Intervista e rrallë e Koço Devoles: Dhamë shfaqje në ngricë, orkestrës po i ngrinin duart

13 Nëntor, 2020 - 8:56 pm

Për 90 minuta, ai ka rrëfyer disa nga ngjarjet dhe historitë e panjohura të jetës, familjes dhe karrierës së tij artistike, duke filluar nga origjina e familjes, specializmi i babait të tij, Thanasit, në Itali për kino-operator, puna në atë profesion në qytezën e Kuçovës ku u lind dhe Koço, ardhja në Tiranë si kino-operator në Kinema “17 Nëntori”, largimi  dhe dërgimi në Kombinat me dënim si punëtor, pasi u zbulua se ai kishte rregulluar një linjë direkte telefonike për Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, që u shpallën “armiq të popullit”, pjesmarrja e Koços në kino-provat për një rol te filmi “Debatik”, ku ‘nuk fitoi’, dhe figurant te ‘Vitet e para’, etj.

Pasioni e prirjet e Koços për pikturën ku mësonte me inxhinierin rus në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, si dhe me rrethin e teatrit në Pallatin e Pionerëve ku regjisorja ruse i besoi disa role, karikatura e parë që botoi te ‘Hosteni’ në 1964-ën, rolet në disa drama në Klubin e Kulturës në Kombinat, konkursi për në Liceun Artistik dhe pengesa biografike për ‘xhaxhanë e arratisur’, e drejta e studimit për në Inxhneri Mekanike në Tiranë ku qëndroi vetëm dy vite, ‘për hatërin’ e shokut indonezian që i bënte portretin dhe ‘shpërblehej’ me kafe, dreka e darka te ‘Vollga’, vajtja ushtar dhe angazhimi në Estradën e Ushtarit me shokën e fëmijrisë, Roland Trebicka, pas ndërhyrjes së regjisorit, Viktor Gjoka, duke dhënë shfaqje deri në pikat më të largëta kufitare, etj.

Lirimi i Koços nga Ushtria dhe puna në Klubin e Kulturës në Kombinat, ku bëri emër të madh, pasi pikturoi në një fasadë gjigande Enver Hoxhën, angazhimi në revistën ‘Hosteni’ si karikaturist dhe me skenare për skeçe e parodi, emërimi në Estradën e Shtetit dhe më pas në Radio-Televizionin Shqiptar, puna dhe projeketet pas viteve ’90-të me filma, komedi, spektakle etj., bashkëpunimi e puna me mikun e ngushtë të jetës, Filip Çakuli, e deri tek profecia e tij e thënë në këtë emisionin, ku ai mes të tjerash u shpreh: “…Nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq! Nuk pranojnë që t’i përcjellin për në banesën e fundit që nga Teatri, p.sh. Ka pasur shumë raste. Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo që me njëqind lutje, e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë, dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët…”

“Përpara ’90-ës, artistët janë vlerësuar, se Partia, bënte propagandë dhe na quante ‘ndihmës të saj’. Prandaj edhe na paguante. Por kjo nuk ka lidhje fare me sistemin diktatorial. Neve na respektonin që nga sekretarët e partisë, e të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të thotë që ai sistem ka qënë i mirë. Absolutisht, diktatorial ka qënë.

Kështu u shpreh në mes të tjerash para pak kohësh në një intervistë të gjatë për emisionin “RRËFIM” në Tv Scan, (me autor Dashnor Kaloçin dhe moderatore Albana Shehu Qirjako), piktori, karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjisori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, i cili u nda nga jeta më datën 8 nëntor dhe fatkeqësisht, profecia e tij “u zbatua pikë për pikë”, sikur i madhi Devole, “ta kishte lënë me amanet”, pasi ai u përcoll për në banesën e fundit nga një shtëpi funerale private?!

Në shënje homazhi për një nga ikonat më të mëdha të humorit shqiptar, Memorie.al, ka zbardhur dhe sjell ekskluzivisht për lexuesit, dëshmitë e rralla të ‘Mjeshtrit të Madh’, Koço Devole, në- disa numra.

Zoti Devole, pra aty ju dhatë shfaqjen e parë, premiere si të thuash…?

