ që merren me teatër nëpërmjet konkurseve.

Në anën tjetër diskutimi vazhdoi edhe me drejtorin e Teatrit Oda, Florent Mehmeti, i cili që në fillim kritikoi politikat institucionale për mos krijimin e hapësirave të pavarura teatrore.

“Teatri Oda është e vetmja hapësirë e pavarur teatrore në krejt territorin e Kosovës . Kjo tregon se sa e vështirë dhe sa politika jostimuluese kanë ekzistuar në Kosovë qe një 20 vite, për të mos e zhvilluar këtë veprimtari”, tha Mehmeti.

Në anën tjetër ai kundërshtoi idenë e përpilimit të ligjeve për kulturën, sepse sipas tij ligjet krijohen për të ndaluar, ndërkaq kultura është fushë e krijimit të lirë. Mehmeti theksoi se ato duhet të përpilohen vetëm në rastet e kundërshtimit të diskriminimit, fyerjes apo çdo gjëje negative.

“Mendoj që ligjet nuk i ndihmojnë kulturës, pikërisht kemi ardhur në ditën kur pa e ndërruar fare ligjin janë financuar dhe krijuar ansamble rezidente në teatrot e qyteteve, vetëm pse ligji e ka lënë këtë të hapur dhe gjithmonë çështja është te vullneti politik ”, shtoi Memeti.

Përqendrimin e parasë publike në masë të madhe te teatrot publike, ai e quan si pasojë e politikave jostimuluese, të cilat krijojnë menaxhmente joefikase.

Sa i përket gjendjes së institucioneve të ndikuara nga pandemia, ai theksoi se përderisa ishte vullnet i qeverisë t’i mbyll ato, po të njëjtin vullnet duhet ta kenë që t’i dëmshpërblej.

“Fjala emergjencë është shumë qesharake” theksoi drejtori i Teatrit Oda, teksa kishte fjalën për paratë e fondit emergjent për ndihmë ndaj komunitetit kulturor.

Në anën tjetër ai e komentoi edhe “garën e teatrove profesioniste dhe atyre jo profesioniste”, që nënkuptonte mos themelimin e tyre në disa qytete të Kosovës. Kështu, ai u shpreh se ky tentim i centralizimit të institucioneve bën diskriminim për jetën kulturore të vendit, nëpërmjet neglizhimit të teatrove jashtë kryeqytetit.

“Politikat kulturore duhet t’iu përgjigjen gjendjes në terren, mundet me qenë një teatër në një fshat i cili arrin të njihet botërisht nga Kosova. Nuk do të duhej ndarja administrative të na tregonin se kush mund të krijoj teatro dhe në çfarë mënyre”, tha Florenti.

Pika që u pajtua edhe drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi me parafolësin e tij ishte në centralizimin buxhetor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe harresës ndaj institucioneve teatrore lokale. Zymberi beson se shuma më e madhe buxhetore iu dhurohet Teatrit Kombëtar, duke i bërë të tjerat të jenë në telashe financiare.

“Po bëj thirrje që ky buxhet të rishikohet, sepse nuk është e drejtë që ti kemi 6000 mijë euro për prodhim të 4 -5 shfaqjeve vjetore, i cili është i pamjaftueshëm”, tha drejtori i Teatrit të Gjilanit.

Ai theksoj se Teatri i Gjilanit ka totalisht 67 mijë euro për shfaqje, shërbime dhe mallra dhe si subvencione. Kështu, ai kërkoi që teatrot e qyteteve të kenë një hapësirë më të madhe të zhvillimit, pa i diskriminuar teatrot e pavarura. Për këtë ai shtoi se duhet të bëhet ripërpilimi i ligjit për teatrot nga një ekip profesional.

“Unë si drejtor i këtij institucioni kam filluar t’i shoh sfidat se si burokracia apo ballafaqimi me politikën, udhëheqësin komunale dhe ligjet e krijuara, që shpesh janë të mbyllura, nuk e lejojnë zhvillimin normal të një teatri të qytetit’’, u shpreh Erson Zymberi.

Këtyre kritikave për teatrot komunale, zëvendësministri Zefaj iu përgjigj duke thënë se disa nga komunat kanë vendosur që teatrot e tyre profesionale të jenë pronë dhe nën menaxhimin e Komunës dhe kësisoj Ministria vetëm i ndihmon.

Ai shtoj tutje për çështjen e mos themelimit të teatrove profesioniste nëpër qytete të ndryshme të Kosovës se njëherë duhet të ekzistojnë disa matje se si janë kushtet, e pastaj të vendoset.

“Nuk ia vlen të krijosh teatër e të mos kesh objekt, trupë artistike dhe kapacitete njerëzore”, theksoi Engelbert Zefaj.

Diskutimi në fund vazhdoi me pyetjet e publikut, të cilët të interesuar për gjendjen dhe të ardhmen e institucioneve ku buron arti dhe kultura kishin marrë vendet e tyre në ulëset e Teatrit Oda.  Ky panel diskutimi u organizua në kuadër të Kosova Showcase Theatre nga Qendra Multimedia./KultPlus.com

Të ngjajshme