Edmond Budina: Sot u ktheva në skenën e krimit, më vranë gjënë më të shtrenjtë, por nuk do ta lëmë me kaq

18 Maj, 2020 - 3:30 pm

Regjisori Edmond Budina, një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ndjehet si i kthyer në një skenë krimi, aty ku i kanë vrarë gjënë më të shtrenjtë.

“Ndjehem sot si një njeri që kthehet në skenën e krimit, ku i kanë vrarë mbase gjënë më të dashur që ka pasur në jetë. Është e dhimbshme të shikosh këto eskavatorë që gërryejnë dhe e fshehin atë që dy ditë më parë e thanë me gojën e tyre, që duhet të shpëtohet gardëroba, ekuizita… Të gjithë pasurinë e atij teatri u varrosën në ato rrënoja, revoltohesh nga ky xhest”,- tha ai.

Në një intervistë për gazetaren e News 24 Fatmira Nikolli, Budina thotë ndër të tjera se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk do ta lëjë me kaq këtë cështje.

“Këtu ka interesa të fshehta, interesa mafioze por nuk do i lëmë kështu. E di që vendin e kanë lënë pa Gjykatë Kushtetuese, por nuk e lëmë me kaq këtë cështje, do ta ndjekim cështjen ndërkombëtarisht. Do i drejtohemi Strasburgut, gjykatave ndërkombëtare, Komisionit Europian pasi duket tashëm që Shqipëria është bërë vend i pastrimit të parave të pista, dhe shqiptarët e ndershëm nuk e meritojnë këtë”. / BalkanWeb / KultPlus.com

Të ngjajshme