Identitetet e fshehura te “Inspektor Limi”, rikthyen të qeshurat e publikut në teatrin ‘Oda’

6 Prill, 2021 - 2:21 pm

Një krim i organizuar që zinte vend në një provincë ku identiteti i fshehur ishte pjesë e pothuajse secilit personazh, e deri në shpalosjen e perdes së fundit ku një sustë finalizoi aktin që do të hidhte dritë mbi secilin karakter, ishin skenat që mbrëmjen e kaluar u shpalosën përmes shfaqjes “Inspektor Limi” që erdhi në skenën e Teatrit Oda, nën regjinë e Florent Mehmetit dhe me skenar nga Lirak Çelaj, shkruan KultPlus.

Para se shfaqja të fillonte, të pranishmit kishin zënë vendin e tyre kurse dritat ishin fikur. Zhurma e vetme prezente ishte melodia e instrumentit të çiftelisë përderisa aktorët po bëheshin gati të dilnin në skenë. Gjithçka nisi si një bisedë e zakontë, bisedë kjo mes dy protagonistëve kryesorë të cilët flisnin një gjuhë të drejtpërdrejtë banale, e cila përkonte pikërisht mbi bazën në të cilën ishte ngritur shfaqja ‘Inspektor Limi’, që përfaqëson edhe vetë personazhin Limi apo ndryshe Lirim Berisha, i cili ndoshta ishte i vetmi person që nuk zhytej në thellësinë e maskuar të personazheve.

Shfaqja ‘Inspektor Limi’, u cilësua mbrëmë edhe si një shfaqje e tipit të Martin McDonagh duke portretizuar një gjuhë të personazheve të rrugës, një fshati apo province të hamendësuar e të lënë pas dore. Por edhe në përditshmërinë e personazheve gjithmonë ka një zbulim të veçantë që shtynë publikun ta zbulojë sa më shpejt.

Rolet e protagonistëve që erdhën të shkrira nga aktorët, Adrian Morina dhe Nëntor Fetiu të cilët mbrëmë erdhën në rolin e Arbenit dhe Xhelalit apo ‘Xhelal Shkenca’, shpalosën një gjuhë banale të hiperbolizuar dhe të cilët pothuajse ishin banorë të kafenesë me lokacion në një provincë, ata rrini natë e ditë duke pirë. Kjo kafene menaxhohej nga personazhi i ‘Fidaimit’ (Kushtrim Sheremeti) i cili kishte shumë ambicie por që në një mënyrë nuk arrinte ta përhapte atë.

‘Inspektor Limi’ nën aktrimin e Kastriot Grajqevcit, është një personazh për të cilin saktësia për të zbuluar, nuk është arma e tij më e fortë. Po ashtu, edhe personazhi ‘Fisi’ nën aktrimin e Lirak Çelajt, për të cilin mendohej se është një shitës i drogës duke keqkuptuar kështu shprehjen e tij për mallin sasior, dhe duke ia futur frikën në palcë të dy protagonistëve.

Ndërsa qershia mbi tortë mbetet edhe vetë personazhi grua, ‘Monika’ e cila ka një zë të bezdisshëm kur këndon dhe shfaqet si një kamariere e cila nuk merr pjesë në ‘llafet’ e burrave, por në fakt ajo jo vetëm që vendos një maskë para tyre, por është një spiune e cila dërgon informata për shpërndarësit e drogës dhe fshehjen e drogës duke mundësuar shpërndarjen e saj. Shkrirja e aktores Daniela Markaj në këtë rol, ishte me të vërtetë befasues e sidomos në pjesën kur nisë kënga e Michael Jackson, një këngë e cila është vendosur qëllimshëm për arsye se ‘një grua nuk mund të këndojë një këngë kaq të vështirë të një mashkulli’, duke portretizuar akoma më shumë aspektin banal se një grua ende nuk është e rëndësishme në shoqërinë e sotme aktuale.

Në mesin e rrjedhshmërisë së shfaqjes, u shfaqën edhe disa sekuenca të cilat ishin një kontrast i madh nga bisedat e protagonistëve. Me drita të përqendruara në dy personazhet siç ishin nëna dhe djali, shprehej relacioni mes tyre, një relacion i pazakontë ku dallohej sjellja e djalit drejt nënës që është mjaft e ashpër ndërsa sjellja e tij merrte formë më të butë kur ishte në kafene mes njerëzve të tjerë.

Buzëqeshjet me zë të lartë, por edhe me ato të ngulitura në fytyrë përgjatë gjithë shfaqjes, nuk munguan. Brohoritjet dhe duartrokitjet ishin bërë një vazhdimësi nga të pranishmit të cilët po shijonin këtë komedi me humor të theksuar.

Projekti që sonte u jetësua në skenë, është shkruar qysh vitin e kaluar dhe për të na shpalosur më shumë rreth punës për këtë shfaqje, për KultPlus foli regjisori Florent Mehmeti.

“Kemi dashur të bëjmë një shfaqje e cila është relaksuese deri diku, një shfaqje që për bazë ka një situatë idilike në një fshat të shpikur e të lënë pas dore me personazhe që kanë një rutinë të përditshme dhe me plot befasi që ndodhin”, tregon regjisori Mehmeti për KutlPlus.

Sipas tij, ngjarja është një status kohe ose diçka që ndodh gjatë gjithë kohës në përditshmërinë tonë që ata janë munduar që me një stil të humorit më të veçantë kultivohet në teatrin Oda, për të provokuar publikun dhe për ta relaksuar në këtë kohë.

“Rolet janë karaktere të marrura nga vijat kryesore të përditshmërisë por secili prej tyre me një stil të humorit, jashtë asaj se çka quhet natyrale, janë groteske, të zmadhuara, ku imponohen edhe situatat të cilat nuk janë shumë logjike por i përkasin këtij stili të humorit. Po ashtu qëllimshëm kemi vendosur ngjarjen komplet në një ambient shumë të fëlliqur, duke e përdorur gjuhën banale për të dhënë një gamë të fëlliqësirës, në të cilën janë të zhytura rolet”, shpalos Mehmeti.

Tutje ai flet për skenat e çuditshme të nënës dhe Arbenit që janë të vendosura në maksimumin e groteskës për të plotësuar panoramën e fëlliqësirës ku ky fshat është zhytur, të cilat janë të bazuara në grotesken e komedisë ku gjithçka rritet e zmadhohet.

“Është shkrim i ri, shfaqje është shkruar enkas për këtë produksion dhe nuk është tekst që është shkruar më herët por është përpunuar gjatë procesit të punës, e që zakonisht zgjatë më shumë sepse testohen disa skena e pastaj përmirësohet e rishkruhet teksti përsëri. Ky proces i veçantë që merr më shumë kohë, është në vazhdën e produksioneve që bëhen në ‘Oda’ dhe kemi dëshirë ti formojmë stilistikisht edhe me elemente groteske dhe të tjera të qëllimshme të një stili të veçantë për një kohë si kjo”, përfundon Mehmeti.

Kjo shfaqje la një kujtim të bukur mbrëmë që jehonte edhe pas përfundimit, kur të pranishmit përsërisnin batutat e shfaqjes.

Ndërsa skenaristi Lirak Çelaj, i cili njëkohësisht luante rolin e ‘Fisit’, tregon për mënyrën se si është prezantuar atmosfera e cila nëpërmjet zhurmës në Kosovë është shprehur tek kjo shfaqje.

“Natyrisht unë e kam zmadhuar këtë çështje duke e forcuar dhe kthyer atë, në një komedi të zezë”, potencon ai.

Sipas tij, përcaktimi i roleve nuk ishte i vështirë por të luash një personazh me tekstin që e ke shkruar vetë, nuk ishte edhe e lehtë. Megjithatë pas insistimit të kolegëve, ai ka pranuar të jetë pjesë e ekipit, natyrisht me dëshirën e madhe për të shprehur talentin e profesionit të tij të parë.

“Meqë është proces që ka përfunduar para se të fillojnë provat, nuk ka pasur ndonjë problem teknik që koha të më pengojë për njërën apo tjetrën punë”, thotë Çelaj.

E po ashtu, rrëzëllimi i dalluar i kësaj nate ishte edhe aktori Adrian Morina, i cili luante rolin e Arbenit me një humor dhe stil të veçantë që përcjellej së bashku me lojën e aktorëve të tjerë. Gëzimi për rikthimin e tij në skenën e ‘Odës’ dhe përmallja e tij për dy miqtë e ngushtë ishte diçka e veçantë për të.

“Është kënaqësi e veçantë gjithmonë të rikthehem pas disa vitesh për të luajtur në teatrin ‘Oda’, e ende më e vecantë të punojë me njerëzit që kemi punuar një kohë të gjatë. Një dëshirë e realizuar, e përmbushur pas gjithë asaj që ka kaluar teatri ‘Oda’, sidomos në vitin e fundit me humbjen e dy njerëzve më të dashur që i kemi pasur, Etritin dhe Ukshinin”, thotë Morina.

Sipas tij, i gjithë procesi i punës bëhet shumë i këndshëm kur punon me njerëz që ju beson, i njeh, e të njohin stilin, humorin dhe lojën.

“Pa marrë parasysh se komedia quhet biznes serioz edhe shumë i vështirë, besoj kemi tejkaluar pritshmëritë e publikut sonte duke pasur parasysh energjinë e ndjerë”, tha Morina duke potencuar se i vjen keq që nuk po luajnë në një kohë të teatrit, por që duhet përpjekur me çdo kusht të japin gjithçka që të kthejnë buzëqeshjen te njerëzit.

“Inspektor Limi” vjen sonte me reprizën e parë në ora 19:00. / Era Berisha / KultPlus.com

Të ngjajshme