9 Qershor, 2025 - 11:05 am
Era Berisha
Në mbrëmjen e 8 qershorit, sheshi Skënderbeu i Prishtinës u shndërrua në një skenë të jashtëzakonshme operistike teksa sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho bëri performancën e saj debutuese në Kosovë. E ftuar nga Opera e Kosovës, Jaho, shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës dhe Orkestra e Operës, mbajti një koncert magjepsës të drejtuar nga maestro italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Programi shfaqi arie ikonike nga operat e Puçinit, Verdit dhe Cileas, duke shfaqur aftësinë e jashtëzakonshme vokale dhe thellësinë emocionale të Jaho-s. Performanca e saj rezonoi thellë tek publiku, duke ngjallur ovacione dhe duartrokitje të përzemërta. Kjo ngjarje historike jo vetëm që shënoi një moment historik të rëndësishëm kulturor për Kosovën, por gjithashtu nënvizoi fuqinë e muzikës për të kapërcyer distancat dhe për të bashkuar zemrat.
Ndonëse koncerti ishte paralajmëruar të niste në orën 20:30, që nga ora 20:00 çdo vend në shesh ishte zënë – karriget nga cepi në cep ishin mbushur me publik të etur për art. Qielli, i skuqur nga rrezet e fundit të diellit, u shndërrua në një perde natyrore, duke paralajmëruar hyrjen madhështore të një mbrëmjeje të paharrueshme. Ndërsa dielli fundosej ngadalë pas horizontit të Prishtinës, tingujt e para të natës i përkisnin heshtjes solemne që paraprin magjinë. Skena e mbuluar në të zezë qëndronte në pritje – instrumentet në vendet e tyre, gati të shpërthenin në jetë sapo mjeshtrit e muzikës të dilnin. Dhe pak para orës 20:38, në mes të një atmosfere të ngarkuar me emocion dhe pritje, u dëgjua lëvizja e parë: një shushurimë delikate, hyrja e muzikantëve – si një premtim i artë për një natë që do të jetonte gjatë në kujtesën e çdo të pranishmi.
Koncerti na bëri të përjetojmë ëndrrën e një nate vere dhe nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore – ishte një udhëtim emocional, një përjetim artistik që shpalosi ëndrrat, nostalgjinë dhe pasionin përmes fuqisë së muzikës operistike. Nën qiellin e hapur të Prishtinës pa yje, yjet e vërtetë ishin ata në skenë që ndriçuan mbrëmjen me talentin e tyre. Nën hijen poetike të një nate qershori, publiku mbrëmë u ftua të harrojë realitetin dhe të zhytet në një dimension tjetër – aty ku zëri i Ermonela Jahos prekte shpirtin dhe dirigjimi i Jacopo Sipari di Pescasseroli i jepte jetë çdo note me ndjeshmëri dhe madhështi. Ishte një natë ku arti dhe natyra u bënë një, ku çdo melodi tingëllonte si një fragment i një ëndrre të përbashkët, të ndarë mes skenës dhe publikut – një ëndërr që nuk do të shuhet lehtë nga kujtesa kolektive.
Në skenë, të zhytur në të zeza dhe me një elegancë të përmbajtur, dolën një nga një instrumentistët – figura që ngjanin me silueta të natës, të ndriçuara lehtë nga drita e butë që përplasej mbi instrumentet e tyre. Me një fillim që nuk shpërthente, por pëshpëritej, ata nisën të thurnin një rrezatim melodik që lëvizte me ndrojtje përmes shtresave të harmonisë. Tingujt e parë kishin një ngjyrim të pazakontë – një qetësi e dridhshme, thuajse e frikshme në bukurinë e saj intime, që ftohte frymën dhe ngrohte zemrën njëkohësisht. Dirigjenti, me lëvizjet e tij që ngjanin me krahët e një zogu të bardhë në fluturim të lirë, udhëhiqte një koreografi të padukshme, ku harqet e duarve ishin si zgjatime të shpirtit të tij. Së bashku, ata krijuan një fillim që nuk thjesht u dëgjua – por u ndje thellë, si një frymë që përthithi atmosferën dhe e ktheu në një puthje muzikore që prekte heshtjen me delikatesën e një ëndrre.