Po, po, aty në borë ku kishte ngrirë akull çdo gjë dhe ça shfaqje, orkestrës i kishin ngrirë duart, por vazhdonin sipas partiturave, dhe nja pesë mijë ushtarë e oficera e rezervista që ishin aty, edhe më shumë ishin, se ishte parrulla “Gjithë populli ushtar”, kështu aty nuk dukej më bardhësia e dëborës dhe e akullit, por vetëm jeshil gjithçka. Të gjithë dëgjonin me vëmendje e duartrokisnin edhe se pse ishte ngricë, ça të them, skena kishte ngrirë akull e gjitha dhe në një moment, kur orkestrës nuk u punonin më gishtat për t’ju rënë veglave, se u kishin ngrirë duart, regjisori Viktor Gjoka, ju lut Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume, që të sillnin diçka sa për të ngrohur duart, se nuk mund të vazhdonte dot më shfaqja. U dha urdhër e se ku gjetën një mangall dhe e sollën aty, ku ata të orkestrës, ngroheshin me radhë duke u shtyrë kush e kush të afrohej sa më afër mangallit e duke i rënë veglave ashtu gjysmë të ngrirë, por shfaqja vazhdoi e u mbyll me sukses, edhe pse në ato kushte atmosferike tepër të vështira.

Po si vazhdoi shfaqja në atë të ftohtë, kur kishte ngrirë akull gjithçka?

Po ashtu vazhdoi, ata të orkestrës, ai i klarinetës, i trombës, oboit, firzamonikës, etj., shkonin te mangalli, se vetëm aty mund t’i binin veglave ashtu të kërrusur, se në këmbë nuk ngriheshin dot, pasi pothuaj kishin ngrirë ata të shkretët. Dhe kur mbaroi shfaqja, Shefi i Shtabit, Petrit Dume, na u drejtua ne, pra gjithë kolektivit të Estradës Ushtarit, duke na thënë:

-“E shikoni ju ça heqin këta ushtarët, duke ngrirë në këtë të ftohtë për t’ju ndjekur shfaqjen tuaj, ashtu dhe ju duhet të kaliteni si këta, në ngrica si kjo, për të mbrojtur atdheun, kur ta kërkojë nevoja”!

A foli njeri nga ju?

Ça t;i thonim ne, kush guxonte, je në vete, s’guxonte njeri që t’i thoshte as regjisorit të paktën, që ka ca kushte shfaqja dhe s’mund të këndoj njeriu në frigorifer, apo orkestra t’ju bjeri veglave, kur u kanë ngrirë duart…?!

Po sidoqoftë ju u kalitët aty…?    

Po, po, u kalitëm patjetër, (qesh), gjynah të qahemi, se ushtarë ishim ne dhe do shkonim ku të kishte nevojë atdheu, si aty në Vërzhezhë duke dhënë shfaqje!

Jemi në atë moment të jetës suaj, kur ju keni shkuar ushtar dhe jepnit shfaqje?                     

Po, po vazhdonim ne të jepnim shfaqje dhe kemi dhënë në të gjithë territorin e Republikës, pra po u’a përcaktoj saktë, se ne kemi dhënë shfaqje edhe në pikat më të largëta kufitare, ku posta e kufirit kishte gjashtë ushtarë, me gjithë kuzhinierin, duke dhënë shfaqje të plotë, sikur të ishim në skenën e Estradës së Tiranës. Dhe, nga ata gjashtë ushtarë, tre na ndiqnin duke duartrokitur, se tre të tjerët i zinte gjumi, se kishin qenë me shërbim. Deri në Karaburun të Vlorës, kemi qenë për të dhënë shfaqje dhe kur kemi shkuar atje, nuk kishte rrugë fare. Kemi shkuar me mushka deri te vëndi i shfaqjes, duke i ngarkuar rrobat e veglat muzikore aty ku na la makina, “Zisa” të ushtrisë ishin ato makinat, por nuk ecnin dot më. Dhe kemi ecur një orë e sa në këmbë, pas mushkave, e kur kemi mbërritur atje, kemi gjetur 11 ushtarë gjithsej, bashkë me oficerin e kapterrin e pikës ushtarake, ndërsa ne ishim gjithsej 45 veta, bashkë me regjisorin.

