Fati i një gruaje në skenën e Teatrit të Gjilanit, përmes shfaqjes “Portreti i Pakryer”

26 Janar, 2018 - 11:30 am

Publiku i etur për shfaqje edhe mbrëmë e ka mbushur sallën e Teatrit të Qyteti të Gjilanit, ku në skenë është vënë Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhaj, me regji të regjisores Elmaze Nura, e me aktrimin e Aurita Agushit. Këtë shfaqje, në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e solli Teatri Dodona, ndërsa në ekipin realizues ishin edhe Memli Kelmendi – muzika, Agnes Nokshiqi – koreografia, Majlinda Kelmendi skenografia e Samka Ferri – kostumet, derisa për ndriçim ishte përkujdesur Skënder Latifi.

Kjo monodramë zhvillohet në vitet 90-ta të shekullit të kaluar, ku aktorja Aurita Agushi na sjellë personazhin e një gruaje, fatin e saj, përpëlitjen me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që ka përbrenda vetes. Ajo ishte viktimë e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, të babait, i cili në vitet e 90’ta ishte pjesë e sistemin politik.

Po ashtu, ajo me vite përpiqet ta ruaj dashurinë për njeriun e jetës, një i burgosur politik, por që letra e lamtumirës nga ai, e sjellë atë në një situatë kritike, në një situatë psikologjikisht të rëndë.

Megjithatë ajo përpiqet t’i ngjallë vetës shpresë, duke u përpjekur që të jetë vetvetja, duke u përballë me konfliktet e brendshme e të jashtme, me vetveten e me të tjerët, duke luftuar me zërat brenda vetes që e pushtojnë…, por që në fund tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje…

Si rëndom, në debatin pas shfaqjes u dëgjuan edhe përshtypjet e para të publikut dhe kritikëve, me këtë rast, kritiku nga Shqipëria, Mio Gjini, tha se po gëzohet që edhe nata e katërt e këtij Festivali dhe ne, në vazhdimësi po shohim se niveli i shfaqjeve po vije duke u rritur, e me këtë edhe emocionet për të mirë.

Ai vlerësoi dramaturgun Besim Rexhaj, duke thënë se teksti i kësaj shfaqje ishte me karakter meditative e psikologjik, që e ka favorizuar regjinë dhe aktorin.

Gjini ka vlerësuar lartë edhe lojën e aktores Aurita Agushi, për të cilën tha se është profesioniste e vërtetë, ka nur skenik dhe veçoi artikulimin e saj të bukur të fjalës shqipe.

Në lojën e saj ai tha se kishte në vazhdimësi rritje të emocioneve duke na sjell në skenë fatin e një gruaje që përpëlitej me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që kishte përbrenda vetes.

E, Avni Rudaku, tha se shfaqja ishte e mundimshme dhe e tejkaluar për kohën si e shohim sot teatrin, ndërsa dramaturgu Agron Gërguri vuri theksin e kritikës së tij në tekstin që për të ishte eseistikë, duke shtuar se tekste të tilla ngulfatin aktorin në skenë.

Ai vlerësoi aktoren Aurita Agushi si një profesioniste, por se tha se kishte momente monotone përgjatë shfaqjes dhe se do të donte nga regjisura që shfaqja të kishte thellësinë e saj, me theks të veçantë dramatikën, sepse shfaqja pati vobekësi në këtë drejtim.

Edhe Naim Shaqiri, Qëndrim Kqiku e ndonjë folës tjetër, vlerësuan si tërësi shfaqjen duke i vlerësuar pozitivisht që të tria kompetentet, tekstin, regjinë dhe aktrimin, ndërsa nga paneli, kritiku Ylber Nuredini vlerësoi se teksti për këtë shfaqje ishte psikologjik, i vështirë për tu vënë në skenë, por ka përgëzuar regjisoren Elmaze Nura, për elementet skenike dhe gjetjet regjisoriale, por edhe për gjetjen e duhur të aktores për t’ia besuar këtë rol.

Kurse, ai që si gjithnjë e thotë fjalën e tij i fundit, Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, i cili ndau mendimin se teksti ishte një ligjërim i bukur letrar, por se do të donte që fjala të mos ishte, siç u shpreh ai, “shumë e krehur”, por të kishte veprim, për t’i dhënë fuqi shfaqjes.

Ai, ndër tjerash, tha se do të donte të shihte në këtë monodramë dialog brenda psikikës së personazhit, të punohej më shumë në pikëpamje regjisoriale dhe aktoreske, të mos kishte një ton aktrimi nga fillimi deri në fund, por do të donte që shfaqja të kishte brenda saj disa “goditje” që do ta rrëmbenin publikun.

Papagjoni vlerësoi dramaturgun dhe regjisoren që kanë potencë për të ofruar për publikun shfaqje të mira, ndërsa tha se i pëlqeu fakti që shfaqja pati në veten e saj pastërti në tekst, regji, e që nuk pati tepri, zhurma të panevojshme e mbivendosje, dhe edhe te aktorja vlerësoi pastërtinë e shqiptimit të fjalës, nga ana e saj…

Përndryshe, në natën e fundit të Festivalit “Talia e Flakës’, do të jepet shfaqja “Në dorë të fatit…”, nga Teatri “Petro Marko” – Vlorë, me autor Ledian Gjeçi e regji të Arben Kumbaro, ndërsa pas shfaqjes, juria do t’i bëjë publike edhe fituesit e çmimeve dhe do të bëhet mbyllja e Festivalit “Talia e Flakës”, për t’i lënë vend aktiviteteve tjera të parapara në kuadër të Manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit 2018” që do të vazhdojnë deri më 31 janar./KultPlus.com

Të ngjajshme