Flladi i butë që lëkundte lehtë ajrin e ngrohtë të mbrëmjes vinte si një dhuratë e padukshme, një prekje qiellore që shoqëronte atmosferën e elektrizuar të skenës. Reflektorët e bardhë dhe vjollcë, të vendosur horizontalisht, krijonin një perde drite para syve të publikut, ndërsa tjerat vinin në pah çdo detaj të lojës së përqendruar dhe mjeshtërore të instrumentistëve – një dialog vizual mes dritës dhe muzikës. Në këtë skenografi të qetë por të ngarkuar me ndjesi, mbrëmë ndodhi një shkrirje e rrallë: serioziteti akademik, energjia e pastër dhe preciziteti absolut u bashkuan në një frymë të vetme emocionale. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës nuk ishin më thjesht muzikantë – ata ishin shpirti kolektiv i një nate që ndaloi kohën. Me një madhështi të heshtur dhe një qartësi të tingujve që të ftonin në përhumbje, ata pushtuan skenën dhe zemrat, duke e kthyer çdo notë në një ndjesi të papërshkrueshme, të denjë për t’u ndjerë – më shumë sesa për t’u përshkruar.
Programi i interpretuar nga sopranoja Ermonela Jaho, në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe Filharmoninë e Kosovës, ishte një kurorë prej perlave të operës italiane – një udhëtim emocional që përshkoi peizazhe të brendshme të dhimbjes, dashurisë dhe përulësisë njerëzore. Me zgjedhje mjeshtërore nga veprat e Puccinit, Verdit dhe Cileas, koncerti krijoi një tension dramatik që lëkundej mes heshtjes së ndjenjave të papërmbajtura dhe shpërthimeve shpirtërore të një gruaje që i jep zë të gjithëve: nënës, të dashurës, viktimës, heroinës. Muzika e Puccinit dhe Verdit, me intermezzot e saj të ngjeshura me ndjeshmëri dhe aria të mbushura me melankoli të thellë, gjeti në interpretimin e Jahos një jetë të re – plot pasion dhe një thjeshtësi të dhimbshme që rrallë arrihet. Ky ishte më shumë se një koncert: ishte një rrëfim i brendshëm, ku zëri i sopranos u bë kanal i shpirtit njerëzor, ndërsa orkestra – me ndjeshmëri të jashtëzakonshme nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli – e mbështeti këtë dramë të brendshme me një thellësi të rrallë. Qe një mbrëmje ku muzika nuk u këndua, por u jetua.
Programi i mbrëmjes ishte një mozaik emocionesh të gdhendura në gurët më të çmuar të operës italiane, një udhëtim lirik që fliste me gjuhën e shpirtit. U hap me “La Tregenda” nga Le Villi e Puccinit – një shpërthim orkestral që të ftonte në një vallëzim të errët midis ëndrrës dhe fatit të pashmangshëm. Më pas, delikatesa dhe trishtimi i princeshës së Turandot në Signore, ascolta gjeti jehonë në zërin që qante butësisht për dashurinë e pamundur. Ave Maria e Verdit, nga Otello, solli qetësinë e lutjes së brendshme, një ndriçim hyjnor që ndizej në errësirën e mendimeve njerëzore. Tingujt vijuan me një heshtje të rëndë nga Senza mamma e Suor Angelica, ku dhembja për një fëmijë të humbur u bë gjëmë që lartësoi shpirtin. Adriana Lecouvreur e Cilea ngjalli elegancën dhe përulësinë në Io son l’umile ancella, ndërsa Poveri fiori derdhi përmes harkut lamtumirën e një zemre të copëtuar. Në Manon Lescaut, intermezzoja u përshkua nga një pezullim tragjik, i ndjekur nga thirrja e vetmisë në Sola, perduta, abbandonata, që ngjante me një fjalë e fundit në agoni. Në Madama Butterfly, intermezzoja e heshtur dhe Un bel dì vedremo ishin si dy faqe të një ëndrre që pret të ndodhë e që digjet ngadalë në realitetin mizor. E më pas, La Traviata e Verdit, me Preludio-n që dukej si fryma e fundit e një jete të përmallshme dhe Addio del passato që derdhej si një pëshpëritje në boshllëk. Dhe së fundi, si një përqafim i butë pas një stuhi emocionesh, O mio babbino caro – një lutje e thjeshtë, e pafajshme dhe e ndjerë, që mbylli natën me një buzëqeshje të lagur nga lotët.
Ermonela Jaho nuk këndon thjesht – ajo shndërrohet në çdo rol, duke e jetuar çdo ndjenjë deri në skajin e saj më të thellë. Që në çastet e para në skenë, sytë e saj – shpesh të ngritur drejt qiellit – sikur kërkonin një dritë më të madhe, një fuqi që rridhte përmes zërit të saj të kristaltë. Çdo vepër që interpretonte, ajo e përjetonte me një ndriçim të brendshëm që reflektohej në sytë e saj të mbushur me shkëlqim dhe shpesh me lot, si një dëshmi e përkushtimit të saj të plotë ndaj artit. Ishte një pasion që nuk kërkonte duartrokitje – por një përulje me mirënjohje, njashtu siç ajo bënte përkuljeje të kokës së saj, e sinqertë pas çdo pjese.
Në çdo rol që mori përsipër, Jaho solli jo vetëm teknikë të përsosur, por edhe një saktësi emocionale që rrallë dëgjohet në skenat operistike. Ajo i përthithi emocionet e çdo karakteri dhe i ktheu në ndjenja të ndara me publikun – me gjeste të buta, me përqafime ndaj vetes në momentet më të ndjeshme, me buzëqeshje që mbartnin dhimbjen, faljen dhe dashurinë. Drama në fytyrën e saj nuk ishte teatrale, por njerëzore – e vërtetë dhe e thellë. Ajo nuk interpretoi thjesht arie, por tregoi histori të grave që shpresojnë, humbasin, luten, sakrifikojnë dhe duan. Dhe çdo notë që dilte nga zëri i saj ishte si një fije e shpirtit të tyre – e kthyer në muzikë për ne të tjerët.
Duke qëndruar në qendër të skenës, Jaho ishte si një univers i yjeve të vërtetë, e cila magjepsi publikun jo vetëm me vokalin e saj të pastër e të fuqishëm, por edhe me praninë e saj engjëllore. Vështrimi i saj drejt audiencës – i mbushur me dritë, dashuri dhe paqe – krijoi një ndjenjë të rrallë lidhjeje midis sopranos dhe çdo zemre në shesh. Ishte një përvojë që nuk dëgjohej, por ndjehej deri në palcë. Në atë natë të paharrueshme, zëri i Ermonela Jahos nuk ishte thjesht tingull: ishte një shpallje e bukurisë njerëzore, një thirrje për të kujtuar se arti i vërtetë lind nga shpirti – dhe vetëm nga shpirti.
Një nga gjestet më të paharrueshme të mbrëmjes ishte lëvizja e dorës së saj të djathtë – një dorë që dukej sikur mbante jo vetëm kontrollin e zërit, por edhe të shpirtit që ajo dhuronte publikut. Çdo herë që afrohej një notë e lartë, një kulm emocional apo një shpërthim dramatik, dora e saj e djathtë ngrihej ngadalë, duke përshkruar ajrin me një hijeshi të pashoq, si të kërkonte të kapte qiellin apo ta përfshinte publikun në përjetimin e saj. Ishte një gjest i vetëdijshëm dhe i natyrshëm njëkohësisht – i mbushur me një energji të brendshme që paralajmëronte fuqinë e një zëri që nuk këndonte vetëm për t’u dëgjuar, por për të lënë gjurmë. Me këtë lëvizje, Ermonela dukej sikur e thërriste audiencën drejt vetes, duke i bërë bashkëudhëtarë në çdo moment kulmor.
Ermonela Jaho u shfaq në skenë me një elegancë që nuk buronte vetëm nga veshjet e saj – një fustan i zi e i bardhë që kontrastonte si drita me hijen, dhe më pas një fustan mbretëror blu që përhapej si valë qiellore mbi skenë – por nga një bukuri që shkëlqente prej brenda. Ishte bukuria e një shpirti të thellë, të përulur dhe të ndjeshëm, që vinte në jetë përmes çdo note që dilte nga zemra e saj. Nuk ishte thjesht pamja e jashtme që i linte të gjithë pa frymë, por mënyra se si zëri i saj, i ngrohtë dhe i pafund, pasqyronte një botë të brendshme të pasur me dashuri, dhembshuri dhe ndjeshmëri. Ajo nuk ishte vetëm një yll në skenë – ishte një dritë që ndriçonte publikun nga brenda, një kujtesë se bukuria e vërtetë është ajo që rrjedh nga shpirti dhe prek të tjerët përtej pamjes.
Ashtu si njerëzit zakonisht ngulin sytë në yje me habi dhe admirim, mbrëmë në atë natë të paharrueshme, publiku u drejtua me një vështrim yjor — jo drejt qiellit, por drejt Ermonela Jahos. Ajo u bë konstelacioni përreth të cilit rrotulloheshin të gjitha sytë, një yll i gjallë që ndriçonte natën me një prani të fuqishme. Ashtu si yjet tërheqin ëndërrimtarët në thellësitë e tyre pafund, zëri dhe aura e saj tërhoqën audiencën në një orbitë të përbashkët të admirimit dhe respektit.
Koncerti gala në Prishtinë, mirëpriti Ermonela Jahon – një nga zërat më të ndjeshëm të skenës botërore, që me përulësi dhe dashuri i quan Kosovën dhe Shqipërinë, të dyja, shtëpi të saj. Prania e Jahos në Kosovë ishte nder dhe inspirim për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që ndjekin ëndrrat në fushën e muzikës. Përmes figurave si Ermonela Jaho, bota mëson për vlerat, shpirtin dhe historinë tonë. Ajo ka fituar çmime prestigjioze që dëshmojnë talentin dhe pasionin e saj të jashtëzakonshëm, si: Këngëtarja më e Mirë – OPER! AWARDS, Premios Ópera XXI, Artistja e Vitit – ICMA etj. Ndërsa, maestro i muzikës operistike Jacopo Sipari është i njohur për pasionin, finesën dhe elegancën që sjell në çdo dirigjim. Ai ka fituar çmime prestigjioze si: Golden Opera Award, Titulli “Ambasador i Puccinit në Botë”.
Sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho, ka thënë se e ndien për detyrë t’i dhurojë brezit të ri dashuri dhe mundësi, në mënyrë që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.
“Një falënderim i jashtëzakonshëm për këta artistë të mrekullueshëm të Filharmonisë dhe Operës së Kosovës, maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, koncertmjeshtres Abigeila Voshtina. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që organizuan këtë koncert kaq të bukur, dhe qoftë ky një ogur i mirë që herën tjetër një koncert të tillë ta bëjmë në shtëpinë e Operës së Kosovës. Dua të them se u preka shumë mbrëmë, sepse bëmë një provë këtu të gjithë, dhe kur po këndoja ‘O mio babbino caro’, ishin dy-tre fëmijë të vegjël, dhe unë thashë me vete: ‘O bobo, tani do e dëgjojnë këtë tetën se çfarë po bën’, por ata kërcenin së bashku me mua. Mendoj se për atë brez të ri ne kemi një detyrim kaq të madh: t’u japim aq shumë dashuri dhe t’u japim mundësinë që të qëndrojnë në vendin e tyre.”
Dirigjenti maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se ndihet shumë i lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti e që ndau skenën me një artiste të madhe si Ermonela Jaho.
“Jam shumë i lumtur që isha këtu sonte, me të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht me sopranon Ermonela Jaho. Ky nuk ishte thjesht një koncert, por një përvojë sociale dhe emocionale për secilin prej nesh, sepse ky koncert ishte, pa dyshim, një dhuratë. Audienca pati privilegjin të shijonte muzikën e Ermonela Jahos – një ndjesi që të ngjan sikur po ecën mbi re. Është si të flasësh me Zotin. Mendoj se ajo është e vetmja në botë që mund t’i japë secilit prej nesh ndjesinë se i gjithë njerëzimi është hyjnor.”
Në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me koncertin.
“Ishte një mbrëmje e paharruar nën qiellin e hapur të Prishtinës. Koncerti shënoi një moment kulmor artistik dhe emocional për publikun, në kuadër të kremtimeve të ditëve të çlirimit të Kosovës. Bashkëpunimi ishte frymëzues – një sinergji e vërtetë mes artistëve të përkushtuar. Mjeshtëria e sopranos Ermonela Jaho, ndjeshmëria dhe fuqia e interpretimit të saj, i preku të gjithë të pranishmit. Prania e saj ishte një dhuratë për skenën tonë dhe një krenari për Kosovën, e cila dha mesazhe të fuqishme të cilat do të ndikojnë në të mirën e përgjithshme dhe një imazh pozitiv për vendin tonë. Ky koncert dëshmoi fuqinë e artit për të bashkuar njerëzit dhe për të sjellë përjetime të thella shpirtërore. Uroj që Ermonelën t’a kemi përsëri në inaugurimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.”
Ky koncert nuk ishte vetëm një mbrëmje brilante muzikore, por një festë shpirtërore e artit, njerëzores dhe ndjesisë së përbashkët. Ermonela Jaho, Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës na kujtuan të gjithëve fuqinë transformuese të muzikës – për të shëruar, për të bashkuar dhe për të frymëzuar. Me çdo notë, ata mbollën fara shprese në zemrat e audiencës, veçanërisht në sytë e dëgjuesve më të rinj. Nuk ishte thjesht një interpretim; ishte një moment historie, një dëshmi e bukurisë që lind kur talenti takohet me qëllimin. Qoftë kjo vetëm fillimi i një kapitulli të ri për shpirtin operistik të Kosovës./ KultPlus.com