A ishin Istref Begolli dhe Melihate Ajeti çifti më i bukur i teatrit tonë?

15 Gusht, 2017 - 5:13 pm

“Melihati, ulur në këndin e saj të preferuar në dhomën që e quan “parajsë vetmie”, e grimuar, me turban në kokë (pamje thuaja e përhershme), me glamur zonjeje, rimerr fuqinë për të rrëfyer edhe për anën tjetër të jetës, për njerëzoren, për miqtë, për shokët e paktë, por të përzgjedhur, për emocionet…Rikthen motet e shkuara.

“Kolegu im i respektuar, Istref Begolli, pas shfaqjes “Ëndrra e qenit” të Mehmet Krajës, duke ma uruar rolin e shitëses së luleve, në foajeun e teatrit, me emocione të larta dhe me lot në sy, më përqafon e më thotë “Meli, a e di c`rol të madh ke bërë prej një roli të vogël! Je e shkëlqyeshme. Veç ti, me aktrim të lartë, po më jep të kuptoj se ende ekziston shpresa për nivelin e teatrit”! – ishin çaste ngazëllimi, por edhe dëshpërimi që po I përjetonte aktori. Meli, prandaj, me respekt kujton kolegun e saj shumëvjecar, Istrefin, dhe po me kaq mall dëshirën e tij të madhe që pati për ta luajtur Mbretin Lir, për të cilin rol po i fliste kur po rrinin thuaja përditë në lokalet e teatrit të pasluftës.

“E kam pasur shok të mirë, vdiq me zhig të rolit të Mbretit Lir. Shkoi..” – hetohet një notë sentimenti në zërin e aktores. Kritiku Vehap Shita me rastin e shuarjes së Istrefit, kujton:
“Dueti artistik, Istref Begolli – Melihate Ajeti ishte, ndoshta, çifti më i bukur që parakaloi deri më sot në skenën e teatrit tonë, çifti pa të cilin nuk mund të mendohej një shfaqje e bukur e kësaj skene!”.

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit

Të ngjajshme