I bashkohet yjeve të përjetësisë, Violeta Sekuj, një korçare që u rrit me mëkim shpirtëror në tempullin e korifenjve, Teatrin ‘Migjeni’

27 Korrik, 2025 - 9:31 pm

Nga Albert Vataj

Ka jetë që digjen ngadalë si qirinj të vegjël, dhe ka jetë që rrezatojnë si një dritare e hapur mbi kohën. Jeta e Violeta Sekujt është nga ato që mbeten, nga ato që zgjaten përtej kufirit të vetvetes, duke dhënë prej shpirtit atë që arti kërkon më shumë se çdo gjë tjetër: një të vërtetë njerëzore.
I bashkohet yjeve të përjetësisë, Violeta Sekuj, një korçare që u rrit me mëkim shpirtëror në tempullin e korifenjve, Teatrin “Migjeni”, në atë institucion që e ktheu artin në besim dhe çdo rrahje zemre në ovacione dhe duartrokitje, aty ku për dekada, veprimtaria krijuese, puna dhe përkushtimi, pasioni dhe vlerat, arritën të shkruanin një nga faqet më të vezullimta të traditës shqiptare të artit skenik, aty ku u ngjitën në skenë për t’u bashkuar me yjet, yje që vijojnë dritin, yje që presin t’u bashkohet edhe sot një tjetër yll, që qielli i natës së adhurimit të vijojë të shkrepëtijë nga dritat e shpirtrave që e shenjtëruan aktin krijues, e shndërruan skenën në ëndrrën e tyre dhe mision.

Teatri “Migjeni” i Shkodrës, ai tempull ku Violeta Sekuj e lidhi jetën dhe emrin e saj, e përcolli me pikëllim dhe dhimbje lajmin e ndarjes nga jeta, më 23 korrik 2025, në Massachusetts të SHBA. Në moshën 94‑vjeçare u shua një ndër figurat më të shquara të skenës sonë kombëtare, duke lënë pas një boshllëk që vetëm kujtimi i saj i madh mund ta mbushë. I gjithë komuniteti i artistëve shkodranë dhe jo vetëm, iu bashkua këtij zëri të dhimbjes, duke i shprehur familjes Sekuj ngushëllimet më të sinqerta për një humbje që tejkalon kufijtë e privates.

Ajo ishte një dritë në skenë
Lindur më 1 mars 1931 në Korçë, ajo solli me vete në Shkodër një dashuri të madhe për artin dhe një ndjenjë të palodhur përgjegjësie. Në mesin e viteve ’50, kur nisi rrugëtimin e saj në teatrin “Migjeni”, askush nuk mund të parashikonte se një vajzë e re do të bëhej pionere dhe themeltare e një fryme të re artistike. Ajo ishte aktorja e parë me formim profesional në atë skenë dhe regjisorja e parë grua që i dha Teatrit “Migjeni” një horizont të panjohur më parë.

Një jetë në shërbim të personazheve
Violeta Sekuj nuk u mjaftua kurrë me rolë të zakonshme. Në secilën figurë që interpretoi – qoftë tek “Shërbëtori i dy zotnive” që shënoi fillimin e saj, apo tek “Nora”, “Zekthi”, “Çifti i lumtur” e “Gjaku i Arbrit” – ajo e qiti shpirtin, duke i dhënë publikut personazhe që të rrënqethnin me gjallërinë dhe ndjenjën e tyre. Në kinematografi la po ashtu gjurmë me role në filma që sot janë pjesë e kujtesës sonë të përbashkët: “Fundi i një gjakmarrje”, “Militanti”, “Flutura në kabinën time”.

Një dorë krijuese mbi skenë
Si regjisore, ajo drejtoi 15 shfaqje që mbeten monumente të Teatrit “Migjeni”: “Prefekti”, “Djem të mbarë”, “Nora”, “Kaçakët” dhe të tjera, ku kujdesi, ndjeshmëria dhe intuita e saj u bënë shkollë për breza të tërë. Ishte bashkëudhëtare e emrave të mëdhenj si Zef Jubani, Adem Kastrati, Tinka Kurti, Vitore Nino, Antonjeta Fishta, Ndrek Prela, Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Serafin Fanko, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja… një plejadë që ajo e pasuroi dhe e udhëhoqi me përulësi e dinjitet.

Një bashkëudhëtare e jetës dhe artit
Në zemër të jetës së saj ishte gjithnjë një tjetër figurë e rëndësishme e artit shqiptar, bashkëshorti i saj, regjisori dhe themeluesi i Estradës Profesioniste të Teatrit “Migjeni”, Paulin Sekuj. Ata ndanë jo vetëm dashurinë dhe familjen, por edhe betejat dhe gëzimet e skenës.
Sot, kur kujtojmë Violeta Sekujn, nuk jemi vetëm në një akt kujtese, por në një akt mirënjohjeje. Ajo i dha skenës një jetë të gjatë, të bukur, të përkushtuar; i dha publikut emocione të papërsëritshme; i dha brezave një shembull se arti nuk është thjesht një profesion, por një mision që të digjet nga brenda e të ndriçojë të tjerët.
E përjetshme qoftë drita jote, Violeta. Teatri “Migjeni” dhe kujtesa jonë të mbajnë gjithnjë në skenën e zemrës.

Të ngjajshme