Ilir Tafa dhe Niada Saliasi me “Sonte jam vetëm” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Sarajevë

19 Dhjetor, 2017 - 1:51 pm

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Ditët e Jurislav Koreniqit” që po mbahet nga 16-23 dhjetor 2017 në Sarajevë, sonte në programin garues të festivalit do të jepet shfaqja “Sonte jam vetëm” me regji të Enver Petrovcit e me aktorët Ilir Tafa dhe Niada Saliasi.

Shfaqja “Sonte jam vetëm” përfaqëson teatrin kosovar, ndërsa konsiderohet ndër shfaqjet favorite të programit garues në mesin e produksioneve teatrale nga Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e pjesëmarrës të vendeve të tjera.

Ekipi i shfaqjes “Sonte jam vetëm” tashmë kanë arritur në Sarajevë, ndërsa shfaqja do të jepet nga ora 20.00. Juria profesionale e festivalit përbëhet nga emra të mëdhenj të teatrit e filmit, si: Nebojša Glogovac, Dragan Komadina, Moamer Kasumović, Elma Berberović e Larisa Sarajlić-Ramović.
Festivali do të mbyllet të shtunën më 23 dhjetor, kur edhe do të ndahen çmimet për fituesit./ KultPlus.com

Të ngjajshme