Historia u gdhendë me ‘Një legjendë dashurie’ e me ‘Këmbë’, Trupa e Baletit të Kosovës mrekulloi audiencën kosovare

22 Shtator, 2017 - 1:46 pm

Sarandë Selimi

Tepihu i kuq ishte shtruar. Shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishin zbukuruar me vazo nga qelqi në të cilat kishte qirinj. Veçantia e kësaj mbrëmje vërehej që në hyrje. E ndryshe nga herët e kaluara gjithçka nisi me një fjalë rasti nga drejtori i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimaj. Ai me këtë fjalim tregoi për të gjithë të pranishmit që mbrëmja e së enjtes dhe premiera që do të shfaqej pas çastit që ai përfundon fjalimin, janë pikërisht për 45 vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Këtë mbrëmje u prezantua edhe monografia e titulluar ‘Këmbë’, që është shkruar nga Naser Shatrolli, shkruan KultPlus.

Një premierë që do të mbahet mend gjatë nga audienca e këtij institucioni, duke sjellë pas vete edhe një monografi që jo rastësisht është titulluar ‘Këmbë’. 45 vite jetë. Me shumë vështirësi, nga më të ndryshmet Baleti Kombëtar i Kosovës dëshmoi se qëndroi në këmbë, edhe atëherë kur lufta shkatërroi gjithçka, qëndroi në këmbë edhe përkundër mospërkrahjes institucionale, qëndroi në këmbë duke iu bërë ballë të gjitha vështirësive, për të shkëlqyer më 21 shtator ku festuan këtë jubile, që në skenën e madhe të Teatrit Kombëtarë të Kosovës solli për herë të parë, nën petkun e kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.

Artdashësit e këtij institucioni kulturor paksa u çuditën më ardhjen e kryeministrit. Por nuk ishte e jashtëzakonshme të çuditen, pasi që, pas 17 vite që Kosova gëzon lirinë nga okupatori serb, ishte Haradinaj që ia bëri sefte një ngjarjeje kulturor.

Holli i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte i stërmbushur me njerëz. Karriget ishin të pakta por qëndrimi në këmbë nuk ishte problem i madh për ta. Skena u errësua dhe atë e pushtuan balerinët të veshur me veshje jashtëzakonisht të bukura me motive kombëtare. Skenografia paraqiste malet e Sharrit, kullat shqiptare, Ujëvarën e Drinit e krejt në fund në këtë skenografi mahnitëse u vendos edhe flamuri kombëtar. E krejt kësaj mrekullie iu shtuan edhe tingujt e krijuar nga i madhi Rexho Mulliqi.

“Jam i lumtur, së pari që arritëm ta festojmë këtë ditë meqë kemi kaluar nëpër shumë probleme edhe si shtet edhe si popull edhe si komb dhe kryesorja është që e festuam 45 vjetorin në liri. Dhe e dyta jam i kënaqur me rezultatet e shfaqjes, publiku e mirëpriti dhe kryeministri Haradinaj na nderoj me ardhjen e tij, duke qenë se është kryeministri i parë që ka ardhë në një premierë. I vlerësoj të gjithë këta shikues që e duartrokitën kaq gjatë”, tha me pak fjalë për KultPlus, drejtori Ahmet Brahimaj.

‘Një legjendë për dashurinë’, erdhi në trojet shqiptare. Në oxhakun e Bardhëve lindi vajzë. Vendosën ta quajnë Borana (Teuta Krasniqi) me rastin e borës së parë. Borana rritet dhe bëhet vajza më e bukur në fshat. Të gjithë e duan. Djemtë e fshatit çmendeshin për bukurinë e saj. Bajrori (Fatmir Smani, Sead Vuniqi) dhe Ujkani (Sinan Kajtazi, Donmir Bilalli) janë dy djemtë që shprehin dëshirë të miqësohen më të. Borana ua vë një kusht të dyve. Ajo thotë se cili do ta rrëmbejë shaminë e kuqe do të miqësohet me të. Shaminë e rrëmben Bajrori dhe këtu nis gjithçka. Ujkani nga xhelozia e tepërt vendos të hakmerret.
Komplet këtë vepër e solli mjeshtri i koreografisë Pullumb Agalliu. Agalliu, për KultPlus, nuk i fshehu emocionet që kishte. Ai tha se tashmë ka realizuar ëndrrën. Koreografi rreth 70 vjeçar, që nga lozha ku shikonte balerinët tek luanin në skenë, luante bashkë me ta. Lëvizjet e tij ishin për tu admiruar dhe në fund u kënaq me suksesin.

“Çdo koreograf, çdo artist mundohet të bëjë çdo gjë gjithmonë mirë, por kjo është një shfaqje e veçantë për 45 vjetorin por gjithashtu ka edhe një të veçantë tjetër sepse është një shfaqje për mua e para kombëtare dhe e dyta pas ‘Halilit dhe Hajries’ ku aty isha asistent. Unë e realizova një ëndërr. Balerinët e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për mua janë yje, ata shkëlqejnë dhe është nga trupat më simpatike që unë i admiroj duke nis nga vajzat e djemtë më të vogël e deri tek Sinani që është artist i përkryer, Teuta, Jeta e të gjithë me rend”, tha Agalliu, i cili poashtu ekskluzivisht për KultPlus, tregoi se ka shumë mundësi të madhe të shkojë në Moskë në një konkurs ndërkombëtare me muzikën e kompozitorit Rexho Mulliqi.

Jo më kot u titullua ‘Një legjendë për dashurinë’. Në fund edhe pse bie nga shkëmbi për të mos e prekur dora e Ujkanit, Borana zgjohet nga gjumi i thellë posa e prek një fjollë bore. Dashuria e Boranës dhe Bajrorit triumfon.

Duartrokitjet nuk ndalen për disa minuta. Fjalët e mira nuk munguan as për shfaqje e as për monografi. Kjo gjë padyshim që e gëzoi shumë autorin e monografisë Naser Shatrollin. Ai për KultPlus, tha se kjo është nata më e veçantë e jetës së tij.

“Është shënuar një histori e kësaj trupe dhe këtij institucioni kulturor me 45 vite në këmbë. Krejt këtij rrumbullakimi 45 vjeçar kemi ardhë në një moment kur mua më është besuar ky libër me kaq rëndësi e kaq peshë. Falënderoj drejtorin Ahmet Brahimaj që ma ka besuar punën”, tha për KultPlus, Shatrolli, duke vazhduar tutje të tregoi se sa ka qenë e vështirë përmbledhja e materialit për këtë monografi 360 faqe e cila është përkthyer edhe në gjuhën angleze.

“Pjesa e pasluftës nuk ka qenë e vështirë sepse ka qenë këtu, e pjesa e paraluftës nuk ka qenë aspak e lehtë, e kam ditë që është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe sonte jam i kënaqur shumë, jam i kënaqur se ka një javë që libri ka nis të shpërndahet dhe mora fjalë të mira. Pak para viti të ri Ahmet Brahimaj mi ka dhënë sinjalet e para dhe atëherë kam startuar me një punë intensive, kam pas një ekip të shkëlqyer dhe mendoj që ky ka qenë suksesi”, theksoi Shatrolli.

Ndërsa për KultPlus, foli edhe njëra ndër balerinët e para të kësaj trupe Sabrie Spahiu. Ajo më shumë emocion tha se Pullumb Agalliu sonte ka dhënë një shfaqje e cila i ka mbushur me emocion. Poashtu ajo kujtoi edhe kohët e vështira që ka kaluar gjenerata e saj.

“Më kujtohet kur vumë në skenë baletin ‘Halili e Hajria’ dhe asistent koreografi ishte Pullumb Agalliu, dhe kur e sheh një koreograf 70 vjeçar që punon me aq pasion, si mos të kesh emocione. Ka qenë një jetë me shumë sfida, ashtu siç ka kaluar edhe kombi ynë. Unë e kam cekë edhe më herët që në vitin 1995 kur na larguan nga teatri e ndjeja veten të hendikepuar dhe nuk dinim se çfarë po ndodh me ne, e pas 8 vitesh që u kthyem në skenë loja artistike nuk ishte në gjendjen e duhur por ishte mjaftueshëm që ta lidhim me këtë gjeneratën e re që janë të mrekullueshëm”, tha ndër të tjera Sabrie Spahiu për KultPlus.

Krejt në fund, KultPlus, bisedoi edhe me balerinin Sinan Kajtazi, i cili para pak ditësh ka mbushur plotë 16 vite në skenë me Baletin Kombëtar të Kosovës. Sinani, kësaj radhe kërkoi një teatër të baletit, pasi që, sipas tij, tashmë durimi është sosur dhe kushtet ua pamundësojnë të zhvillohen edhe më tutje.

“Ne po ndihemi mirë që po shohim gjithë këtë publik që po vijnë të na mbështesin por nuk po ndjehemi mirë që nuk po kemi mjaftueshëm mbështetje nga institucionet e njerëzit përkatës. Për shfaqje të tilla kërkohet një skenë edhe një herë më e madhe se kjo që e kemi, kërkohet infrastrukturë moderne. Para dy javësh patëm një premierë në Shkup në teatrin e ri dhe normal që na vjen keq që një super teatër që është vetëm 80 km nga Prishtina nuk e kemi ne këtu. Ne çdo gjë po bëjmë përveç teatër jo”, tha Sinan Kajtazi për KultPlus, duke u shprehur tutje se të gjithë ne po jemi dëshmitarë të asaj se kur po dalin artistë nga Kosova e që po i zhvillojnë tjerat shtete ne po ndihemi mirë por do të ndihemi mirë nëse edhe artistëve brenda Kosovë u krijohen kushte për punë sepse asnjë artist nuk i ka kushtet e duhura. “Mundësitë janë vetëm dëshira mungon. Do dëshiroja që në 50 vjetorin të paktën ta festojmë në teatër të ri”, tha për fund ai.

‘Një legjendë për dashurinë’, reprizën e parë do ta ketë sonte me fillim nga ora 20:00. Ndërsa monografinë për 45 vite në ‘Këmbë’, mund ta ketë në dorë secili adhurues i këtij arti skenik./ KultPlus.com

Të ngjajshme