Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” i kushtohet të pagjeturve, shoqërohet edhe me protesta

31 Maj, 2019 - 1:30 pm

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili po mbahet në Beograd, i është kushtuar të pagjeturve. Fillimisht vëmendjen e të pranishëmve e morën 10 rrëfimet e familjeve të të pagjeturve të cilat janë shtypur në librin me 164 faqe të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Pas librit vëmendjen e pjesëmarrësve të festivalit e mori historia e Ferdonijes, gruas e cila humbi katër fëmijë dhe burrin gjatë luftës në Kosovës.

Gjatë shfaqjes së filmit “Ferdonija”, një grup protestuesish u mblodhën para Dorcol Platz, vendit ku po mbahej festivali dhe tentuan që të kalonin kordonin e vendosur nga policia. Për shkaqe sigurie pjesëmarrësve ju është kërkuar që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të filmit,  derisa protestuesit u shpërndanë. “Ambiciet e mia nuk kanë qenë politike dhe nuk janë politike”, theksoi regjisorja e filmit Shkurte Dauti para shfaqjes së filmit.

Dauti së bashku me regjisorin Gazmend Bajri sjellin 24 orë nga jeta e Ferdonije Qerkezit e cila tregon sesi më 27 mars 1999, forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Nje nga momentet prekëse të këtij filmi  është biseda e Ferdonijës me varret e anëtarëve të familjes së saj. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta. Dauti, theksoi se filmi dëshiron që të potencojë fuqinë që ka Ferdonija për ti bërë ballë një dhimbje kaq të madhe.

“Ajo që më ka shty është që me e kuptu qysh një nanë mundet me e përballu këtë ankth duke mos e ditë ku i ka katër djem dhe burrin. Ndërkohë janë bo 20 vite dhe akoma nuk mundet me e përmbyllë dhimbjen” u shpreh ajo.

Përgjatë 30 minutave Ferdonija tregon si ishte jeta e saj para luftës, momentet e vështira gjatë luftës dhe ato pas luftës në mesin e të cilave është edhe lufta e saj me vëllezërit e bashkëshortit të saj të cilët dëshirojnë që t’ia marrin tokën dhe shtëpinë. Rrëfimi i Ferdonijës është i ngjashëm me rrëfimet në librin “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, i cili u promovua në Beograd. Edhe personazheve të intervistuar në libër ju mungon dikush nga familja e tyre, 20 vite pas luftës disa nga familjaret e tyre akoma figurojnë të zhdukur.

Fetije Mirenës, një nga të intervistuarat tregon sesi mbrëmja e 21 prillit të viti 1999, në Fushë Kosovë zbarkon nga treni një grup paramilitar të ardhur nga Serbia të veshur zi. Të armatosur dhe të maskuar, ata ju hyjnë shtëpive në të cilat jetojnë pjesëtarë të ndryshëm nga familja e gjerë Mirena, nga të cilët tubojnë 16 burra, vëllezër, djem axhallarësh dhe bijtë e të tyre.  E mbetur me katër fëmijë, rrëfimi i Fetije Mirenës, shoqes së Nezirit të rrëmbyer atë ditë, erdhi përmes aktores Kaltrinë  Zeneli. Sipas dokumenteve që i ka marrë Fetija, burri i saj ka qenë i vrarë me shtatë plumba. Trupi i Nezirit është gjet në vitin 2006, ndërsa në dhjetor të vitit 2017 familjarëve ju është dorëzu edhe një pjesë e krahut mirëpo trupit të tij akoma i mungojnë disa pjesë.

“Momentet e fundit bashkë, s’më heken prej mendsh, e kom pasë nji pite me spinaq – e hiç s’kom merak mo me qitë kurrë – e pata qitë për drekë, hongrëm, po apet tha: “O Zot, fort jom untu”. Thashë vec p’e mjeli lopën, e po hina po hamë darkë. Qet’ muhabet të fundit e kena bo n’oborr me ta. Kur jena hi mrena, mo aty nuk m’kujtohen fjalët e ti. E nuk mujti me hangar bukë ma qatë natë. Kurrë nuk muj prej asaj dite, vec i qes për hatër t’fëmijëve pitet me spinaq se m’ka metë zhig që nuk e ka hangar atë bukë t’fundit n’shpi t’vet”, është një pjesë nga rrëfimi i Fetijës të cilën e lexoi për të pranishmit aktorja Kaltrinë Zeneli.