Atje nuk kishte asnjë gjë, ishte vetëm një kapanon gjysmë i rrëzuar dhe ne filluam shfaqjen, ku ata të dhjetë (se njëri ishte në vëndroje) u ulën në tokë, ku dikush morri një tullë, tjetri një gur, tjegull, a mjete të tjera rrethanore, ça të gjenin të shkretët, për t’u ulur, se nuk mund të rrihej dy orë në tokë, se ftohet njeriu. Pasi u ulën ata, ne shpejt e shpejt improvizuam skenën me batanije, fletë çadre etj., ndezëm mikrofonat dhe filluam shfaqjen, por ata ushtarët e shkretë lëviznin, se nuk rrihet dy orë mbi gur, ndërsa ne s’lëviznim fare. Ça të them, ishte urdhër i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, që Estrada Ushtarit, do shkoj edhe në pikën më të largëta. Dhe ne kemi shkuar, deri në Orosh, për të dhënë shfaqje, ku dhe atje ishin 10 ushtarë e nja 5 a 6-të gjeologë, e kemi dhënë shfaqje për ta. Ata të shkretët, pra ushtarët e gjeologët, na thonin neve:

-“Po mirë ne se… po ju çfar donin këtu…”?!

-“Hëëë, si çfar duam, ne jemi…”, i thoshim ne. Pas gjithë këtyre lëvizjeve që ne kemi dhënë shfaqje, se kemi qenë në të gjithë Shqipërinë, kemi histori pafund, pafund, se harrova më të fortën, shfaqjen që kemi dhënë para Shefit të Shtabit të Përgjitshëm në Çorovodë.

Po pse në Çorovodë për Shefin e Shtabit…?!

Ai qëlloi që erdhi atje për një lloj inspektimi a kontrolli, ku hapeshin tynele (Guak, apo Kakrruk, më duket se quhej ai vëndi) dhe kur na pa ne, i tha atij Drejtorit tonë të madh, të Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë:

-“Ore, e kam parë unë këtë premierë…”?

-“Nuk e di shoku Shef i Shtabit…”, i tha ai i shkreti gjithë frikë, se e ndjeu që e zuri belaja.

-“Mirë’, i tha ai, ‘ne jemi me këta gjeneralët këtu te lokali dhe përgatituni të vini të jepni shfaqje, të shohim se ç’keni bërë”?

Ne e kishim shfaqjen për publikun e Skraparit në orën gjashtë të mbrëmjes, por pas kësaj, ne o burraaaa të bëheshim gati, se u caktua ora 12 ku do jepnim shfaqjen te restoranti ku ishin akomoduar, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm me dy gjeneralët, emrat nuk më kujtohen, por ishin të tre të shëndoshë dhe njeri ishte Komandant i Korpusit Ushtarak të Jugut të Shqipërisë. Ata vunë një tavolinë të madhe aty te restoranti, me një derr të egër përpara, jo tamam, por gjysëm derr i egër, me thika, pirunj, gotat e verës përpara, etj., ndërsa ne vumë kuintat dhe pasi u mbuluan xhamat e dritareve të mëdha me çarçafë të bardhë, që të mos dukej gjë nga jashtë, ne filluam çfaqjen.

Ishte përgjegjësi e madhe për ju…?!

Po patjetër përgjegjësi e madhe, pasi ai ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më i madhi për ne, se Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, as vinte fare dhe ne nuk e kishim parë kurrë me sy nga afër! Pra ky ishte më i madhi për ne, Petrit Dume, këtë njihnim ne për çdo gjë. Kështu filloj çfaqja dhe Drejtori jonë i madh, i Shtëpisë Qëndrore, nga pas kuintave, kishte vënë syrin në një vrimë dhe shkonte me vëmëndje a po e pëlqenin shfaqjen ata?!

Po ata, e ndiqnin me vëmendje shfaqjen tuaj?

Ehh, me thënë të drejtën, ata më shumë hanin dhe nganjëherë e kthenin kokën edhe nga ne, që këndonim:

“Ushtria popullore jemi ne/ gati për mbrojtje/ në çdo luftë me armiq e tradhtarë/ etj”., dhe ngrinim zërin fort, kur qëllonte që ata ngrinin kokën nga pjatat dhe na shikonin. Ata hanin, pinin dhe nuk e kishin mëndjen fare te ne, që shikonim pas kuintave dhe nuk merrnim vesh se ça ndodhte aty. Ndërkohë njëri nga ata dy gjeneralët, ai i Korpusit të Jugut me sa kujtoj, kapi një batutë të forte, që i pëlqeu nga një skeç dhe filloi të qeshte: “Haaahaaa…, o sa bukur e tha ai,…..shumë bukur e tha…..”!

Ndërkohë e pa Petrit Dume dhe duke i’u drejtuar atij aktorit, i tha: “Ça the ti, hë mo ça the….”?!

Ai i shkreti, Ferit Vogli, ka qenë, uli kokën e nuk fliste fare, pasi u trëmb, se mos kishte bërë ndonjë gabim a kushedi, por nga frika u përgjigj:

-“Po ça thashë, asgjë…, thashë: ‘o Muço, o Muço, ku t’i shpie mushka drutë….”.

Petrit Dume, i’a ktheu me inat: “E ça ka këtu për të qeshur….”, dhe i’u kthye këtij gjeneralit, duke i thënë:

-“Ça ka këtu për të qeshur…”?! “Jo, jo, këtu nuk ka ndonjë gjë për të qeshur, por po ta lidhi mirë ai batutën, del më bukur….”, vazhdoi ai gjenerali! “Hëëë mirë, lidhe, lidhe, shumë mirë e ka shoku gjeneral”, i tha Petrit Dume.

E ndryshoi batutën e skeçit ai?

Po patjetër, pas këtyre fjalëve ne e filluam skeçin nga fillimi, por me thënë të drejtën ishim shumë të tensionuar dhe shikonim ata që na shikonin ne?! Në një moment, vjen batuta që do thoshte, Ferit Vogli, nga e para: “O Muço, o Muço, ku t’i shpie mushka drutë…”, dhe të gjithë ne në mënyrë instiktive, kthyem kokën nga Petrit Dume, duke parë se si do reagonte ai. Ai ngriti kokën që deri në atë moment e kishte ulur mbi pjata dhe pa njëherë anash nga gjenerali, pa nga ne, dhe tha:

-“Edhe e lidhur kjo s’bën, hiqe fare, hiqe fare, lëreni këtë, s’bën, ça keni tjetër?! Kështu ne kemi dhënë të gjithë çfaqjen deri në fund, duke e ndërprerë, duke e përsëritur, etj., e kështu shkoi e gjithë shfaqja nën një presion të paparë, ku të gjithë dridheshim nga frika. Në këto kushte bënim humor ne. Dhe më e bukura, kur filluan e dolën këto grupet armiqësore, që u dënuan këta si puçistë, na hoqën edhe ne!

Po ça lidhje kishit ju…?!

Po hë ça lidhje kishim, e di që s’kishim, po ata që na hoqën a e dinin, këtu është problemi, por na morën prapë dhe mua më hoqën prap!

Po pse ju hoqën?

Më hoqën se kishin thënë për mua: “Kush mo, ai regjisori që mban atë kollaren me kokë të trashë…”, se më mbrapa më bënë edhe regjisor mua dhe mbaja kollaren të lidhur trashë, se ishte moda ashtu. Nga puna e kollares, më hoqën dhe më dërguan prapë në Kombinat.

Pra dhe ju si babai, me dënim për t’u edukuar në Kombinat?

Po, po, si babai, njësoj, por unë do riedukohesha në gjirin e klasës punëtore, pra shkoja atje për riedukim. Sa vajta atje, më priti një Shef Kuadri, që njihte babanë, e më tha:

-“Po mire mo, po ti pse vjen këtu, pse nuk shkon në Klubin e Kulturës, se ti je artist…”?!

-“Poooo, jam; i thashë unë, ‘por këtu më kanë dërguar”?!

-“Po mirë, të kanë dërguar, shumë mirë kanë bërë, por shko andej nga Klubi Kulturës dhe na bëj teatër”, më tha ai.

-“Për gjashtë muaj, më kanë dërguar”, i thashë unë.

-“Shumë mirë, gjashtë muaj puno”, më tha ai dhe unë shkova te Klubi Kulturës, duke u marrë me teatër, duke përgatitur këto teatrot amatore në ato konkurimet e ndërrmarjeve të klasës punëtore që bëheshin çdo vit. Mirpo, nga që isha i dënuar dhe meqë vija nga një Estradë Profesioniste, kisha dhe ambicie në atë punë, për të fituar çmime në konkurimet që bëheshin, sepse atëhere Kombinati Tekstileve, fitonte vënde të para në këto konkurimet, e mburreshin ata drejtuesit e sekretarët e partive, ja kemi Koçon, etj., se u dilte emri për mirë dhe donin të më mbanin aty.

Ju mbajtën?

