Historia e mikpritjes shqiptare ndaj hebrenjve, përmes Teatrit Oda do të shpaloset në New York

26 Mars, 2019 - 11:30 am


Alberina Haxhijaj

“Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e cila ka bërë së bashku Teatrin ODA dhe BlessedUnrest, një bashkëpunim i cili ka nisur që nga viti 2005. Gjashtë turne janë organizuar gjithsej deri tash në Ballkan, Evropë dhe në Nju Jork, përfshirë edhe projektin “Doruntine” që ka pasur dy turne të suksesshme në Amerikë dhe ka fituar Çmimin e Festivalit “Secondo” në Cyrih, Zvicër, shkruan KultPlus.

“Strehim” (“Refuge”) përcjell një grua të re hebreje e cila fillon një udhëtim zbulimi në një fshat të largët shqiptar. Ajo zbulon të vërtetën e shpëtimit të familjes së saj dhe të atyre që rrezikuan gjithçka për t’iu siguruar strehim. Shfaqja është bazuar në ngjarje reale në të cilat mijëra refugjatë hebre të Luftës së Dytë Botërore u strehuan nga familjet në Shqipëri e Kosovë dhe vise tjera shqiptare. Megjithëse nën okupimin nazist, asnjë hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit nga Shqipëria, dhe Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.

Në një intervistë për KultPlus, FlorentMehmeti nga Teatri Oda theksoi se kjo është një histori shumë pak e njohur botërisht dhe teatri është një formë e duhur për të ndriçuar këtë histori unike.

“Bashkëpunimi jonë me BlessedUnrest gjithmonë ka qenë i koncentruar në traditën, historinë dhe kulturën shqiptare. Përderisa Besa si temë kryesore ka qenë baza e punës tonë të mëparshme në shfaqjen “Doruntina”, në këtë shfaqje ‘besa’ vjen në një formë tjetër, atë të mikpritjes shqiptare që ka mundësuar strehimin e hebrenjve ndër shqiptarë duke i integruar ata në familjet shqiptare dhe shpesh duke iu dhënë edhe emra shqiptarë. Duke u inskenuar në New York si premierë botërore, “Strehim” flet fuqishëm përmes historisë për bashkëkohësinë, ku në botën e sotme kërkimi i strehimit dhe gjetja e strehimit janë shumë të pranishme në shumë vende të botës. Duke i shtuar këtu edhe elementet e kohës kur shqiptarët e Kosovës ishin të strehuar, 20 vjet më parë, e histori këto dhe elemente që do të jenë pjesë përbërëse e shfaqjes, ky projekt merr një kuptim shumë të thellë dhe vlera të shumta për t’u ndarë me publikun amerikan por edhe shqiptar në New York”, theksoi ai.

Doruntine, 1st prize winner at Secondo Festival, Switzerland. Blessed Unrest & Teatri Oda. Photo by Alan Roche.

Mirëpo edhe pse një projekt mjaft premtues, ekipi prapa shfaqjes “Strehim” janë duke hasur në vështirësi financiare për realizimin e këtij projekti dhe kanë kërkuar ndihmë edhe nga njerëzit për të sjellë historinë e cila në qendër të saj ka vënien në pah të ndihmës që shqiptarët iu kanë dhënë hebrenjve gjatë luftës.

“Përderisa një pjesë e financimit është siguruar, nuk kemi gjetur ende përkrahje nga institucionet e vendit, dhe përpos kësaj ende kemi nevojë të gjejmë fonde shtesë për realizimin e projektit. Deri më 31 mars po vazhdon kampanja për mbështetjen e projektit nga individë donatorë në ‘KIckstarter’”, ka treguar Mehmeti.

Të gjithë ata qëdëshirojnë që të ndihmojnë në realizimin e kësaj shfaqje e cila do të prezantoj traditë, historinë dhe kulturën shqiptare edhe para audiencës amerikane mund të klikojnë këtu për të dhënë kontributin e tyre.

Shfaqja është dy gjuhësore në të njëjtën kohë edhe anglisht edhe shqip dhe mund të kuptohet nga publiku anglishtfolës që nuk kupton shqip dhe anasjelltas.

Premiera e “Strehim (“Refuge”) do të jetë më 25 prill në BaruchPerformingArtsCentre në Manhattan në NewYork, për të vazhduar me shfaqjet deri më 11 maj 2019.

Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërëJessicaBurr dheFlorentMehmeti, teksti është realizuar nga MattOpatrny, FlorentMehmeti dheansambli i aktorëve. Aktorët e kësaj shfaqje nga Teatri Oda janë:Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe Ilire Vinca ndërsa nga BlessedUnrest janë Nancy McArthur, Becca Schneider dhe Perri Yaniv. Muzika: Metropolitan Klezmer, featuringIsmailButera, DebraKreisberg, Eve Sicular. Për skenografi janë kujdesur TeddyJefferson dheSonyaPlenefisch ndërsa kostumet janë realizuar nga CaitlinCisek. Ndriçimi nga JayRyan kurse dizajni i kolonës zanoreAdrianBridges./ KultPlus.com

Photo by Maria Baranova

Të ngjajshme