Fadil Hysajt i dorëzohet Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore

3 Nëntor, 2017 - 12:49 pm

Në kabinetin e ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur ceremonia solemne për dorëzimin e Çmimeve Vjetore për Teatër për vitin 2016, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi u shpreh i kënaqur që si Ministri po e përfundojnë procesin e ndarjes se çmimeve, ndërsa theksoi se do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga Ministria.
“Është një proces që ka filluar pak më herët por që nuk është realizuar gjatë këtij viti dhe e kemi pa të arsyeshme si Ministri që ta përfundojmë këtë ceremoni të ndarjeve të çmimeve për shkak se e kemi konsideruar shumë të rëndësishme kontributin që e keni dhënë të gjithë”, tha Gashi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Në këtë ceremoni regjisori, Fadil Hysaj u shpërblye me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore. Kurse çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 u nda për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit nën regjinë e Martin Koçovskit.
Regjisori, Fadil Hysaj pas marrjes së çmimit u shpreh se këtë çmim ia dedikon personazheve e shumë bashkëpunëtoreve por duke theksuar tri breza të aktorëve.

“Të kalosh 45 vite në teatër janë përjetime shumë të fuqishme dhe është një jetë mes personazheve që vijnë nga imagjinata dhe kërkojnë patjetër statusin e tyre jetësor. Së pari këtë çmim ua dedikoj atyre personazheve që janë me qindra, por që mjerisht nuk gjinden më në skenë, teatri nuk i ka pasur mundësitë për të u siguruar jetëgjatësi më shumë se një sezone. Njësoj ua dedikoj këtë çmim edhe shumë aktorëve, disa prej të cilëve nuk janë këtu, kanë shkuar një brez i tanë nga: Istref Begolli, Shani Pallaska, Avdush Hasani, Skender Tafaj, Hadi Shehu, Sefedin Nuredini me të cilët kam punuar në shumë shfaqje. Ua dedikoj aktorëve të tjerë të brezit të dytë: Luan Jahaj, Shkumbin Istrefi dhe brezit të tretë shumica e të cilëve janë studentë të mi, dhe publikut, e veçanërisht atyre që nuk janë parë në skenë sikurse edhe drejtorive të teatrove”, tha Fadil Hysaj.

Po ashtu në këtë ceremoni u nda edhe çmimi vjetor për regjinë më të mirë që iu dorëzua regjisores Sevdije Ajeti për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola. Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë për 2016-tën iu nda balerinit Sinan Kajtazi për rolin kryesor Albert në shfaqjen e baletit “Zhizell”. Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar u nda për Qendrën Multimedia.
Regjisorja Sevdije Ajeti marrjen e këtij çmimi e përshkroi si një ndjenjë të veçantë, pasi që ky çmim po ndahet për një femër.
“Është shumë e rëndësishme që ky çmim po ndahet për një femër e cila jo rrallë herë anashkalohet sidomos edhe neper teatro. Ne kemi jo aq shumë teatro ku mundemi me u angazhu por ka femra regjisore ku femrat mund të punojnë dhe të japin kontributin e tyre. Ne kemi jo pak femra të cilat e kanë dëshmuar veten brenda dhe jashtë vendit”, tha regjisorja Ajeti.

Kurse drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi theksoi se shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë” është ne mesin e shfaqjeve më të mira të Teatrit Kombëtar, kurse shtoi se drama origjinale është ajo që ka bërë jehonën më të madhe edhe jashtë vendit.
“Mund të them me bindje që tani Teatri Kombëtar ka një identitet estetik dhe shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë” është një ndër shfaqjet më të mira, sepse këto dy viteve të fundit Teatri Kombëtar viteve të fundit ka arritur të krijoi disa shfaqje shumë të mira. Mbi dramën origjinale janë krijuar shfaqjet më të mira dhe mbi dramën origjinale është kthyer publiku i cili e ka shumëfishuar numrin e para dy viteve”, u shpreh Sopi.

Komisioni vlerësues për ndarjen e këtyre çmimeve ka qenë në përbërje të regjisorit, Agim Selimit, Ramadan Musliut- kritik letra, Besim Rexhaj – dramaturg, Bislim Muçaj- aktor dhe Bardh Frangu- shkrimtar dhe publicist./KultPlus.com

Të ngjajshme