Florent Mehmeti në 16 vjetorin e Teatrit “ODA”: Luftojmë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare

2 Mars, 2019 - 10:14 pm

Alberina Haxhijaj

Gjashtëmbëdhjetë vite më parë në Prishtinë është krijuar Teatri i pavarur ODA, e menduar si një nismë për t’i hapur rrugën Skenës së Pavarur Kulturore në vend.

Mbrëmë gjithë kjo punë u shënua përmes premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus. Shfaqja e parë e realizuar në teatrin ODA – “Monologët e Vaginës”, premiera e të cilës u dha me 1 mars të vitit 2003 i’u hapi rrugë shfaqjeve të shumta të cilat erdhën në kuadër të këtij teatri i cili përmes punës së tij vendosi shumë shpesh emrin e Kosovës në hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.

Themeluesit e këtij teatri, aktori Lirak Çelaj dhe regjisori Florent Mehmeti, atëherë besonin se në të ardhmen mundësitë që Skena e Pavarur Kulturore të lulëzonte në Kosovë do të ishin shumë të mëdha. Si themelues, ata mendonin se do t’u mbetej që të realizonin shfaqje të cilat denjësisht do ta përfaqësonin Teatrin ODA në atë skenë, mirëpo 16 vite pas, ata akoma luftojnë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare.

Madje Mehmeti thotë për KultPlus se ndihen edhe të vetmuar, pasi që Skena e Pavarur Kulturore akoma mbetet e zbehtë.

“Ne ndihemi goxha të vetmuar në këtë anën e teatrit të pavarur. Nëse dikush do të më kishte thënë në vitin 2003 që do të jetë kështu skena, nuk do e kisha besuar. Nëse dikush do të më kishte thënë që do jetë kështu e vështirë edhe pas 16 viteve, duke harxhuar shumë energji për mbijetesë, ndoshta ish ulë shumë kjo kurajo dhe ky motivim. E them me keqardhje që një pjesë e madhe e energjisë harxhohet në mbijetesë, e kisha dashtë me e pa këtë energji të kanalizume në produktivitet për me kriju dhe me prodhu më shumë në atë që edhe jemi të thirrur, për krijime artistike”, theksoi ai.

Mirëpo me shumë kokëfortësi për të bërë ballë ndaj sfidave dhe me shumë dashuri për punën që bën, ky teatër iu ka rezistuar viteve. Rrethuar nga shumë artistë të rinj dhe nga miq të vjetër të cilët hapat e parë i morrën në këtë teatër, dyert e Odës akoma mbesin të hapura. Gjenerata të ndryshme të aktorëve akoma kalojnë kohë në këtë hapësirë duke punuar dhe duke ndikuar në diversifikimin e kulturës në vend. Oda gjatë këtyre viteve ka shërbyer si një pikë gravitacioni për të sjellë risi në skenën teatrore, duke qenë e hapur për ide dhe eksperienca teatrore të cilat ndoshta nuk do të kishin gjetur rehati në skenat që janë institucionale. Fuqinë e gravitacionit e gjejmë edhe te shfaqja “Graviteti” shkruar nga Lirak Çelaj dhe me regji të Florent Mehmetit e cila erdhi përmes lojës së aktorëve Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.

Tërësia e shfaqjes u krijua përmes kronikave të shkurta të cilat u shfaqën brenda kornizave të varura në skenë, duke krijuar kështu një mozaik të ngjarjeve dhe periudhave të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Filloi nga Skënderbeu, të emigrantët e parë të Shqipërisë, lufta në Kosovë, familja Jashari e deri te ata që kanë migruar, ata që janë kthyer e ata që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. “Fillimi i shtjellimit të idesë për këtë shfaqje ka qenë me u marrë me lidhjen që ka shqiptari me vendlindjen. Në këtë mënyrë, përmes shfaqjes u krijua edhe një rrugëtim artistik që sillet rreth lidhjes gravitacionale me vendlindjen, prej problemeve shumë të vogla e deri të lidhjet që janë edhe me të mëdha, sublime, ku njerëzit edhe janë flijuar për këtë vend”, theksoi Mehmeti.

“Jemi duke jetuar në një kohë kur atdhedashuria është duke u bërë pak bajat prej politikanëve të skenës politike dhe po mendoj që arti ka ndoshta mision që me e ushqye këtë punë për ata që iu pëlqen me pa tema të tilla por në një mënyrë më origjinale. Ne si Odë tregojmë histori për të treguar një pozicion tonin karshi kësaj shoqërie ose fenomeneve që ndodhin”, theksoi ai.

Aktorja Daniela Markaj e cila ishte pjesë e kastës së aktorëve tha për KultPlus se sjellja e disa karaktereve ka qenë mjaft sfiduese në fillim, mirëpo falë punës regjisoriale, karakteret kanë krijuar një lidhshmëri dhe e kanë nxjerrë më të bukurën e kësaj shfaqjeje. “Me Teatrin ODA për herë të parë kam punuar para dy viteve në kuadër të festivalit Hapu. Vitin e kaluar pikërisht me 1 mars, për 15-të vjetorin e teatrit kam luajtur në shfaqjen ‘Lufta e Tretë Botërore’ pas saj filluam projektin e ri e që kishte si temë lidhjen e shqiptarëve me vendin e tyre, një proces shumë i lezetshëm dhe me shumë diskutime, se qysh me i lidh skenat dhe pastaj edhe një muaj prova. E bukura e këtij teatri si skenë e pavarur është që ODA iu jep shumë mundësi aktorëve të rinj që me e prezantu veten dhe kjo është shumë e rëndësishme për aktorët e rinj dhe për artistët. Kemi goxha shumë aktorë dhe duhet me u kriju hapësirë dhe me iu jep mundësi dhe teatri ODA e bën këtë”, theksoi ajo.

Kjo shfaqje i solli ndërmend regjisores Zana Krasniqi- Hoxha se sa shumë artistë gjatë këtyre viteve ka zbuluar teatri “ODA”. Kjo mbrëmje për të ishte një rizbulim i faktit që ky teatër mbanë akoma gjallë frymën e pavarur artistike. “Shfaqja sonte ishte një tragjikomedi, do të thoja, për faktin se trajton një pjesë të dhimbshme të historisë sonë, por meqenëse është 20 vjetori i çlirimit të Kosovës mua më duket që është bërë me qëllim një trajtim i tillë, pikërisht për historinë e këtij 20 vjeçari dhe ka copëza te historisë sonë që të prekin emocionalisht por nganjëherë të bëjnë për të qeshur me disa situata me të cilat ne identifikohemi shumë lehtë “, tha ajo.

 Shfaqja “Graviteti” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme