Haradinaj: Qeveria e vendit do t’i kushtojë vëmendjen e merituar baletit

20 Dhjetor, 2018 - 11:53 am

Baleti Kombëtar i Kosovë është  duke u ballafaquar me vështirësi tash e sa kohë, por që kërkesa e tyre thelbësore mbetet krijimi i sallë së baletit, shkruan KultPlus.

Për të biseduar rreth mundësive më të mira për zhvillimin e punës, Bordi Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës është pritur sot në takim nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjatë  këtij takimi ata kanë biseduar rreth mundësive përmes të cilave ky art do të ngrihet në këmbë më fuqishëm dhe vlerat e tij do t’i tregojë  jo vetëm në Kosovë por edhe në rrafshin ndërkombëtar, ashtu siç kanë bërë  gjithmonë.

Kryeministri Haradinaj ka premtuar që qeveria e vendit, do t’i kushtojë vëmendjen e merituar këtij institucioni.

“Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e identitetit tonë kulturor dhe në historinë e tij gjysmëshekullore ka arritur suksese impresive edhe në arenën ndërkombëtare. Me përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, biseduam për mundësitë e ngritjes së mëtejme të këtij arti, si një nga parametrat e vlefshëm të Kosovës në botë. Qeveria e vendit, do t’i kushtojë vëmendjen e merituar këtij institucioni, që baleti ynë të vazhdojë punën e tij sipas dinamikave të parapara.”, ka shkruar Haradinaj në  Facebook. / KultPlus.com

Të ngjajshme