“Gratë” nga Shkupi, triumfon në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

29 Tetor, 2018 - 12:42 pm

Mbrëmë me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” nga Teatri i Qytetit- Gjilan, u mbyll edicioni i 48-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ku për tetë netë me radhë në skenën e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u ngjitën trupa teatrore nga Shkupi, Korça, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Kumanova, Ferizaj, dhe shfaqja mysafire “Le Pont” nga Franca me dy aktorët e kalibrit botëror, Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj.

E veçanta e këtij edicioni të 48-të Festivalit të Teatrove në Ferizaj ishte konkurrimi me katër drama shqipe si dhe pjesëmarrja e shfaqjes mysafire nga Franca. Sipas komunikatës së Komunës së Ferizajt, mijëra artdashës zunë vendet e tyre për të përcjellur çdo natë shfaqjet e programit të sivjemë të Festivalit.

Pas tetë netësh shfaqje teatrore të produksioneve ndër më të mira të sivjemë, juria e festivalit e përbërë nga Fadil Hysaj, Blerta Rrustemi-Neziraj dhe Nexhat Xhokli dhanë këtë vlerësim:

1. Çmimi i gazetarëve ferizajas, Shfaqja “Gratë”, Teatri Shqiptar- Shkup;

2. Skenografia më e mirë: Mentor BERISHA, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu”-Prizren;

3. Kostumografia më e mirë: Samka FERRI, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren;

4. Roli më i mirë episodik: Vjosa ABAZI, Teatri “Adriana” -Ferizaj;

5. Roli dytësor më i mirë (Femër): Armenis Jovanovska Nokshiqi, Teatri Shqiptar -Shkup

6. Roli dytësor më i mirë (Mashkull): Avni Shkodra, Teatri Qytetit-Gjilan

7. Aktorja më e mirë – Çmimi “Adriana”: Elia ZAHARIA, Teatri ”Andon Zako Çajupi” – Korçë;

8. Aktori më i mirë – Çmimi “Ismail Rama”: Shpëtim Selmani, Teatri Kombëtar i Kosovës

9. Regjia më e mirë: Qëndrim RIJANI, Teatri Shqiptar-Shkup

10. Çmimi për shfaqjen më të mirë të festivalit: shfaqja “Gratë” Teatri Shqiptar-Shkup.

Për tetë netë të festivalit, pas çdo shfaqje u mbajtën diskutime për shfaqjen të udhëhequra nga Haqif Mulliqi. Në këtë edicion të Festivalit në dërrasat e Teatrit “Adriana” u ngjitën mbi 100 aktorë dhe pati mbi 2000 shikues./ KultPlus.com

Të ngjajshme