Jepet premiera e shfaqjes ‘HOTEL GRAND’, përmes një udhëtimi në kohë shpërfaqet agresioni dhe aparteidi i viteve ’80-’99

16 Qershor, 2025 - 12:36 pm

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Qendrën Barabar është dhënë premiera e shfaqjes ‘Hotel Grand’ nga aktorët Armend Smajli dhe Rebeka Qena, shkruan KultPlus. ‘Hotel Grand’ është një shfaqje që udhëton në kohë përmes një historie imagjinare, duke trajtuar aspektin njerëzor, politik, historik e social, e cila shikuesin e shfaqjes e vendos në vitet ’80-’90, në kohën kur Kosova ka përjetuar një periudhë të vështirë agresioni dhe aparteidi.

Një bunker i improvizuar në katin e katërt të ‘HOTEL GRAND’ ishte shndërruar në një vendstrehim për dy shokë, të cilët nuk e kujtonin mënyrën se si janë gjendur në këtë bunker, që mbante edhe ca rezerva të ushqimit. Pas një heshtjeje të gjatë, si në kllapi artistja (Rebeka Qena) i flet shokut të saj (Armend Smajli) për protestat e 1 Tetorit, për vrasjen e një gazetareje te Santea, Mensën e Studentëve etj, pa e pasur idenë se çfarë realisht ngjante. Kjo skenë paraqet vetëdijen e përgjithshme të popullit në atë kohë, ku çdo kush ka pasur informacione të fragmentuara, porse një amulli e shkaktuar nga trauma pushuese nuk ka lejuar të kuptohet ‘piktura e madhe’ e asaj situate.

Mënyra se si janë gjendur në këtë bunker, ngjall kureshtje te protagonistët. Aty fillon e tensionohet situata mes dy miqve. Një kërkim falje për një gabim, të bërë para shumë vitesh gjeti vend në këtë ambient të ngushtë e të errtë. Megjithëse, thuhej që miqtë nuk kanë pse i kërkojnë falje njëri- tjetrit, një ndjesi jo e këndshme e cila e kishte bërë njërin prej shokëve të dukej jo mirë në sytë e të tjerëve, ende nuk ishte procesuar si ndjenjë. Skena flet mbi fuqinë emocionale të njeriut, mbi atë që “Njeriu mund të harrojë se çfarë i keni bërë, po nuk mund të harrojë mënyrën se si e keni bërë të ndihet”.

Një radio mund të ishte funksionale vetëm nëpërmjet krijimit të energjisë elektrike nga lëvizja e pedaleve të biçikletës. Një gjetje dhe kreativitet i tillë është mundësuar nga një nevojë e brendshme për informacion, i cili edhe pse si nëpër mjegull, ekzistonte. Kjo periudhë e vështirë, rëndohet edhe më shumë kur paraqitet instikti seksual. Masturbimi që mohohej derisa ndodhte e kthen njeriun në pikën zero, në atë të kafshërores dhe irracionales, duke ia vënë jashtë loje sistemin e arsyes. Ndërsa, kursimi maksimal i ujit, qoftë edhe për nevojat fiziologjike paraqet një mjerim që ishte i fokusuar në mbijetesë.

Maskat e maces dhe të miut të vendosura nga protagonistët në fund të ngjarjes, i japin shfaqjes kuptim shumëdimensional, duke filluar nga alegoria se njeriu në gjendje mbijetese shndërrohet në kafshë. Po ashtu, maskat mundësonin një ikje nga realiteti i zymtë në një jetë plotë lumturi dhe ëndrra, të cilat edhe mund të jenë jetuar edhe në të kaluarën. Shfaqja përfundon me skenën kur protagonistët shprehin edhe ndjenja dashurie, porse nuk dihet nëse ajo është jetuar vërtetë apo ëndërrohej të jetohej?

Aktori i shfaqjes, Armend Smajli, ka thënë se ideja e këtij projekti ka qenë që të trajtohet tema e paraluftës dhe e luftës përmes personazheve që nuk kanë përfaqësuar asnjë mendim ideologjik të kohës.

“Ideja ishte të trajtojmë një tekst të Denis Kelly-it, një autor anglez. Që në ditën e parë kur e kemi lexuar tekstin ka asociuar në diçka tonën të viteve të 80-ta-90-ta. Nga ajo ditë në mënyrë instiktive vendosëm të marrim një rrugëtim që nuk është punë e jona si aktorë. Vendosëm të bëjmë një eksperiment në kuptimin artistik edhe me veten, dhe me një kohë të caktuar. Filluam ta shkruajmë, dhe deri tash mund të them që i kemi bërë diku rreth 25 versione, derisa erdhëm përfundimisht në një pikë. Shfaqja ka më shumë pyetje se sa tekst. Kemi refuzuar të japim shumë përgjigje për shkak se kemi dashur më shumë të merremi me një lloj “demence” shoqërore, për shkak se kur ka ndodhur lufta, nuk kemi pasur shumë kohë për tu marrë me gjëra që kanë ndodhur shumë kohë para luftës. Kemi menduar të trajtojmë personazhe që nuk kanë përfaqësuar asnjë mendim ideologjik të kohës. Ne i dijmë grupacionet shoqërore, sociale, politike që e kanë përfaqësuar një Kosovën me mendim pro apo kundër. Kemi besuar që ka pasur njerëz që kanë qenë diku me ndonjë lagje duke qenë mospajtues ose refuzues ndaj gjithçkaje që ka ndodhur. Mandej është krijuar edhe një lloj absurdi në rrafshin artistik i kemi dhënë kuptim imagjinar, absurd”, ka thënë artisti Smajli.

Ndërsa, aktorja Rebeka Qena ka thënë se shfaqja është menduar të trajtohet në aspektin se çfarë mund të ndodh me njeriun, kur ai dehumanizohet nga përdorimi i dhunës dhe i presionit.

“Po e shoh që publiku pavarësisht nga mosha, po e perceptojnë ngjarjen, pasi në një farë forme ose kanë dëgjuar për të kaluarën, ose i përjeton ngjarjet e asaj kohe në mënyrë indirekte, për shkak se në një mënyrë jemi të formësuar nga ajo e kaluar, edhe përmes rrëfimeve të të tjerëve. Kur erdhëm në Grand e kuptuam që duhej të linim anash tekstin fillestar, për të cilin ishim mbledhur për t’i bërë provat. E kuptuam që kemi të trajtojmë diçka shumë më të rëndësishme, siç është “Hotel Grandi”, si njëfarë simboli i cili ka qenë njëfarë strofulli edhe i së keqes. Por, menduam se çka nëse në atë strofull, ishte strehuar dikush tjetër. Atëherë filluam të intervistojmë njëri-tjetrin për të kuptuar më tepër se kush kemi qenë, dhe në atë që kemi jetuar me strehe në kokë. Kur në atë realitet je i dehumanizuar, i keqtrajtuar, ti ikë, duke mos i identifikuar ndjenjat, dhe duke mos i komunikuar ato. Po flasim për njerëz që e kanë një të përbashkët të asaj kohe, që kanë mundur të jetojnë një histori të tillë. Jetët tona në atë të kaluar, e për dikë edhe sot mund të mos jenë reale. Kur diçka nuk  të pëlqen nuk dëshiron ta pranosh si realitet”, ka thënë aktorja Qena.

Shfaqja “HOTEL GRAND” do të jepet edhe sonte në Qendrën Barabar, e cila ndodhet në katin e katërt të Hotelit Grand./ KultPlus.com

Të ngjajshme