Fondi i Teatrit për të Rinj sjell në “Skampa” një shfaqje frymëzuar nga Migjeni

3 Nëntor, 2023 - 10:00 pm

Në Teatrin “Skampa” të Elbasanit është vënë në skenë shfaqja teatrore “M’i gjeni këngët e rinis”, frymëzuar nga vepra e plotë e Migjenit. Me regji të Ina Morinaj, publikut i janë prezantuar disa histori:

Studenti emigrant rikthehet në një shtëpi që tashmë i duket e huaj. Ai duhet të përballet me nostalgjinë për jetën që la pas dhe realitetin mbytës të vendit të tij. Njerëzit që gjen në shtëpi janë po të njëjtët, por atij i duken më të largët se kurrë. Ndërkohë merr vesh dhe një lajm – e motra do të martohet.

Historia e dytë është ajo e një 30-vjeçari që ndihet tashmë i plakur. Jeta për të ndryshon me ritme të shpejta dhe tashmë i duket sikur nuk ka më fuqi e mbështetje për asgjë. Dëshirat që ka janë të papërshtatshme për kohën – dashuria romantike, shtëpitë e vjetra janë tashmë të dala mode.

Historia e fundit trajton se si të rinjtë gjithmonë e më tepër e ndjejnë se si iu humbet shpresa në vendin ku jetojnë. Për ta rrugëdalja e vetme është largimi, por me kokën gjithmonë mbrapa.

“M’i gjeni këngët e rinis” vjen me interpretimin e Ilia Kaçi, Silvio Goskova dhe Matia Llupa. Kjo vepër është një nga 10 projektet fituese të “Fondit të Teatrit për të Rinj”, mbështetur nga Ministria e Kulturës. Shfaqja teatrore do të vijojë dhe në datat 3, 4 dhe 5 nëntor për publikun.

“Fondi i Teatrit për të Rinj” është një nismë e Ministrisë së Kulturës dhe për vitin 2023 nga 37 aplikime u përzgjodhën 10 fitues. Mes tyre, artistët e rinj kanë propozuar 5 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 5 të dramaturgjisë së huaj. Projektet teatrore përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental në bashkëpunim edhe me teatrot e rretheve./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme