‘Goca e Kaçanikut’, madhështia e operës së parë kosovare vjen në Prishtinë 45 vjet pas premierës së parë

24 Shkurt, 2024 - 10:33 pm

Flonja Haxhaj

Gati gjysmë shekulli pasi u vu në skenë për herë të parë në Tiranë, opera e parë kosovare ‘Goca e Kaçanikut’ e kompozitorit Rauf Dhomi dhe me libret nga Ajmone Dhomi e Jusuf Buxhovi erdhi mbrëmë në Prishtinë, në një shfaqje që dhuroi një moment kulminant në fillimet e Operës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Premiera e kësaj opere solli një nate magjike me një numër të madh të artistëve në skenë, të drejtuar me profesionalizëm dhe pasion nga regjisori i njohur, mjeshtri i madh, Nikolin Gurakuqi.

“Goca e Kaçanikut”, opera me dy akte dhe tri tablo, sjell para publikut temat e rëndësishme të dashurisë për atdheun, bukurisë dhe trimërisë së gruas shqiptare. Kjo është personifikuar në mënyrë të mahnitshme përmes karakterit të Pafikës, të cilën sopranoja Adelina Paloja e shfaqi me një interpretim të jashtëzakonshëm.

Regjisori Nikolin Gurakuqi ka arritur të sjellë në skenë një interpretim të ngjashëm me shpirtin dhe thellësinë e veprës, duke e bërë kështu operën të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë, përcjellë nga orkestra e gjallë në skenë që u drejtua nga dirigjenti Edon Ramadani.

Si përfundim, kasti i shkëlqyeshëm, balerinët, kori, okestra dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë shfaqje, u përshëndetën nga një duartrokitje e ngrohtë dhe disa-minutëshe nga publiku.

I pranishëm në premierën e operës ‘Goca e Kaçanikut’ ishte i pranishëm vetë kompozitori Rauf Dhomi, i cili shkroi këtë operë në vitin 1972, dhe 55 vite pas premierës së parë, ajo vjen në Prishtinë. E për Dhomin, kjo shfaqje ishte shumë me e ngrohtë sepse po shfaqej në vendin që e njeh këtë histori.

“Po, kjo premierë për mu është ma e ngrohtë, ma për zemër, se po i shoh të gjithë meqë tema është e vendit tonë dhe të gjithë janë të gëzuar. Kjo është një një sugjerim për qeverinë që në këtë sallë nuk është premiera kompakte, sepse kjo sallë nuk është teatër. Besoj shumë që pas premiere do të kemi edhe shtëpinë e operas”, u shpreh për KultPlus kompozitori Dhomi.

E për të vënë në skenë pas  55 vitesh operën e parë kosovare ‘Goca e Kaçanikut’ u përkujdes regjisori Nikolin Gurakuqi. Pas shfaqjes, ai tha për KultPlus se pas provave një mujore, intensive, arritën të sjellin një natë magjike mbrëmë.

“Jam shumë i kënaqur me performancën. Nga provat deri tek shfaçja gjithçka erdhu në rritje dhe shkoi perfekt e pa defekte dhe kjo është dëshira e të gjithë atyre që ngjiten skenë, por edhe e regjisorit dhe dirigjentit që e drejtojnë shfaqjen dhe unë isha ulur atje te pulti i ndriçimit dhe e kam parë shfaqjen si një spektator i thjeshtë, me kënaqësinë më të madhe”, theksoi Gurakuçi duke shtuar ndër të tjerash se me shumë punë, arritën të çojnë shfaqjen në këtë nivel.

Pas performancës së saj në rolin e Pafikës, personazhit kryesor në këtë opera, për KultPlus foli vetë sopranoja Adelina Paloja, e cila e përshkruan këtë moment si një nga momentet kulminante në karrierën e saj në Kosovës.

“Sonte jam jashtëzakonisht e emocionuar. Është ndoshta momenti kulminant i karrierës sime këtu në në Kosovë.Për vetë faktin se e tillë është edhe premiera, është historike, jo më kot dhe jo rishtazi, por që pesdhjetë e tri vite i është dashur që të piqen kushtet që më në fund kjo opera të prezantohet dhe të inskenohet përpara publikut kosovar aty edhe kur ka filluar e gjithë historia të them”, theksoi Paloja.

