Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, verën tjetër së bashku në Peralada

24 Nëntor, 2017 - 4:39 pm

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër të parat këngëtare klasike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Peralada.

Ermonela Jaho do të jetë krahas Placido Domingos në festivalin e madh spanjoll, duke performuar operën “Thais” nga Jules Massenet. Koncerti do të ndodhë verën e ardhshme, me 29 korrik.

Një ditë më parë, me 28 korrik, tenori Jonas Kaufmann do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Mbretëror të Spanjës.
Ermonela Jaho, në anën tjetër, ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Placido Domingon ndërsa në Spanjë do të sjellin operën më të mirë të francezit, e cila tani po kalon në një periudhë lulëzimi në disa skena të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Jaho vjen në rolin e kurtizanes, ndërsa Domingo në rolin e Athanael. Artistët do të shoqërohen nga Michele Angelini, Jean Teitgen, Lidia Curtis dhe Elena Copons. Performanca fillon në ora 22:00 në The Castle Gardens Auditorium në qytetin Peralada.

Libretoja e operës bazohet në novelën me të njëjtin titull nga Anatole France. Premiera e operës është dhënë në Paris me 16 mars 1894. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme