Drama “Kuartet”, sonte premierë në Dodona

15 Shkurt, 2018 - 1:06 pm

Drama tragjikomike “Kuartet” është një dramë e autorit gjerman Heiner Muller, e përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe nga Alban Beqiraj, ndërsa sonte vjen premierë në teatrin “Dodona”, shkruan KultPlus.

Teatri “Dodona” për herë të parë sjellë një rrëfim dashurie me fuqi të jashtëzakonshme poetike, një ndjenjë të frikshme që eksploron lojërat e joshjes, tradhtisë dhe pushtimit, ku veprimi fokusohet në një orë të thjeshtë të kohës së lojës dhe gjuha është e mbushur me metafora, ironi, sarkazëm, humor të zi dhe imazhet seksuale. Në këtë dramë lojërat e rrezikshme ndizen, paturpësia e dashurisë dhe seksualiteti i të dy personazheve përfundon në një fushëbetejë të varësisë reciproke njerëzore.

“Kuartet” i detyron spektatorët të përballen me të kaluarën e tyre, mëkatet dhe i ballafaqon me katastrofën që po e kërcënon njerëzimin.“Kuartet” po ashtu ngërthen në vete kërcënimin e kulturës, dallimin e natyrës dhe na lë të kuptohet se shkatërrimi i marrëdhënieve midis gjinive padyshim mbetet një temë aktuale.

Shfaqja është inskenuar nga regjisori austriak, Andreas Pronegg. Virtuoziteti i tekstit bën që aktorët Arjola Demiri dhe Ermal Sadiku të kenë qasje të veçantë, ku gjatë interpretimit ata do të luajnë disa karaktere, duke ndryshuar gjinitë dhe rolet. Pjesë shumë e rëndësishme e shfaqjes janë edhe “Engjëjt e historisë“, ku interpretojnë aktoret Rajmonda Ahmetaj, Arta Lahu, Shqipe Gashi dhe Donikë Ahmeti./ KultPlus.com

Të ngjajshme