“E bekuar me pritjen që më është bërë nga publiku dhe këtë rol ia dedikoj të gjitha femrave shqiptare ato të cilat historikisht kanë qenë vetëfliuese, kanë qenë aty ku është dashtë, me pasë pushkën në dorë, kanë qenë aty ku ka kërku familja dhe kanë qenë çdoherë duke mos e pasë veten në radhë të parë dhe duke rreziku edhe në këtë rast, siç ishte edhe vetë roli i pafikës, momenti ndoshta kulminant i gjithë operëskur ajo e vret tradhtarin, Rusbashin, një shqiptar, domethënë i cili tradhton popullin e vet dhe mundohet që për përfitime personale”, tha më tutje Paloja, duke shprehur se pavarësisht vështirësive, përfshirë këtu edhe performancën e një opere në gjuhën shqipe, megjithatë sipas saj, shkoi gjithçka siç ishte planifikuar.

Një nga rolet që përçoi emocioe të mëdha në publik është padyshim edhe ai i plakut e që u mishërua nga bas-baritoni Hektor Lekaj. Lekaj për KultPlus e përshkruan këtë performancë si një eksperiencë tejet të veçatë dhe që e ktheu atë në këndimin shqip pas 30 vitesh.

“Atëherë, unë në Shqipëri nuk kam kënduar dhe nuk kam qenë i ftuar në tridhjetë vjet. Është ftesa e parë për mua që kur jam në Itali që këndoj në shqip. Është hera e parë që vij në Kosovë dhe ia di për nder gjithë jetës Kosovës. Edhe ky produksion ishte shumë i veçantë për një seri arsyesh, pasi në premierën e vitit 1979, nëna ime ishte mjeshtre kori në Teatrin e Operës edhe kam qenë i vogël kur kam parë shfaqjen e parë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë që do të vija e të këndoja protagonist në po këtë opera në Prishtinë. Për mua është një eksperiencë shumë e bukur”, u shpreh Lekaj duke thënë mes tjerash që do të largohet nga Kosova me një notë melankolie kjo për shkak të mikpritjes që iu bë këtu.

Pasi u paraqit në rolin e Trimorit, në njëprej roleve kresore në operën ‘Goca e Kaçanikut, për KultPlus foli tenori Ismet Vejseli.

“Sot ka qenë një datë historike përfundimisht për operën e Kosovës dhe për gjithë ne është shumë kënaqësi, po edhe shumë emocion i madh që shfaqim këtë operë para publikut kosovar, kështu që ne jemi më se të lumtur, e gjithë ekipa dhe të gjithë solistët, bashkë me dirigjentin e me regjisorin. Gjatë provave, disponimi ka qenë fantastik, sepse regjisori Nikolin Gurakuqi është regjisor veçse me emër që  ka punuar tetëdhjetë opera e kjo është edhe tetëdhjetëenjëta e tij.Kemi bërë afër tridhjetë ditë prova të pandalshme”, tha Vejseli, duke shtuar më tutje se për të është kënaqësi e madhe që ka punuar me regjisorin Gurakuqi.

Ndërkaq, për këtë premierë dhe për rrugëtimin që ka nisur Opera e Kosovës, foli vetë drejtori i këtij institucioni, Meriton Ferizi.

Ne kemi pasë disa paraqitje prej vitit 2021, që kur është themeluar Opera e Kosovës, por kjo ishte kombëtare edhe me një emocion krejt ndryshe edhe nga kori i orkestrës, solistëve, sepse edhe ngjarja është shumë aktuale, sepse flitet për luftën për liri, ku edhe ne e kaluam shumë shpejt dhe gjithë me atë është vepër kombëtare, meloditë, e kanë këndu me shumë emocione dhe është ndryshe sesa një vepër e huaj. Kështu që e kemi edhe obligim si institucion që të gjitha veprat kombëtare t’i kemi në repertor  të përvitshëm edhe ato që janë të më të mirat botërore, që lëvizin dhe janë në repertoret e teatrove prestigjoze nëpër botës”, tha Ferizi për KultPlus.

Ndërkaq, repriza e operës ‘Goca e Kaçanikut’ do te jepet nesër më 25 shkurt./KultPlus.com

Të ngjajshme