“Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit Online” me pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqip folëse

10 Shkurt, 2021 - 2:00 pm

Në ambientet e Teatrit Kombëtar, u prezantua projekti më i fundit për mbajtjen e “Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit Online” që do të organizohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, Kujtim Spahivogli.

“Teatri Vazhdon” do të jetë edhe slogani i këtij festivali në të cilin do të marrin pjesë 20 trupa teatrore nga të gjitha trevat shqip folëse me shfaqjet më të mira të repertorit të secilit teatër pjesëmarrës në këto pesë vitet e fundit.

Festivali do të ngrejë siparin me shfaqjen e parë që do të vij për publikun më datat 23 shkurt deri më 14 mars në orën 19-00 dhe do të transmetohet Livestream në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar dhe teatrit konkurrues gjithashtu.

Për 20 mbrëmje rresht, këto shfaqje do të konkurrojnë me njëra tjetrën dhe në fund të këtij kompeticioni do të ketë edhe çmime të kategorive të ndryshme si shfaqja më e mire, regjia më e mire, aktori protagonistë më i mirë, aktorja protagoniste më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë jo protagoniste, çmimi i karrierës dhe një çmim tjetër i rëndësishëm do të jetë gjithashtu edhe çmimi i publikut, i cili do të votojë për shfaqjen e tij të preferuar.

Në lidhje me këtë eveniment dhe jetën artistike teatrore, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “të gjithë duam të rikthehemi në salla, por ne jemi duke respektuar rregullat për sa kohë nuk kemi një vendim të marrë nga “Komiteti i Ekspertëve”, ne do të vazhdojmë me këtë sfidë që pandemia na lejon”.

Ky festival vjen si risi dhe ka edicionin e tij të parë, pasi nuk është organizuar ndonjëherë tjetër. Kjo ide lindi prej institucioneve artistike në vend, për shkak të kufizimeve dhe pamundësisë së vënies së shfaqjeve në skenë për publikun e gjerë.

Qëllimi i këtij festivali është që jeta artistike në vend të vazhdoj dhe publiku të mund të ndjekë këto shfaqje kudo që të ndodhet, mjafton të hyj në faqen zyrtare të teatrit në rrjetin social facebook./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme