Erson Zymberi është emëruar drejtor i Teatrit Profesionist të Gjilanit

3 Maj, 2018 - 3:22 pm

Regjisori Erson Zymberi sapo është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Profesionist të Gjilanit, institucion që për vite është udhëhequr me ushtrues detyre, shkruan KultPlus.

Mirëpo jo në gjendjen më të mirë e ka gjetur këtë institucion drejtori i sapo emëruar, pasi që, Teatri Profesionist i Gjilanit ka kaluar krejt vitin 2017 pa asnjë premierë, duke përfshirë më pas edhe probleme të tjera që kanë përcjellë këtë institucion.

“Ka qenë pikërisht gjendja e vështirë nëpër të cilën po kalonte një institucion me të cilin jam i lidhur emocionalisht dhe artistikisht, dhe gjithashtu përvoja ime bashke me konceptet e mia mbi menaxhimin e politikave kulturore, që më kanë shtyrë të mendoj për ambiciet e mia të menaxhimit të këtij institucioni”, ka thënë për KultPlus, Erson Zymberi duke shpjeguar arsyen se pse e ka synuar këtë post.

Ai më pas ka thënë se tashmë kanë identifikuar problemet aktuale me të cilat përballet teatri, dhe po sipas tij, teatri dhe kultura në përgjithësi do të duhej të shikohej edhe në formatin e shitblerjes ndaj “konsumatoreve” potencial kulturor.

“Kjo do të krijonte edhe një bazë të hyrash me të cilat do të funksiononin detyrat e përditshme të teatrit. Menaxhimi i hapësirave ekzistuese, rregullimi juridik i statutit të aktorëve të qyteteve në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë dhe Ministrinë për Kulturë, bashkë me mundësinë e ndryshimit ose riamandamentimit të ligjit aktual për teatrot (i cili ligj mjerisht diskriminon të gjitha teatrot e qyteteve në Kosovë) paralelisht me prodhimin e vlerave standard dhe krijimin e një repertoari të qëndrueshëm, do të jenë hapat e parë të angazhimit tim”, ka thënë Zymberi.

Dhe përpos udhëheqjes së këtij institucioni, Zymberi ka treguar se ambiciet e tij shkojnë edhe drejt mundësisë së rikonfigurimit dhe ridizajnimit të Festivalit “Talia e Flakes”, i cili synon ta shndërroj këtë festival në një festival koherent, funksional dhe të brenduar ashtu qysh i duhet një Festivali teatror i cili ka për qëllim prezantimin dhe pasqyrimin e vlerave standarde.

“Pra rrjedhimisht do të synohet që të nxirret nga mentaliteti lokal dhe shumë i ngushtë për t’u zëvendësuar me një festival ndërkombetar dhe shumë funksional”, ka thënë Zymberaj.

Ai krejt në fund ka thënë se aktualisht do të vazhdohen punët, projektet e lëna në gjysmë për të vazhduar më pas me shfaqjet të cilat, sipas tij, synojnë ti realizojnë deri në fund të vitit./KultPlus.com

Të ngjajshme