займ на карту онлайн потребительский кредит

Drama e një dashurie pas dhjetë vitesh, nga Shkupi erdhi në ‘PITF’

21 Tetor, 2017 - 12:15 pm

Një natë para përfundimit të edicionit të parë të “Prishtina International Theater Festival 2017”, erdhi shfaqja ‘’Darka e thërrimeve’’ me produksion të Teatrit Shqiptar nga Shkup, në skenën e teatrit ‘’Faruk Begolli’’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e realizuar nga autori, Refet Abazi dhe nën regjinë e Qëndrim Rijanit, në skenë fuqishëm erdhi përmes aktorëve Luran Ahmeti dhe Armenis Nokshiqi Jovanovska.

Personazhet sikur shkelin në tokën e tyre të dashurisë, të cilën e kishin braktisur për dhjetë vite. Në këtë pikëkthim ata takojnë gjurmët e dashurisë së tyre, duke shpjeguar arsyet e largimit, e cila lidhej me një frikë të fëmijërisë. Kalojnë në pyetje të njëjta për njëri-tjetrin, përgjigjet e të cilave vetëm se e japin vulën e një dashurie të pamposhtur nga koha.

Personazhet ikin me urrejtje nga njëri-tjetri, e herë kthehen me pasion për dashurinë të cilën nuk arritën ta luftojnë, as kur e braktisen. Në pikën ku ata takohen, vajza që dikur për pesë vite ishte e dhënë në atë lidhje dashurie tashmë ishte bërë grua dhe nënë e fëmijëve të një doktori i cili e kishte kthyer në jetë pasi ajo ishte shtrirë në spital nga përdorimi i substancave dhe tentative të vetëvrasjes. Përmes doktorit, ajo kishte marrë dashurinë të cilën ajo e mbante për dikë tjetër kurse ai e kishte pranuar dhimbjen e brishtësinë e saj edhe kur ajo s’kishte më forcë ta pranonte vetën.

Në anën tjetër, në këtë bisedë djaloshi që nuk bëri asgjë për ta ngre dashurinë e tyre një hap më tutje, ishte larguar atëherë kur pas katër vitesh kishte filluar ta ndjejë praninë e fortë të saj. Kulmi i bisedës së tyre pas kaq vitesh ndalej nga një bubullimë e fuqishme, e që e shtonte frikën e tij, e kthente në natën kur zbuloi tradhtinë e nënës së tij ndaj babait, atë natë kur në sytë e saj nuk takoi as turpin që e priste. Kjo histori, i drejtoi atij gjithë rrugën e jetës dhe i mbolli mosbesimin e frikën e tradhtisë, pasi që në çdo skenë e paramendonte vetëm në pozitën e babait të tradhtuar, e të dashurën e shihte në pozitën e nënës që do t’i sillte tradhtinë. E derisa ajo pëshpëriste “të kam dashur edhe para se të takoja, e të kam dashur edhe para se të njihja”, ai shfaqte natyrën e tij histerike ndaj dashurisë se fjalë të tilla i përkisnin vetëm telenovelave. Të dy, në një kohë dhe moshë tjetër, të mbetur si thërrima të diçkaje që ka ekzistuar sollën përballjen me jetën dhe dashurinë, duke transmetuar kështu mjaft emocione për publikun përmes lojës së jashtëzakonshme të aktorëve..

Ky festival sonte do të përmbyll edicionin e tij të parë me shfaqjen “Armiku i Popullit” nga Kosova. Po ashtu sonte do të zgjedhën edhe fituesit e këtij festivali, ku do të ndahen çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë. Çmimet do të ndahen nga juria qendrore, juria e mediave dhe juria e studentëve./ KultPlus.com

Të ngjajshme