Hajrulla Çeku: Lumi u nda prej nesh në moshë të re, por pas vetes la shumë vepra dhe kujtime të pavdekshme

30 Korrik, 2021 - 7:00 pm

Janë bërë tre vite prej kur regjisori i njohur i teatrit, Bekim Lumi ka ndërruar jetë.

Ishin të shumtë ata që sot në këtë tre vjetor e përkujtuan regjisorin e ndjerë me fjalë e lavdata të mëdha.

Ndër ta ishte edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, përkujtoi regjisorin Lumi duke theksuar se ky i fundit la pas vetes shumë vepra dhe kujtime të pavdekshme.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Hajrulla Çeku.

Tri vite pa regjisorin Bekim Lumi

Është e vështirë të shkruash për një njeri që reflektonte aq shumë energji dhe aq shumë shpirt e prezencë, me qasje shumëdimensionale në veprimtarinë e tij, ku fokus kishte absolutisht çdo veprim skenik, çdo fjalë e lëvizje jo vetëm e aktorëve, por edhe objekteve në skenë.

Pasioni dhe dashuria që kishte Bekim Lumi për artin është shembull që duhet të ndjekim të gjithë në punën që bëjmë. Ai konsiderohet si regjisori i shfaqjeve më të mira në teatrin e Kosovës në dy dekadat e fundit.

Regjisori Bekim Lumi u nda prej nesh në moshë shumë të re, por pas vetes la shumë vepra dhe kujtime që e bëjnë të pavdekshëm.

Një jetë pranë Teatrit, Bekim Lumi ishte njëri prej shtytësve kryesorë të progresit të teatrit në Kosovë dhe shembull i përkushtimit në punë. Këtë nuk e bëri vetëm përmes shfaqjeve, por edhe si studiues. Ai ishte kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja”, si dhe autor i dhjetëra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë.

Na mungon shumë dhe do ta kujtojmë gjithmonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme