Ilire Vinca do të prezantohet me një ligjëratë në New York, pas nominimit në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në Amerikë

19 Shkurt, 2021 - 6:54 pm

Aktorja dhe profesoresha universitare, Ilire Vinca, është nominuar për herë të dytë në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në Nju Jork, shkruan KultPlus.

Ajo së bashku me Zana Hoxhën dhe Burbuqe Berishën kanë arritur të hyjnë në listën prej 18 vende të botës.

Në programin e këtij viti, Vinca do të paraqitet nesër në një ligjëratë virtuale në Nju Jork të Amerikës, teksa do të prezantojë temën “Edukimi Teatror: Arritja përtej skenës”.

Për KultPlus, ajo ka rrëfyer emocionin e këtij çmimi të rëndësishëm, të cilën nuk e merr për të parën herë.

“Në kohën kur diplomacia ndërkombëtare është sfidë e vështirë për t’u kapërcyer, jemi krenarë për rolin që artistët luajnë si diplomatë kulturorë duke vendosur dialog krijues, arsimor, jo politik”, thotë për KultPlus Ilire Vinca.

Në anën tjetër, përvoja e saj e parë me këtë çmim ka qenë në vitin 2017.

“Ky është çmim që jepet çdo tre vjet, e për mua hera e parë ka qenë në vitin 2017 dhe tash për herë të dytë e rrita edhe pjesëmarrjen e Kosovës me Burbuqe Berishën dhe Zana Hoxhën”, thotë artistja e famshme.

“Prej 26 vendeve të botës, 18 të nominuara, pjesëmarrja e Kosovës pas Anglisë radhitet e dyta”, tregon Vinca.

Ilire Vinca është profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme