Elbenita Kajtazi shkëlqeu në mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën”: Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha

28 Nëntor, 2023 - 5:08 pm

Era Berisha
Fotografitë: Arlind Gashi

Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.

Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.

Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.

Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”

Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë,  por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.

Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.

“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.

Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.

Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu,  sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.

Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.

“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.

Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.

“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime,  sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.

Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.

“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”

Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.

“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”

Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë

Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.

“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj,  artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.

Dashuria e saj, Ardiani

Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.

“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.  

Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit

Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.

“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.

Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës

Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.

“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti  që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”

Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur

Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.

“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.  

Titulli  “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani

Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.

“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë  e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo.  Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.  

Eksluzivisht për KultPlus

Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.

“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.

Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.  

“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve,  por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.

Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.

Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.

“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.

Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.

“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”

Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.

Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.

“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”

Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.

“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com

Të ngjajshme