“Eshtrat që vijnë vonë” nga Kosova, çmendin mediet maqedonase, e quajnë skandaloze mesazhin e shfaqjes për një Shqipëri të Madhe

9 Shtator, 2017 - 11:41 am

“Fillim skandaloz i festivalit “Risto Shishkov”, në Strumicë të Maqedonisë, që është hapur zyrtarisht në mbrëmjen e së premtes, ku ky festival është hapur me shfaqjen nga Kosova, të cilët kanë shpërfaqë idenë e Shqipërisë së Madhe, nëpërmjet shfaqjes “Eshtrat që vijnë vonë””, kështu shkruajnë mediet maqedonase, duke e vlerësuar si një skandal të madh këtë temë të trajtuar në këtë festival, duke kujtuar se kjo shfaqje është përcjellë edhe nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pikërisht në ditën e pavarësisë së Maqedonisë, përcjellë KultPlus.

“Dhe gjithcka do të ishte në rregull, nëse trupa nga Kosova nuk do të fuqizonte idenë e Shqipërisë së Madhe, e cila mbulon edhe territorin e Maqedonisë”, shkruan Kurir.

Poashtu Kurir ka shkruar se pikërisht nga këto provokime etnike dhe nacionaliste, në mënyrë demostrative salla e teatrit është zbrazur, kurse po sipas këtij mediumi, kryeministri Zaev dhe kryetari i Komunës së Strumicës Kostadin Kostadinov kishin qëndruar deri në fund.

Kurse Albulena Kryeziu Bokshi që është pjesë e kësaj shfaqje ka thënë për KultPlus se publiku e ka përcjellë shfaqjen, përpos disa personave që e kanë lëshuar sallën. “Dhe publiku na ka duartrokitur në fund, madje me duartrokitje na kanë kthyer edhe njëherë në skenë për tu përshëndetur”, ka thënë Kryeziu Bokshi.

Shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit dhe regji të maqedonasit Martin Koçovski flet për identitetin. “Kjo është shumë interesante sidomos për kosovarët. Shfaqja jonë shkon një hap më tej. Bëhen pyetjet për gjenezën e popullit shqiptar në këtë kontinent e më gjerë. Ka shumë pyetje dhe në mes tyre janë religjioni, territori e gjërat që ndodhin. Nuk jepen përgjigje. Por besoj se secili do të ketë përgjigje individuale”, pat thënë në një konferëncë më të hershme regjisori i kësaj shfaqje Koçovski.

Pjesë e kastës së aktorëve janë Bajrush Mjaku, Astrit Kabashi, Adrian Morina, Shkëlzen Veseli, Lumnije Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku e Bujar Ahmeti./KultPlus.com

Të ngjajshme