Më mbajtën deri sa shkova dhe regjisor i Bashkimeve Profesionale, se paguheshim ne regjisorët atëhere nga këto Klubet e Kulturës të Bashkimeve Profesionale dhe gjëja kryesore, e përgjegjësia më e madhe që kisha unë atje, ishin këto Dekadat e Majit. Atyre u kushtohej një rëndësi e madhe, vinin këta nga Komiteti i Partisë së rrethit dhe interesoheshin për çdo gjë me imtësi: mor vallet, muzika, tekstet, çdo gjë, çdo gjë. Dhe duheshe të jepje përgjigjie për çdo gjë që kërkohej, ku edhe pse unë isha i profilit të teatrit apo estradës, duhet të përgjigjesha edhe për tekstet e këngëve, etj.

Në Kombinat, në Klubin e Kulturës, kan pas ardhur shumë regjisorë e aktorë të njohur, si p.sh., regjisori i njohur, Pandi Stillu, që brezi im e mban mënd, etj., Viktor Gjoka, aktori e regjisori i famshëm i humorit shqiptar, ka vënë shumë shfaqje dhe regjisorë të tjerë kanë ardhur aty. Dhe midis gjithë këtyre, padyshim unë do të veçoja regjisorin dhe aktorin e famshëm, Kujtim Spahivogli, një nga pedagogët më të famshëm të Institutit tonë të Arteve. Një njeri i shkëlqyer që ka lënë mbresa kudo dhe me kë ka punuar, por pati atë fat që pati, që s’do ja uroja asnjeriut. Kujtimi erdhi në atë kohë që isha unë atje në Kombinat dhe donte të vinte një shfaqje. Një ditë, vjen drejtori e më thotë mua:

-“Ejjj, ky Kujtimi është mirë nga kallaballëku (duke vënë gishtin në kokë), di gjë ti…”?!

-“Po shumë mirë është, pse si është puna”, i’u përgjigja unë, ‘atë kemi regjisorin më të mirë në Shqipëri’ dhe fillova t’ja numroja: jo ka vënë Hamletin, jo ka vënë këtë, jo atë…”?!

-“Po mire, mirë more Hamletin, mirë, po a e ke marr vesh ti, se ça do bëj ai…”, m’u drejtua drejtori mua.

-“Jo, nuk di gjë”, i thashë unë!

-“Si mor nuk e di, ai do me vënë në skenë, dramën “Kurvat e Kombinatit’, më tha ai i friksuar, ‘por do ta bisedojmë kur të vij Kujtimi, do të thërrasim dhe ty, e nuk do ta lejojmë të na bëj një proçkë të tillë”, tha drejtori dhe u takua me Kujtimin, por mua nuk më thirrën. Kur erdhi, drejtori na prezantoi, duke i thënë për mua, ‘ja këtë kemi regjisor’ dhe Kujtimi, më dha dorën, e me atë zërin e ngrohtë siç ishte ai, (ehhh si ishte Kujtimi, këdo që të pyesësh për kujtimet për Kujtimin, vetëm fjalë të mira do thonë për të), e më pyeti:

-“More, e ke lexuar ti këtë”?

-‘Jo’, i thashë unë.

-“Mirë, merre lexoje” dhe më dha ato fletët e dramës që kishte shkruar, me titull “Kurvat e Kombinatit”! Unë e lexova dhe ajo ishte një komedi fantastike (se e kanë vënë dhe të tjerët), por ajo ishte e shkëlqyer, ku bërthamën e kishte nga “Lisistrata”, e Aristofanit në Greqinë e lashtë, dhe ekstrati i saj, ishte ajo me gratë që ndaj tyre në Kombinat, silleshin shumë keq dhe kishte shumë probleme, por te ajo komedi, ndërrohen rolet. Pra, kjo si të thuash ishte esenca, bërthama e saj. Pra, gratë, u thoshin burrave: shkoni ju në vëndin tonë, të bëjmë ne me ju, siç bëni ju me ne dhe të dëgjoni seç do themi ne për ju, ashtu siç flisni ju për ne, dhe do të shohim, do duroni dot juve, apo nuk do duroni siç kemi duruar e durojmë ne. Kjo ishte si të thuash ajo ekstrakti i pjesës, por nuk i kishte vënë atë të “Lisistratës”, që është ajo greva e tmerrshme e seksit, se këtë ka “Lisistrata”, e Aristofanit, ku gratë e asaj kohe, thanë që të pushojnë të gjitha luftrat, të gjitha betejat, konfliktet etj., se ndryshe ne do fillojme greven e seksit, e s’ka më dhe ata do detyrohen të vijnë se do i marri malli. /Memorie.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme