11 Qershor, 2025 - 1:52 pm
Pas sukseseve absolute dhe prezantimeve të mrekullueshme në skenat shqiptare, vlerësimit me dy çmime “Aktorja më e mirë” dhe “Regjisori më i mirë”, shfaqja “Engjëjt” e autorit Odise Plaku po vjen me rrugëtim edhe në Kosovë.
Me regji të Naser Shatrollit e me rol të Vefi Redhit, pas prezantimit në Tiranë, ka nisur udhëtimin në skenat e Kosovës. Prizreni, Gjakova e Prishtina janë vendet nikoqire te kësaj shfaqjeje, e që mbrëmë e pati prezantimin për audeincën gjakovare, për të vazhduar më 13 qershor në Festivalin MonoAkt në Prishtinë.
Gjenocidi serb ndaj popullsisë së pafajshme në Kosovë, fati i zhdukurve dhe një nënë që kërkon fëmijët e saj në monodramën “Engjëjt”. Monodrama në skenë bashkon tre artistë, dramaturgun Odise Plaku nga Shqipëria, aktoren Vefi Redhi që për këtë shfaqje vjen nga Greqia dhe regjisorin Naser Shatrolli nga Kosova.
Dramaturgu Odise Plaku është shprehur i gëzuar që kjo vepër po udhëton në mbarë skenat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me synimin për të vazhduar në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se është një vepër e fuqishme, që do të flasë shumë në interpretimin e fortë të aktores Vefi Redhi që vjen në skenë si Hana.
Në vepër është Hana, një nënë kosovare, është në ditët më të vështira të jetës së saj. Bën vite që kërkon t’u dëgjojë edhe një herë zërin fëmijëve të saj, Verës dhe Diellit, që ia rrëmbyen barbarisht ushtarët serbë gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre. Jeta e saj ka humbur kuptimin. Nga përballja çdo ditë me të njëjtat gjëra: mediet, institucionet, gjykatat, policinë e deri te kalimtarët e rastit, i duket vetja si një robot, që kryen lëvizje mekanike. Edhe vetë ajo është lodhur nga kërkesa e përsëritur për të mësuar fatin e fëmijëve të saj. Të pagjeturit është një temë e nxehtë në jetën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, pjesë e së cilës është vetë Hana. Ajo ndien neveri për njerëzit e veshur me pushtet të çdo ngjyre politike,pasi përdorin emrat e të pagjeturve për të marrë vëmendje për të ngritur nivelin e pozitës së tyre. Ajo është në dilemë se kujt duhet t’i besojë e kujt jo, madje arrin deri aty sa vë në dyshim besimin ndaj Zotit. I duket se edhe ai po i bën padrejtësi me heshtjen e tij në këto momente të vështira të jetës së saj.
“Unë do të vazhdojë të shkruaj vepra me tematikë nga jeta, pasi ato meritojnë të zënë një vend të konsiderueshëm në skenat shqiptare” shprehet autori Odise Plaku, tashmë mjaft aktiv me krijimtarinë e tij në dramë dhe së fundi në një komedi bashkëkohore./ KultPlus.com