Para botimit të këtij libri me 7 rrëfime nga familjet shqiptare dhe 3 nga familje serbe, në Kosovë në hollin e Kuvendit, në shkurt, u hap ekspozita ku 1mijë e 653 çelësa kanë qëndruar të varur si portretizim i asaj se çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rrinë pezull. Ndërsa në muret e të dy anëve të hollit ishin ngjitur në mur fotografitë e të intervistuarve të realizuara nga Atdhe Mulla dhe disa nga fjalët e tyre të cilat shprehin edhe dhembjen që ata kanë.

Këto fotografi dhe këto copëza të rrëfimeve të kthyera në një video-instalacion u përdorën edhe gjatë një koncerti të Filharmonisë së Kosovës, në muajin mars. Ato shfaqeshin në ekranin e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, prapa instrumentistëve të cilët atë koncert ua kushtuan pikërisht të pagjeturve dhe familjarëve të tyre.

Korab Krasniqi nga organizata ZFD theksoi se procesi i punës së tyre deri të ky libër ka filluar në vitin 2018 me idenë që çështjen e personave të pagjetur me e fut në diskursin publik duke  shfrytëzuar metodën hulumtuese ‘Oral History’

“Si proces të intervistimit kemi provu me i marrë historitë e tyre jetësore duke filluar nga fëmijëria deri në momentin kur fillon lufta . Te pjesa e luftës jemi fokusuar pak më shumë”, theksoi ai. Ndërsa tregoi tutje se të intervistuarit, pavarësisht se janë të dy etnive të ndryshme ata kanë të njëjtin problem.

“Këtë libër e kemi pa si një instrument të mirë për avokimin e të drejtave të familjeve. Unë kam pas problem me bo dallime në kuptimin e prapavijës  etnike sepse të gjitha këto familje jetojnë me të njëjtin ankth, sepse këto familje nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe përfundimisht duket se këto familje kanë fillu me e humb shpresën”, theksoi ai.

E pranishme në promovimin ishte edhe Marijana Toma, historiane nga Serbia. Ajo vlerësoi punën e bërë për botimin e këtij libri.

“Ne viktimat i kujtojmë me statistika dhe ato bëhen pjesë të numrave, mirëpo pas çdo viktime është një tregim një dëshmi për fatin e atij personi dhe historia gojore e cila si metodë historike është e re na jep mundësi e madhe që ta ruajmë kujtesën e viktimave veçanërisht kur të bëhet fjalë për të pagjeturit. Ajo na jep më shumë mundësi që të përmbledhim deklarata që përdorën në procesin e ballafaqimit me të kaluarën duke filluar nga dëshmia në gjykatë ku dëshmitarët dhe viktima duhet të fokusohen mbi momentin e zhdukjes apo vrasjes. Ne këtu kemi mundësi që të mësojmë për viktimën si ishte ai/ajo, si ka jetuar dhe si e kujtojnë familjarët prandaj historia gojore nuk është vetëm metoda me të cilët ruajmë kujtimet ajo është një lloj memoriali memorial, i cili i përkushtohet viktimës”, tha ajo.

Historiania Toma po ashtu kritikoi edhe qeverinë serbe e cila sipas saj nuk është duke bërë mjaftueshëm.

“Lidhur me konfliktet e armatosura në Kosovë mbi 1 mijë e 600 persona janë regjistruar si të pa gjetur, në mes të tyre janë edhe serbët edhe romët edhe shqiptarë. Ajo që është problem, një nga gjërat ku shihet sa nuk kujdeset Serbia në lidhje më këtë çështje të të pagjeturve, të zhdukurve është korniza ligjore me të cilët rregullohen të drejtat e familje të të pagjeturve dhe Serbia nuk e ka atë lidh. Po ashtu nëse i krahasojmë atë me vendet e tjera në rajon situata në Serbi është me problematike”, tha ajo duke theksuar se i vetmi ligj i cili trajton të drejtat e familje  është ai i cili rregullohet me ligjin për invalidët, civilët e luftës i miratuar gjatë regjimit të Sllbodan Millosheviqi.

Sot në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan”do të mbahet debati dhe promovimi i antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theater” dhe shfaqja “Kreolët e Ballkanit”./ KultPlus.com

Të ngjajshme