“Erdhi Godoja” premierë në Teatrin e Gjilanit

22 Maj, 2019 - 11:00 am

Ndërkohë që në shumë salla teatri nëpër botë janë “Duke pritur Godonë”, në Teatrin e Qytetit-Gjilan veçse “Erdhi Godoja”.

Teatri i Qytetit te Gjilanit, këtë te premte më datë 24 maj me fillim nga ora 21:00, do të ketë premierën e shfaqjes “Erdhi Godoja” nga Daniel Curzon dhe regji të Shkelzen Berisha. 

 Një parodi absurdiste me humor fantastik nga Daniel Cruson, e cila vjen e interpretuar nga aktorët: Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Tringa A. Hasani dhe Njomëza Kalaveshi.

“Erdhi Godoja”, skenografina dhe kostumet e së cilës janë realizuar nga Berkim Korca, është një shfaqje jashtëzakonisht e larmishme në teknika të punës, në ngjyra të personazheve, me kujdes estetik mjaft të veçantë në harmonizimin e muzikës, elementëve skenografik e vizual dhe kostumeve krahas situatave skenike.

Historia e dy njerëzve pa ndonjë destinacion të qartë jetësor vetëm sa për t’i bërë aktive jetët e tyre, të cilët arsyetohen se janë në pritje të shpëtimtarit të tyre, që edhe kur ju vjen, ata dështojnë ta kuptojnë atë që kanë pritur tërë jetën – Domethënien!

Gjithçka do të prezantohet mes situatave me plot humor dhe pamjes së sjelljeve absurde që burojnë kontekste që i ndeshim në jetët tona çdo ditë. Katër aktorë do të përjetojnë fijen që lidh jetët e përditshme me situata mbushur me varietete spektakli skenik, për gjetjen e përgjigjeve të shumë pikëpyetjeve shpirtërore, materiale dhe intelektuale, do të japin një pamje të përthellë të dualitetit të natyrës njerëzore.

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet më datë 25 maj në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. / KultPlus.com

Të ngjajshme