“Fondi i teatrit për të rinj” gjallëron teatrot me produksione nga të rinjtë

27 Shtator, 2022 - 11:15 pm

“Rini e Çmenduri” është drama e fortë e John Osborne-it, e vënë në skenë nga një grup artistësh të rinj. Produksioni vjen në kuadër të “Fondit të teatrit për të rinj”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe nga Teatri “Bylis”.

Drama me regji të Alba Shtëmbarit, dhe me aktorë Ledian Gjeçin, Antonela Cinën, Ana Kuqon e Ergi Hasanin, trajton problemet e ankthshme të një martese individësh inteligjentë, por me disbalanca sociale dhe ekonomike. Në qendër të dramës është kriza e një shoqërie indiferente, të korruptuar, pa moral e pa ambicie për dije.

“Rini e Çmenduri” është një dramë e cila na bën të shohim qartë pasojat që sjell indiferenca, dhe shkatërrimin që sjell zemërimi. Një dramë e cila na trondit, por njëkohësisht edhe na zgjon.

Trupa që e vuri ne skenën e Teatrit “Bylis”, dramën “Rini e Çmenduri” ka marrë vlerësimin e regjisorëve e artistëve të njohur të skenës. Ata i kanë vlerësuar përpjekjet e të rinjve pasionantë e këmbëngulës.

Ndërkohë, në qytete të ndryshme të vendit, janë u përgatitur për vënie në skenë, të tjera vepra teatralë, të cilat kanë gjetur mbështetjen e “Fondit të teatrit për të rinj”.  Pas suksesit që pati “Kjo rinia jonë”, e vënë në skenën e teatrit të Korçës “A.Z. Çajupi”, është duke u përgatitur “Muji dhe Halili”, me regji të Ina Morinaj, “Madhështia e marrëzisë” me regji të Ajlin Petrelës, si dhe “Lojëra në oborrin e pasëm”, me regji të Kjara Gjergjit e që do të vihet në skenën e Pallatit të Kulturës “Ndue Shyti”, Pukë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme