Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, “Prizren Fest” zbulon programin e plotë për edicionin e radhës

18 Korrik, 2023 - 12:36 pm

Vetëm katër ditë na ndajnë nga fillimi i edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur- Prizren Fest, i cili mbahet në Prizren, përcjell KultPlus.

Që nga data 22 deri më 28 Korrik, artdashësit do të kenë mundësi të jenë pjesë e një javë të mbushur me aktivitete të shumta që do të mbahen në kuadër të Prizren Fest-it.

Në këtë vit për dallim nga viti i kaluar, programi i shfaqjeve është dyfishuar. Në natën e hapjes me 22 Korrik, do të shfaqet “Maidan Inferno” nën regjinë e Clement Peretjatko (Ukrainë-Francë) nga ora 20:30 në Kino Lumbardhi, për të vazhduar në netët në vazhdim deri me 28 Korrik, me shfaqje nga Italia, Çekia, Bullgaria, Greqia, Sllovakia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

Në veçanti në këtë edicion Prizren Fest ka menduar edhe për fëmijët, ku gjatë gjithë javës ka program shumë të pasur për më të vegjlit.

Pjesë e programit plotësues janë edhe punëtoritë për të rinjë, ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi që t’i zgjerojnë njohurit e tyre për teatrin nga ekspertë evropian.

Jo më pak të rëndësishme janë dy konferencat që do të mbahen me datën 26 dhe 27, tek Shtëpia e Shani Efendisë.

Lokacionet që do të jepen shfaqjet janë: Kino Lumbardhi, Kino Plato, Abi Carshia, Oborri i Lidhjes së Prizrenit, Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare, Sinan Pasha Kej, Teqja e Halvetive, Platforma në Lumë.

E sigurisht që ky edicion i Prizren Fest-it,  do të ishte i pamundur pa mbështetjen e sponzorëve kryesor që janë- Komuna e Prizrenit, Ministria  e Kulturës, Rinisë dhe Spotit si dhe Banka Ekonomike. / KultPlus.com

Të ngjajshme