Ilire Vinca pjesë e shfaqjes teatrale ‘La Riparazione’ në Itali

16 Korrik, 2021 - 4:54 pm

Aktorja e njohur kosovare, Ilire Vinca do të jetë pjesë e shfaqjes ‘La Riparazione’ të regjisorit Cesar Brie. në teatrin italian ”Koreja”, në qytetin e Puglias, shkruan KultPlus.

Lajmin për KultPlus e bëri të ditur vetë aktorja, e cila theksoi se të qenurit pjesë e kësaj shfaqjeje për të është një kënaqësi e rrallë.

”Jam e lumtur që jam pjesë e shfaqjes ”’La Riparazione”. Procesi i punës ka qenë një kënaqësi e rrallë. Duke u bazuar në rrëfimet tona, Cesar ka marrë disa fragmente të cilat mjeshtërrisht i ka rishkruar me një përkujdesje e shije të hollë artistike, duke na dhënë një detyre të mrekullueshme e të vështirë në të njëjtën kohë. Nga intima në publike është rruga të cilën e ka shtruar, në të cilën ecim me shpresë, që unë, do të bëhem ti, e më pas, ne. Në humbje, dashuri, luftë e paqe, ekziston njeriu me kuroren e ndjenjave që gdhenin fjalën, gjestin e zërin”, ka theksuar tutje Vinca për KultPlus.

Ndërkaq, shfaqja është bashkëprodhim i Italisë me Shqipërinë, Teatri Metropol, Mali i Zi si dhe me aktorin Bashkim Alaj ddhe Molize. Kurse, premiera pritet të shfaqet nesër para publikut italian. / KultPlus.com

Të ngjajshme